Muli kërkon nga Balliu të tërheqë kandidaturën

27 Shtator 2025, 19:41Antena TEMA

 


Muli sot e humbi durimin me Balliun Junior.

– Duhet të tërheqësh kandidaturën – i tha.

– Po pse – i tha Balliu – unë jam ndjerë mirë. Të gjithë në lagje më thanë “do të mbështesim”. Edhe një taksist që hipa më tha “e ke votën time”. Tek Astiri të gjithë janë me mua. Jam i vetmi që kam një projekt konkret pasi kam shkruar dhe librin Beteja e Unazës.

– Dëgjo çfarë të them – i tha Muli. – Dil e thuaj që shpallja e kandidaturës është shpifje e gazetave. Futja gazetës Tema.

– Dakord – i tha Balliu – por do zhgënjehen shumë njerëz. Do më thonë: “Ti nuk u trembe nga policia e Edi Ramës dhe trembesh nga Muli.”

– Nuk dua debate për këtë punë – i tha. – Nëse nuk tërhiqesh ti, nuk tërhiqet as Adriana. Nëse nuk tërhiqet as Adriana, nuk tërhiqet as Kujtim Gjuzi. Nëse nuk tërhiqet as Kujtim Gjuzi, kot të hyjmë në garë pastaj se na ndahet elektorati në tre pjesë. Kurse Edi Rama ka vetëm një kandidate.

– Dakord, unë për partinë e bëj dhe tërheqjen – tha Balliu – por sapo kisha çelur dhe këtë fondin e solidaritetit për fushatë. Pastaj kë do gjeni ju më luftarak se unë?

– Ndoshta nuk gjejmë askënd – i tha Muli – se nuk do hyjmë në një palë zgjedhje ku fitorja është vulosur. Ata duhet të tërheqin Ballukun, ne tërheqim Adrianën. Ndryshe nuk ka zgjedhje.

– Po sikur mos të pranojnë?

– Si të duan. Ne nuk hyjmë në zgjedhje, dhe ata nuk kanë si të na mundin po nuk hymë.

– Ke të drejtë – i tha Balliu. – Nuk më kishte shkuar mendja që nuk na quhet humbje po nuk hymë.

Lini një Përgjigje