Muli dyshon se Doktori po u jep mesazhe përmes Tritanit 

27 Mars 2024, 20:21Antena TEMA

Deklaratat e përditshme të Tritanit që Doktori të trajtohet si Navalni, e shqetësuan dje Mulin.

Në kafen e mëngjesit me Lelon, diskutuan për këtë çështje, se si duhet ta menaxhojnë.

-Unë mendoj se është gabim ti themi si Navalni, tha Lelo, se Navalni në fund vdiq, dhe kjo mund të na dëshpërojë demokratët.

Dhe po të llogarisim që atë dhe e helmuan, duket sikur Doktorin do ta helmojë dikush nga familja.

-Edhe unë mendoj që është gabim, por puna është që atij burrit i pëlqen ajo që thotë Tritani.

Unë i raportova sot për gjithë punën që kemi bërë dhe ai sapo mbarova më tha: Duhet me rrëzue Edi Ramën. 

I thashë që marrëveshja po ecën mirë, listat do t’i hapim tek dy të tretat, drejtuesit politik do t’i lëmë në listë të mbyllur, dhe amnistia do bëhet, por ai tha këto nuk kanë rëndësi.

-Vendi s'mund të ketë të burgosur politikë, nuk më hyjnë në punë të burgosurit ordinerë.

Kjo është shenjë që Tritani flet me të.

-Po ai e mbështeti dhe Gaz Bardhin, tha Lelo.

-Po, ndaj u tremba, se e mbështeti.

Pastaj nxorri Çim Pekën dhe tha që bashkimi i vërtetë bëhet tek rrugica.

Puna është që do që këta që erdhën, të japin prova që duan të bëjnë diçka për të. 

-Po çfarë të bëjnë më shumë ata, tha Lelo.

Ata erdhën, u bashkuan me ne. 

-Puna është se ai dyshon që ata duan të bëhen udhëheqësa, tha Muli.

Ndaj i do poshtë penxheres, që ta dinë ku e kanë vendin.

-Dakord, tha Lelo, po çfarë të bëjnë këta?

-Po ky është problem, tha Muli.

Se Doktori nuk të thotë kurrë çfarë duhet të bësh për të, por duhet ta kuptosh vetë çfarë duhet të bësh.

Po nuk e kuptove, të hedh poshtë.

Dhe këta duhet ta kuptojnë çfarë i duhet atij.

1 Komente

  1. S
    Shkembi

    Plehrat jane bere per te qar hallin

    Lini një Përgjigje