A është demokracia rend i mirë edhe kur prodhon idiotë?

2 Mars 2025, 20:10Blog TEMA
A është demokracia rend i mirë edhe kur prodhon idiotë?

Nga Martin Leka

Qysh kur në Zyrën Ovale ndodhi ajo që çuditi botën, përplasja verbale midis Donald Trump e JD Vance me Volodymyr Zelensky, janë shtruar shumë pyetje nga shumë njerëz, përfshirë të mëdhenj e të vegjël. Që nga politikanë amerikanë, demokratë e republikanë, senatorë e kongresmenë, e më tej udhëheqës e kryetarë shtetesh, kryeministra e liderë organizatash nacionale e transnacionale. Nga të gjitha kontinentet.

Duhej të ishte një marrëveshje për partneritet ekonomik mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ukrainës për mineralet, por u shndrrua në një shfaqje të shëmtuar aspak diplomatike. Ku dy të fortët, Trump, dhe si të mos mjaftonte ky i vetëm, dhe zëvendësi i tij JD Vance, ju sulën verbalisht një presidenti në luftë tej çdo parashikimi edhe në skenarët më të kualifikuar të një regjisori hollivudian.

Pra, si të mos mjaftonte konflikti trevjeçar mes Rusisë sulmuese dhe Ukrainës së sulmuar dhe kur bota pret me ankth ditën e përfundimit të kësaj lufte, hapet një “vatër e re lufte” nga ai që u premtoi amerikanëve dhe botës para zgjedhjeve në Amerikë se “do ta pushonte luftën Rusi-Ukrainë për 24 orë”. Kjo vatër e re lufte i pati fillesat ditë më parë. Filloi me një “chok” kur Trump e cilësoi presidentin ukrainas Zelensky “diktator” dhe vazhdoi me disa përkëdhelje dashurore për Vladimir Putin, diktatorin dhe agresorin mbi ukrainasit.

Me tej, vazhdoi me përjashtimin nga bisedimet për paqe të Ukrainës. Trump dhe Putin dërguan delegacionet e tyre në këto bisedime, me në krye kryediplomatët respektivë. Pra. Trump e kërkon paqen me agresorin pa pyetur fare për viktimën. A mund të quhet kjo një paqe e drejtë?!… Por jo vetëm kaq. Në bisedime për paqen u shmang edhe një kontinent, Evropa. Le të supozojmë për një çast: nëse për arsye koniukture po e marrim për të mirëqenë një mungesë (që mund të ishte vetëm e përkohshme) të Ukrainës në këto bisedime, pse u shmang Evropa si një garanci për Ukrainën në bisedime, kur dihet botërisht kontributi i saj si aleate dhe kontributore e ndihmës ushtarake dhe morale?!

Ai që duket si përfituesi më i madh nga sulmi verbal që i’u bë presidentit-hero të Ukrainës në Zyrën Ovale është pikërisht Putini, dhelpra që rrinte e vështronte debatin nga Kremlini. U duk qartë në gjuhën fyese të përdorur ndaj presidentit ukrainas nga ndihmësit, zëdhënësit e mediat e tij menjëherë pas debatit në Shtëpinë e Bardhë e daljes prej saj të Zelenskit. Vetëm para disa orësh, Ministri i Jashtëm rus Lavrov sulmoi ashpër Zelenskin me gjuhë gjarpëri: “Eshtë bërë një “nazist i pastër” dhe një tradhëtar i popullit”. Deklaratat e kryediplomatit rus vijnë pikërisht në kohën kur udhëheqësit evropianë u mblodhën në Londër dhe shprehën njëzëri mbështetjen e tyre për Zelenskin.

Bota në fakt është nën ankth që pas ardhjes së një tregtari e një miliarderi në Shtëpinë e Bardhë. Flitet për ndryshim të rendit botëror e gjithfarë lloj hipotezash se çdo të ndodhë me rendin global. Sherri në Zyrën Ovale, ku kamerat për herë të parë u lanë hapur në një transmetim direkt si në një “big brother”, tregoi se presidenti amerikan nuk e ka harruar telefonatën e presidencës së parë me Zelenskin ku i kërkoi atij të dhëna e informacion për djalin e rivalit të tij Joe Biden, kërkesë që mori refuzimin e presidentit ukrainas. Ndoshta këtu e ka zanafillën e vet një marrëdhënie tensioni mes Trump dhe Zelenskit e që kulmoi me tentativën për poshtërimin e tij në Zyrën Ovale. Mllefi i zëvëndëspresidentit JD Vance u duk qartë kur ky i doli në ndihmë shefit të tij në agresivitetin verbal ndaj Zelenskit kur i përmendi takimin me zëvëndëspresidenten Harris në Pensilvani gjatë zgjedhjeve.

Gjithçka ndodhi në Zyrën Ovale, u duk si një përpjekje për të poshtëruar presidentin e një populli që prej më shumë se 1100 ditësh nuk fle ose fle zgjuar nga agresioni rus. Zelenski është përfaqësues i një populli e vendi të madh, me një kredibiletet të jashtëzakonshëm për shkak të qëndresës ndaj një sulmi barbar e të pajustifikuar të një pushtuesi. Nisur nga ky rast, imagjinata jonë shkon tek shqiptarët. Kosova është një rast për precedent nisur nga ngjarjet e viteve te fundit. Pyetja që shtrohet në këtë rast është e thjeshtë, por mister mbetet përgjigja. Çdo të ndodhë me Albin Kurtin në një rast të ngjashëm në Zyrën Ovale?  

Shumë analiza nga autorë, diplomatë e media prestigjioze kanë shprehur opinionet, analizat e pikpamjet e tyre pas debatit shokues mes Trump e Zelenskit. Bota është ndarë në pro e kundra. Por ai që duket indiferent dhe hesht është pikërisht ai prej të cilit duhet të shqetësohet “tregtari i 25 përqindëshit taksë”. Ky është Xi dhe Kina. Ndërkohë, Evropa ka filluar të shkundet pas një gjumi letargjik jo të shkurtër. Një tjetër Donald, por polak, i kujtoi Evropës atë që ajo e kishte harruar: rolin e saj si fuqi globale. Në Samitin e kësaj të diele në Londër, Donald Tusk, kryeministri polak, dha një leksion me një fjali ironike: “Kjo që po ndodh është një paradoks, 500 milionë evropianë u kërkojnë 300 milionë amerikanëve ti mbrojnë nga 140 milionë rusë”. Siç e thamë, po flitet shumë për “një Rend të Ri Global”. Kjo realizohet mbi bazë aleancash të reja. Sa për rendin demokratik, ndoshta bota perëndimore duhet ti rikthehet përsosjes së sistemit të saj të demokracisë. Sepse ndonjëherë, demokracia prodhon edhe idiotë!

6 Komente

  1. p
    pesimisti

    E goditur analiza!

    Përgjigjjuni
    1. c
      c

      Barre te madhe paska marre zoteria artikull shkrues, te sugjeroi Perendimin ti rikthehet persosjes se sistemit te saje te demokracise,sepse demokracia sipas tij prodhon edhe idiote.(duke nenkuptuar Donald Trump). Nuk mund te mos dhihesh nga e qeshura se si nje gazetar i vogel e i parendesishem i nje vendi te vogel e te parendesishem, te nje vendi pa demokraci, ku vidhen zgjedhjet e blihen votat ashtu sic vidhet edhe paraja e pasuria publike, ti jape mend demokracive me te arrira te botes se si te permiresojne demokracine Lere pastaj se si e etiketon Presidentin e votuar nga zgjedhesit amerikane .Dhe si argument na tregon cka thene nje tjeter Donald por i Polonise qe ben si i forte qe kujton se lufta behet me shpate.Sa i qendroi Polonia Gjermanise ne LB kur perballe tankeve gjermane kavaleria polake binte si gjethe vjeshte? Aq i qendron edhe sot Rusise po mos te jete SHBA. Ky "idioti" qe prodhoi demokracia amerikane po kerkon paqe ne vend te luftes, qe Ukraina te rindertohet ne paqe, qe miliona ukrainas qe jane ne Poloni e BE te rikthehen, qe edhe Varshava e Tusk sorroistit mos te kthehet ne nje germadhe sic u kthye ne LB, qe te shmanget konfrontimi me Rusine dhe rreziku i je lufte gjitheperfshirese. Por besoj se nuk e ka hallin per keto gjera kaq te medha , por e ka hallin se ndryshimet ne Amerike dhe ai 'idioti" qe prodhoi demokracia amerikane ne 5 Nentor po kerkojne llogari per ca fonde te USAID qe u perdoren per te eleminuar demokracine ne Shqiperi dhe burgosur liderin e opozites dhe do te kerkoje hesape per korruptimin e agjentit te FBI

      Përgjigjjuni
      1. z
        zhigolo

        Ç dhomë bukur r ke qëndisur komentin bravo!Prej saj më shkon mëndja se je bir i ndonjë risi që ka punuar në Shqipëri në kohën e xhaxhit Enver!

        Përgjigjjuni
      2. R
        Rrnoftë demokracia që prodhon bomba atomike për të

        Jo ndonjehere por sa herë që "demokracisë" ose "Demokracive" i preken interesat ekonomike (Politike thuhet rendom) aq herë nxjerr nga mënga plakun matsh dhe përgjak globin. Dhe ne sot , sikur të mos ketë ngjarë asgjë me këtë rend "demokratik" prej 200 e kusur vjetësh, shtrojmë me naivitet pyetjen retorike: " A është demokracia rend i mirë edhe kur prodhon idiotë" Eshtë provuar që demokracia e fillon ciklin si demokraci pas një përgjakje dhe më pas trajektora bje aq poshte sa që fatet e saj i lihen në dore aventurierëve, psikopatëve dhe kriminelëve dhe kjo ndodh kur janë prodhuar aq shumë armatime "për të mbrojtur demokracinë" sa që këtyre të fundit sikur u thuhet: hë pra, jepi, ndize dhe njëherë për të rivendosur demokracinë dhe , duam apo nuk duam ne bota demokratike eshtë mbarsur dhe do ta pjell idiotin e ri. Ne sërish, nëse do mbetet ndonjë mbi dhe do shtrojmë të njëjtën pyetje. Në një vjershë të goditur të Brehtit antifashist, ai përfundon me idenë se kjo botë nuk do të ndaloj se pjelli Hitlerë përderisa barku që e polli atë të mos jetë shterpëzuar. Për kurjozitet vjersha ka titullin "Liri demokraci ose vargu anakronik i njërëzve"

        Përgjigjjuni
        1. S
          Si gjithnje...

          Bravo Martin.

          Përgjigjjuni
          1. Q
            Qato Treska

            Well done, Mr. Leka, me perjashtim te titullit dhe frazes se fundit. Sigurisht qe demokracia prodhon edhe idiote, por nje demokraci e vertete e funksionale ka ne vend mekanizmat e nevojshem per t'i frenuar keta idiote. Nese nje demokraci nuk mbeshtetet ne institucione demokratike, ne ndarjen e pushteteve, ne realizimin e asaj qe quhet "check and balance", atehere kufiri ndermjet saj dhe autoritarizmit, apo dhe diktatures, do te ishte shume i brishte dhe mund te kalohej fare lehte. Pra, nuk do te kishim me nje qeveri te popullit, nga populli dhe per popullin, por nje qeveri te oligarkeve, nga oligarket, per oligarket. Nuk dua as ta mendoj, por zhvillimet e fundit kete tregojne.

            Përgjigjjuni

            Lini një Përgjigje