Policia e Tiranës arrestoi 16 shoferë për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe pezulloi 35 leje drejtimi, për shpejtësi dhe për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Gjatë kontrolleve të shtuara të fundjavës, në pranga është vënë edhe një tjetër shtetas i cili ka tentuar të korruptojë efektivët e policisë me 5 mijë Lekë për të mos bërë testin e alkoolit.
Efektivët e Policisë Rrugore gjithashtu konstatuan dhe gjobitën 12 drejtues mjetesh që kryenin drift në sheshin Nënë Tereza dhe pranë TEG, si dhe 9 të tjerë duke bërë gara shpejtësie në Unazën e Re dhe në segmentin Liqeni i Thatë – TEG.
Për parakalime të gabuara dhe parkime mbi trotuar apo në vija të bardha, janë vendosur 256 masa administrative, ndërkohë 14 drejtues mjetesh luksoze janë gjobitur me nga 5.000 deri në 20.000 Lekë të rinj secili, për xhama të zinj, modifikim targash dhe mangësi në dokumentacion.