Xhevdeti, matjani që bën art me drurët në alpet e Zvicrës

16 Dhjetor 2021, 21:06Sociale TEMA

Nga Enver Robelli

15 kilometra nëpër trevën e La Plaivit në Engadinin e Epërm, pranë lumit Inn, i cili derdhet në Danub – dhe një artist shqiptar nga Burreli i Shqipërisë që në fshatin Zuoz gdhend objekte me rrënjë 800-vjeçare të ullinjve nga Korfuzi…
Për të shkuar nga Zürichu në La Punt Chamues në Engadinin e Epërm afër qytezës mondane të St. Moritzit duhen nja 4 orë – me tren. Mundimi ia vlen. Shtegu fillon te ura e lumit Inn në La Punt Chamues. Lumi Inn buron përmbi liqenin Lunghinsee në Engadinin e Epërm dhe rrjedh nëpër Zvicër e Austri deri te qyteti Passau në Gjermani, ku derdhet në Danubin e famshëm. Danubi vazhdon teposhtë drejt Ballkanit, deri në Detin e Zi. Pas disa ditësh apo javësh uji që sot kalonte nën urën e Innit në La Punt Chamues do të përfundojë në Detin e Zi. Drita e Engadinit, gjerësia e luginës, pistat e vrapimit me ski, kuajt që me krenari bartin të zotët e tyre – të gjitha këto e bëjnë këtë rajon të jashtëzakonshëm sa i përket hijeshisë.
Pas rreth një orë e gjysmë ecjeje, u ndalëm me Visar Kryeziun në fshatin Zuoz me shtëpi të mëdha e të bukura, të ndërtuara në shekullin e 16-të dhe më herët. Në njërën prej tyre një tabelë tregonte se këtu gjendej galeria e Xhevdet Lleshit (www.lleshi-art.ch). Në derë një njoftim: galeria është e mbyllur, por nën të një numër telefoni. I telefonova dhe mjeshtri dhe artisti Xhevdet Lleshi u lajmërua, ishte brenda, duke punuar. Na e hapi derën, na solli kafe dhe na tregoi historinë e tij: me origjinë nga Burreli i Shqipërisë veriore, ai pas rënies së komunizmit iku në Greqi, në Korfuz. Atje njoftoi një vajzë zvicerane, se dashuria s’pyet fe e atdhe, erdhi në Zvicër. U vendos në Zuoz. Një fshat që edhe sot ka një shqiptar: Xhevdet Lleshin. Këtu Xhevdeti, në galerinë e tij, gdhend punime druri, skulptura unike, objekte drite, tavolina, pasqyra. Jo nga druri i prerë, por nga copat e drurit që gjatë verës i gërmon në lumenjtë e afërt të Zuozit. Materialin tjetër e merr nga Korfuzi: rrënjë ulliri deri në 800 vjet të vjetra nga të cilat prodhon tavolina. Takimi me Xhevdet Lleshin ishte befasia e ditës!
Shtegu vazhdoi drejt fshatit S-chanf, pastaj nga vendi i quajtur Susauna deri te stacioni i trenit Cinuos-chel, pika e fundit e ecjes së sotme. 21 mijë hapa, mbi 5 orë. Lexim e shikim të këndshëm! Fotografinë e Xhevdet Lleshit e ka shkrepur Visar Kryeziu.

2 komente në “Xhevdeti, matjani që bën art me drurët në alpet e Zvicrës”

  1. Njeres pa (qe sduan)pune says:

    Po….ca foto me shume nuk mundej ? Ne shekullin e androidit ?

    1. Barrelmbajtesi mantelbardhe says:

      Trap me zile. Ketu vijme per te pare shale, jo drure.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje