Kosova dërgon mbi 30 mostra për testim për variantin Omicron në Gjermani

6 Dhjetor 2021, 13:28Rajoni TEMA

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë  ka dërguar sot më shumë se 30 mostra pozitive me COVID-19, për të parë nëse varianti Omicron i këtij virusi është i pranishëm në vend.

Këtë e ka konfirmuar për Express, Xhevat Jakupi, drejtor i Departamentit të Mikrobiologjisë në IKSHPK. Jakupi ka treguar se janë dërguar më shumë se 30 mostra për testim në Gjermani. Ai ka thënë se analizat që kryhen detektojnë variantin Omicron dhe variantet tjera të COVID-19.

“Po janë dërguar sot disa mostra në Gjermani. Nuk e di saktë se sa, por janë më shumë se 30. Mostrat dërgohen atje dhe analizat cilindo variant e detektojnë. Ne dërgojmë në mënyrë të rregullt mostra“, ka thënë ai.

Ndërsa, nga IKSHPK janë shprehur se rezultatet e këtyre mostrave do t’i marrin pas një ose dy javësh.

Varianti Omicron i COVID-19 ka filluar të përhapet në shumë vende të botës. Shkencëtarët dyshojnë se varianti Omicron mund të jetë më ngjitës se varianti Delta i COVID-19, dhe mund të shtojë numrin e hospitalizimeve.

Omicron ka 86 mutacione në krahasim me 15 të Delta-s dhe me këtë variant po infektohen edhe personat që janë vaksinuar me dy doza të vaksinës. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka quajtur atë një “variant shumë të rrezikshëm për të gjithë globin”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje