
Ai nuk ishte nga ata burra që kapërcente lumin dhe mbytej në përrua. Mbi 78 vite kështu ! Personalisht e njoha nga afër në fundvitet ’70 të shekullit që shkoi.
Qysh në takimin e parë me Ramon në Këlcyrë, krijova një përshtypje gati adhuruese për atë burrë shtatlartë, me një kasketë të thjeshtë në kokë, fjalëkursyer e babaxhan, por edhe i sertë sidomos përballë ndonjë të paudhi mashtrues, i dhembshur përballë cdo hallexhiu nëpër 16 fshatrat e kooperativës . Se “komandanti Rrapo” nuk gënjente kurrë. Vazhdimisht tregonte pluset e punëve, por nuk harronte asnjëherë edhe minuset. Fillimisht habitesha vetiu, ndryshe nga disa në rreth që kërkonin të fshiheshin pas gishtit për t’iu shpëtuar kritikave publike në shtyp. Sinqeriteti i tij do e “carmatoste” cdo gazetar !
Në rastin konkret, po të përdorja minuset që më rrëfente ai, me siguri do të binin edhe rrufe e vetëtima nga majat e kupolave partiake e pushtetore, lokale e qendrore. E gjykoja si abuzim të pakëndshëm, skuthëri e keqdashje provinciale, në mos pabesi nga ana ime. Në fund të fundit, mbi kë do binin “rrufetë” ? Patjetër mbi njeriun e ndershëm e tepër transparent ?! Aq më tepër që zbulimi i minuseve nuk ishte plotësisht meritë e gazetarit, por e vetë Kryetarit që populli i 16 fshatrave e zgjodhi për 25 vjet me radhë ! Nuk kam dëgjuar shembull të dytë si ky.
Vonë, shumë vonë mësova se Ramo Ismaili dikur kishte provuar për një vit qelitë e ftohta të burgut për “shpërdorim detyre”. Dhe shumë shpejt fitoi pafajësinë. Ai vetë nuk më foli kurrë për këtë plagë jo të vogël shpirtërore, morale, fizike e sociale. Sytë e tij kurdoherë të shndritshëm, të paqtë e plot shkumë optimiste si ujërat e Vjosës në pranverë, serioziteti e korrektësia e mirënjohur në punë dhe me njerëzinë, shikimi vetëm përpara e kurrë syunjur për të nesërmen, të ndillnin besim e respekt real, larg cdo hipokrizie. Gjërat i thoshte acik e pa bërthama nëpër gojë, ballë për ballë, shtruar e pa pikë servilizmi. Sepse Ramua nuk u rrit në djepin e paaftësisë. Kush ka vajtur në shtëpinë e tij, e ka parë mungesën e luksit dhe të jetesës mbi të tjerët si bejlerë e agallarë. Falë edhe bashkëshortes së tij të shtrenjtë Refie, të shtatë fëmijët (Afërdita, Ismaili, Yllka, Fatosi, Lika, Marjeta e Lida), u rritën pa favore e privilegje…
Ramo Ismalili i mbante larg ata që në mëngjes betoheshin për të vërtetën dhe në darkë putheshin me gënjeshtrën!
Zilia, smira e ligësia ngrinin krye te “borizanët” e vigjilencës partiake e “revolucionare” : Një letër synimzezë ra si rrufe në qiellin e hapur,-më tregon Nurua, kolegu i tij funksionar.-Akuzohej se kishte dezertuar nga radhët partizane dhe nuk qe rrëfyer ende para partisë !...Por bashkëluftëtarët ishin gjallë. Bëhej fjalë për Operacionin Nazist të Qershorit, 1944.
Menjëherë pas Kongresit Historik të Përmetit . Duhej mbrojtur Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalclirimtare, në Odrican. Mitralieri Ramo ishte përballë Tremishtit. Papritur, pulpa e këmbës së majtë po i derdhte currega gjaku. U plagosën edhe dy shokë nga toga e tij. Ra në kllapi. Dhe thërriste vetëm emrin e nënë Nasibesë që kishte mbi 10 vite pa ia parë dritën e syrit, që kur qe martuar në kato anë pas vdekjes së të jatit ! Dramë më vete…
Në agun e mëngjezit, dy cobanë i gjetën dhe i morën për mjekim e ushqim në shtëpitë e tyre në Tremisht(vendlindja e trimit Hajredin, që kryetrimi Cerciz Topulli e qau me lotë të nxehtë). Mirëpo cuditërisht, një nga gratë që u shërbente, doli se ishte nëna e Ramos ! Caste rrënqethëse. Qëndruan 3-4 ditë atje, plagëhapur. Por kur ish bërë apeli pranë fshatit Kutal, në Batalionin e katërt mungonin 3 partizanë. Aty për aty, disa kujtuan se janë vrarë ! Letërshkruesi, pas shumë vitesh, kësaj lloj “mungese” i veshi poshtërsisht emërtimin tronditës “dezertim”. Dhe harroi që mashtrimi shpesh niset me kalë, por kthehet me këmbë e me shpirt në dhëmbë…
Zemrën e njeriut e plagos edhe gjuha.
Si nuk dëgjova një fjalë të keqe për atë burrë 24 karat ! I kishte zët ata që zvarriteshin sipas thënies së mencur : Mbjell Zalua e korr Malua ! Secilit djersën dhe hakun e vet.
Blloqet e shënimeve që nga viti 1954 gjer në 1984 kur do dilte në pension, I dorëzoi në Arkivin e Kooperativës. Po t’i shfletosh sot(nëse janë gjallë), dallon menjëherë përdorimin e dy lloj lapsave me ngjyra : një i kuq dhe një blu. Me të parin shënonte hallet personale e familjare të fshatarëve të ndryshëm dhe me të dytin problemet në bujqësi, blektori, frutikulturë, arsim, shëndetësi etj. Se ai nuk korrte asnjëherë mbi kallinj!
Gati cdo pasdite ecte me këmbë dhe ndalonte hapat te një kovaçanë në hyrje të Këlcyrës. Atje rrihej hekuri e celiku, atje kovaci mjeshtër Luko Qafa mbante në gatishmëri mjetet e mekanikës bujqësore. Pa mendjen, krahët dhe shpatullat e tij, disa mjete do të stoponin punimet e stinëve. “Komandanti Rrapo” ma prezantoi herët, e donte, e dëgjonte dhe e vlerësonte shumë. Prandaj shkonte shpesh te ajo kockë e punëtorisë së vërtetë, pa qibër e pa salltanete. Mbështetja te njerëzit e punës së pastër e krijuese “e kish nxjerrë në selamet”. Po kështu me specialistët e lartë, shumica e tyre kaluan klasat me “nota” të mira në “shkollën e Ramos” dhe ngjitën shkallët e karrierës me djersë e zotësi. Këta janë të gjithë gjallë. Vetëm kovaci Luko ka mbyllur sytë përgjithmonë, bashkë me Ramo Ismailin e dashur. Nuk u ndanë kurrë edhe në pension. Njëri mban titullin e lartë “Qytetar Nderi” dhe 160 vargjet e ngrohta të Gëzim Vodës për ish partizanin dëshnicar që punës i thoshte punë, ndershmërisë i thosh hapur e saktë ndershmëri dhe pabesinë e ligësinë i pagëzonte me emrin e vërtetë. Tjetri është përjetësuar te një rruge me emrin e kovacit Luko Qafa . Por…edhe te një poezi e bukur e poetit Lumo Kolleshi ! (Nuk besoj të gjendet një shembull i dytë kaq domethënës në Shqipëri e më tej).
Se këlcyriotët dinë kë zgjedhin e përzgjedhin me mencuri, zgjuarsi e dinjitet, pa shikuar vetëm gunën dhe karriget që vijnë e shkojnë në këtë botë të trazuar. Përshembull, ashtu sic kanë zgjedhur e votuar Klementin, djalin e mikut tim Peco Ndoni që edhe i moshuar punon ende për prodhimin sa më cilësor të bulmetrave. Njeriu i punës i heq kapelen njeriut punëdashës e fjalëpaktë. Kujtoj fjalët e kovacit të papërsëritshëm Luko :”-Po e more zanatin me frikë, s’trois dot asnjë thikë !”. Dhe farka e tij nuk ishte në uzinë, por një punishte fare e thjeshtë ku ripërtëriheshin plugje e kazma, pjesë të makinave mbjellëse e korrëse etj. Sa qe gjallë ustai i vecantë, rrahjet e kudhrës së celiktë nuk pushuan kurrë, kudhër që e cmonin realisht të gjithë…
Të mocmit e mencur e përkufizonin thjesht e shkurt: Burrin e mirë e bën puna!
Shkrim i mrekullueshëm. Kristuan është gazetar i madh, se është i vërtetë, i saktë dhe shkrimtar i talentuar!
E kam njohur nga afer kryetar Ramon,meriton shume me shume nga cfare keni shkruar i nderuar gazetar.Respekte pa fund per te.
Figura te nderuara qe me idealizmin e tyre mbeten ne kujtesen e njerzve. Ramo Ismaili i tille ishte ashtu si dhe ai kovaci i thjeshte qe bravo bashkia e ka perjetuar duke i vene emrin nje rruge. Te lumt gazetar qe kujtone per njerzit e thjeshte e te mire qe kane lene gjurme te pashlyshme.
Rrespekte!
Ki gazetari ka ndonjë fjalë për të thënë për bustin e Micotaqis Plakut që do të ngrihet në Dropull... Gje e pa parë e dëgjuar nëpër botë...
Kristo te lumte mendja dhe dora per kete shkrim te embel, realist dhe te merituar ndaj nje njeriu me shume virtyte te mira sı Ramo Ismaili. Por due fjalet per Limo Qafen, hekurpunuesin duararte te Kelcyres. Je i kendshem miki im.
I kam njohur personalisht te dy keta Burra punetor dhe te pa lodhur .Vertet kane dhene shume sicili ne punen e vet si rrallekush tjeter.Por nje falenderim per komunitetin e Kelcyres qe i ka vleresuar per vlerat dhe kontributin e tyre me titujt qe u ka akorduar .Nje falenderim dhe per Z. Mertiri qe ka bere nje shkrim brilant per ta . Faleminderit KRISTO.
Faleminderit z. Mertiri për këtë shkrim Me rrespekt nipi i Ramo Ismailit
Respekte e mirënjohje për njerëzit e punës. Shumë Faleminderit gazetarit që nuk i harron këta heronj të vërtetë që kanë lënë gjurmë me veprimet dhe punën e tyre tek njerëzit. Mirënjohje...
O, te fleminderit o Kristo , sepse me solle ne kujtese Ramon , ate lisin e gjate, ate zotni Burre, per te cilin edhe une kam kujtimet e mija shume mbresëlënëse…Nuk e mbaj mend kovacin, por e mbaj ne kujtese , si kovaci i Kelcyres me nam! Me këtë shkrim , ju ke ngritur nga nje Lapidar…, veç vlerësimit që i ka bërë qyteti me perfaqesuesit e tij, ne na mbetet te vendosim nga nje lule ne shënjë respekti e nderimi . Te lumte mendja e dora per kete shkrim, e sidomos per zbukurimin me ato shprehje te asaj nahije , te cilat regjistrohen e shperndahen nga dora jote pa kursim ! Te perqafoj.
Të lumte dora o mendje e zemer qelibar. Stolisja dhe kostumi i artë me të cilin ti vesh njeriun e thjeshte popullor, fjalepak dhe të drejt, Ramo Ismaili dhe duarartin Luko Qafa, kovaç e mekanik i per kushtuar, është jo vetëm mjeshteri e penës veterane, po mbi të gjitha e asaj bote të madhe që ju karakterizon i nderuar Kristo. Këtë e pasqyron shkrimi juaj dhe e vulosin komentet e njerezve me vlerë që i kanë njohur këta heronj të heshtur në kohen e vet dhe shkruajne me respekt per ta. Prandaj, urime e faqebardhe si përherë i nderuar dekan i gazetarisë reale e të vertet. GEZUAR KRISHTLINDJET DHE VITIN E RI I NDERUAR.
Sa e kishin ditën e punës në kooperative... Thuaje një llaf, o gazetar
Po një shkrim për Ali bej Kelcyren, o zoti gazetar, që coi me studime jashtë shtetit sa e sa permetare nga të dy besimet... Nejse, ju falet, e keni mendjen tek kampet e perqendrimit me emrin kooperative... Por ai popull do të zgjohet një ditë dhe do t'i ngreje shtatore Ali bej Kelcyres....
Qe jeni gazetar i ndershem, e tregoni kur Partine Demokratike e quani parti të djathte...
Po, kishte njerez te ndershem ne ate kohe. Por koperativa, qe ti mbete duke rene ne nostalgji, ishte burgu i felliqur per te fituar ate buke misri. Ate brum keni, per ato kohra shkruani.
o tosku. Kooperativa plugonte , mbillte e korrte me mekanike bujqesore cdo cep. Ti e quan burg. Puna jote. Sot punohet me krah e plugohet me gomar. Pjesa me e madhe eshte djerre. Te rrofte brumi.