“Të transformohet FSK’ja – të largohen komandantët e vjetër, t’u lihen pozitat udhëheqëse ushtarakëve të rinj”

6 Dhjetor 2021, 13:47Rajoni TEMA

Që Forca e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në një ushtri bashkohore dhe të funksionojë me doktrinat e forcave aleate të NATO-s, ajo duhet ngadalë të transformohet, duke u larguar oficerët e vjetër e duke u zëvendësuar me ata të shkolluarit që ka prodhuar vetë FSK-ja.

Ky duhet të jetë misioni i FSK-së dhe ministrit të ri të saj, Armend Mehaj, ka thënë deputeti Hisni Berisha, i cili vetë ishte pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe rrjedhë nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës që ishin pasues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deklarimi i Berishës në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, vjen në kohën kur ndodhi edhe dorëheqja e komandantit të FSK-së, Rrahman Ramës dhe zëvendësimi i tij me Bashkim Jasharin.

“Si një ish oficer i FSK-së dhe ish oficer i UÇK-së i bëj thirrje Ministrit të Mbrojtjes dhe Komandantit të ri të FSK-së që të nisin procesin e avancimit në pozita udhëheqëse, në nivel shtabi, të oficerëve të rinj të FSK-së të edukuar e trajnuar sipas standardeve të NATO-së, në sinkron me demobilizimin e programuar e me nder të të gjithë ushtarakëve që FSK i ka trashëguar nga TMK”, shkruan Berisha.

Argumenti i tij është i thjesht dhe konsiston në dy pika.

Ai, duke përfshirë edhe vetën, shkruan se “të gjithë ne, pra ushtarakët që, pas demobilizmit të UÇK-së, kemi shërbyer në TMK i takojmë një mendësie ushtarake që rrjedh nga doktrina e ish Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ)”, ose “nga doktrina e ish Ushtrisë Popullore të Shqipërisë (UPSH)”, apo “një gërshetim i të dyjave”.

Prandaj, shtron çështjen Berisha  “që të dyja këto doktrina nuk janë kompatibile me doktrinat e NATO-së, e sidomos me doktrinën bashkëkohore të NATO-së, pjesë e të cilës ne synojmë që të jemi”.

“Oficerët e rinj të Kosovës janë shkolluar në akademitë më prestigjioze ushtarake të botës perëndimore dhe ata tashmë janë të gatshëm që të marrin të gjitha përgjegjësitë. Prandaj është obligim i yni që brezi i ri i ushtarakëve të Kosovës të fuqizohet pa asnjë rezervë”.

Është pikërisht ky fuqizim përmes modernizimit që Berisha mendon se do ta transformonte FSK-në dhe ta bëjë ushtrinë që shteti e synon.

Pra, një lirim rruge i të vjetërve për të rinjtë dhe ndryshim që do të vinte me lënien e pozicioneve udhëheqëse në duart e ushtarakëve që përgatitjen e kanë moderne e shkollimin të nivelit jashtëzakonisht të lartë.

“FSK, si një ushtri moderne e shtetit tonë, është krijuar me qëllimin strategjik që të bëhet pjesë e pandashme e NATO-së, rrjedhimisht një shtyllë jetike për sigurinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Hisen Berisha ishte një nga komandantët në Betejën e Koshares, e cila gjerësisht konsiderohet si një nga betejat më të suksesshme dhe më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Beteja e Koshares kishte filluar më 9 prill të vitit 1999 në kuadër të Operacionit Shigjeta, ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) dhe Ushtrisë së Jugosllavisë (JNA-së).

Ishte në këtë betejë që Ushtria Jugosllave e humbi kontrollin e kufirit Kosovë–Shqipëri.

Ashtu siç njihet tashmë si “Beteja e Koshares”, kishte zgjatur deri më 10 Qershor 1999.

Palët në këtë betejë ishin të pabarabarta në numër, por UÇK-ja kishte përparësi strategjike, pasi beteja është zhvilluar në kufirin me Shqipërinë administrative.

Ushtria serbe në anën tjetër ishte e përkrahur edhe nga mercenarë rusë, disa prej tyre të mbetur të vrarë gjatë luftimeve.

Në Serbi, Beteja e Koshares përkujtohet si një betejë e humbur. Numrat zyrtarë të shtetit serb janë se aty mbetën të vrarë 108 veta, porse sipas komandantëve të palës shqiptare, numri i ushtarëve serbë të vrarë ishte shumë më i madh – rreth 1800 veta.

Por, Berisha konsideron se tashmë kontributi i kësaj gjenerate ushtarakësh është dhënë dhe duhet avancim me kuadrot e reja.

Edhe pse jo zyrtarisht, edhe aleatët e Kosovës – aleatët e rëndësishme – besohet të jenë në këtë vij mendimi, madje, edhe pse jo zyrtarisht, këtë ua kanë komentuar edhe strukturave udhëheqëse të FSK-së.(Albanianpost.com)

3 komente në ““Të transformohet FSK’ja – të largohen komandantët e vjetër, t’u lihen pozitat udhëheqëse ushtarakëve të rinj””

  1. anticensurë ??? says:

    të rinjtë janë shpresa e gjithçkaje!
    të vjetrit!?varju trapin!!
    kujt i hynë në punë përvoja e tyre!?
    e çfarë kanë bërë,përveçse kanë luftuar!!lufta nuk i hyn në punë kujt,dhe enveri i shpiku armiqt!bile spastroi tërë ushtrinë nga të vjetrit dhe në fund e mbushi me kokë trashë nga shkolla e bashkuar që e ndritën,në shkatërrimin e ushtrisë!!bile aq të pabythë ishin sa as pensionet nuk arritën ti marrin!!
    hiqini të vjetrit e vendosni të rinj,mundësisht bodi billder për të pozuar nëpër fotografi!!

  2. Shpati says:

    Ka qene ne betejen e koshares e do te heqe komandantet e luftes??? Vetem ai e di.

  3. Sara says:

    serbet vetem betejat e humbura kujtojne jete e mot…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje