Muli nuk e mbajti dot mërzitjen sot, kur Doktori postoi fotografitë dhe aty u pa që në shoqërinë e tij ishte edhe Strazua. Jo se Muli nuk e dinte, por nuk donte të merrej vesh.
– Tani kjo tingëllon pak keq – i tha Muli Lelos. – Do thonë demokratët që njeriu më i besuar i familjes është Strazua dhe jo unë. Unë vetë nuk kam dyshime fare, se e di vetë çfarë vendi kam tek Doktori, por duhej bërë kujdes.
– Është përgjegjësia ime – tha Lelo. – Se duhej të vinte dikush nga zyra e shtypit dhe ata nuk më thanë, por i kanë rënë shkurt dhe kanë marrë Strazun si fotograf, meqë di gjermanisht dhe ky biznesmeni i bordellove kishte ftuar dikë nga Gjermania. Edhe gazetarin që na vinte në protesta në Tiranë.
– E kuptoj, por kjo duhet sqaruar – tha Muli. – Të merret vesh që Strazua ka shkuar si fotograf, se mua Doktori nuk do të më ulë në atë nivel, të më marrë si fotograf.
Dhe ty të takon ta bësh këtë sqarim, se ti mbulon shtypin.
– Dakord, do ta bëj – tha Lelo. – Na shpëtoi ky rast, ngaqë demokratët mezi i panë ndonjëherë të dy bashkë jashtë shtetit. Dumani u dha leje pa e bërë fjalën dysh. Dhe kjo tregon që i kemi vënë përpara – tha Lelo. – Por ky detaji që Strazua nuk ka shkuar në vendin tënd duhet sqaruar. Duhet thënë që ka shkuar në vend të fotografit.
Lini një Përgjigje