Muli justifikon marveshjen me socialistët si fitore historike 

12 Mars 2024, 18:37Antena TEMA

Muli vendoste t’i vinte sot shpatullat marrëveshjes me socialistët për dy komisione hetimore dhe më pas krijimin e një nënkomisioni për zbatimin e reformës zgjedhore, pasi rrezikonte që Gazi të bëhej figurë kryesore në parti dhe do të dukej sikur nuk e kishte përfillur

Edhe nga konsultimet me Lelon, ai u bind se më mirë ishte t’i bashkohej fitores së Gazit, se sa t’i dilte kundër dhe të dukej i dobët.

Për këtë ai e filloi diskutimin e tij duke zgjeruar argumentet pse kjo ishte fitore:

“Mendoj se kjo fitore është fryt i marrëdhënieve të mira që kemi krijuar me SHBA dhe BE, tha Muli.

Pas vizitës së Bardhit në SHBA, u bë e qartë se socialistët kërkonin të pranonin si faktor Doktorin.

Vetë Damiani u ka rekomanduar amerikanëve në takime me Gazin, që të kishin partner Doktorin dhe njerëzit e tij.

Kjo na bindi se socialistët kanë reflektuar.

Pas tyre reflektuan dhe amerikanët, dhe evropianët, dhe gjithçka u bë konkrete.

Gazi pranoi të vijë poshtë penxheres dhe të marrë bekimin e Doktorit për negociatat.

Tani kemi në dorë frytet e para të kësaj beteje.

Socialistët njohën kryetarin tonë dhe SHBA dhe BE e ka duartrokitur.

Kjo është një fitore historike.

Tani do thoni çfarë do bëhet me grevën e urisë apo protestën?

Fillimisht mendoj ta përdorim muajin e Ramazanit si grevë urie, dhe kështu shtyjmë 40 ditë protestë.

Më pas do kemi plane të tjera për të vazhduar revolucionin, pas Pashkëve ortodokse.

Deri atëherë mund të kemi marrë dy komisionet dhe kemi zgjidhur problemin e Reformës Zgjedhore.

Sa i takon çështjes së mos hyrjes në zgjedhje me Edi Ramën, shpresoj që vetë Rama të tërhiqet, pasi është i sëmurë me hernie diskale dhe kjo është një sëmundje e rrezikshme dhe e lodhshme, pasi mund ta dëmtojë rëndë fizikisht.

Sa i u përket atyre mbështetësve tanë në shtyp që thonë pse po bashkëpunoni me amerikanët dhe BE, u them atyre se nuk jemi ne që po bashkëpunojmë, por ata që po na bien në gjunjë dhe se kjo është fitorja jonë e madhe kundër Lul Bashës dhe Enkelejd Alibeaj, një fitore e arritur falë bashkëpunimit trepalësh me Edi Ramën dhe fuqitë e mëdha”.

Lini një Përgjigje