Pas shtimit të zërave që kërkojnë debat brenda PD për rezultatin e zgjedhjeve dhe reformimin e saj, Muli thirri Lelon për të diskutuar mbi kriteret që duhet të plotësojnë njerëzit që kërkojnë reformë në PD.
"Na duhet të vendosim kritere të qarta se po flasin të bardhë e të zinj," tha Muli. "Nuk mund ta lëmë PD në dorë të njerëzve që thonë çfarë u vjen në mendje. Duhet të caktojmë disa kritere."
"Çfarë kriteresh?" – tha Lelo. "Lidhur me karrierën, kontributin a çfarë?"
"Duhet të jenë të shumanshme," tha Muli, "dhe qëllimi i tyre është që nuk duhet të flasin ata që nuk mendojnë si Doktori. Për këtë duhet të vendosim kriteret."
Duhet të formulojmë një rregullore ku të shkruhet: Debati për reformimin e PD është i domosdoshëm dhe duhet të kryhet nga ata njerëz që plotësojnë standardet politike të këtij debati:
1. Të kenë dënuar ashpër dhe pa kompromis vjedhjen e votave më 11 maj nga Ramaduro.
2. Të ketë dalë mbi 5 herë në debate televizive ku të ketë dëshmuar me prova dhe fakte që zgjedhjet janë vjedhur.
3. Të ketë kontribut publik kundër të gjithë atyre që thonë pse nuk i ruajtëm votat, pasi tipa të tillë janë shërbyes të Ramaduros.
4. Të jenë të fokusuar tek ideja që në Shqipëri nuk ka më zgjedhje të lira, do vidhen dhe ato që vijnë, ndaj duhet qeveri teknike.
5. Të ketë denoncuar partitë e reja si vegla dhe leva të Ramaduros.
6. Të ketë pranuar publikisht se PD i janë vjedhur 32 mandate se po t’i kishte ato do ishte fituese.
7. Të ketë kontribut konkret në njësinë e tij ku militon, për të denoncuar raste të vjedhjes së votave apo blerjeve nga pushteti.
8. T’i ketë bërë like shkrimit të Gimit të Puros tek komentet e blogut në Fox News, që e quan Edi Ramën “Ramaduro”, frymëzuar nga Çim Peka.
9. Të jetë luftëtar anti-SPAK dhe të ketë bërë betejë publike kundër Altin Dumanit.
10. Të ketë një vizion të qartë se vetëm shembja e Reformës në Drejtësi do të kthejë shtetin ligjor.
"Pasi njerëzit t’i plotësojnë këto standarde pastaj duhet biseduar," tha Muli. "Të tjerët që nuk i kanë dhënë këto prova nuk kanë pse diskutojnë në PD. Le të shkojnë të bisedojnë në PS."
"Dakord jam," tha Lelo. "Për këtë gjë ke të drejtë. Kështu nuk ka as konfuzion dhe jemi të qartë se çfarë do diskutojmë."
flamur noka. eshte per ne burk