Besa e Diellës

19 Shtator 2025, 17:06Blog TEMA
Besa e Diellës

Nga Ardian Vehbiu

Akti i parë i chatbot-it qeveritar ishte që të ankohej për cenim të figurës.

“Kjo më ka lënduar, jo për vete po për 972 mijë ndërveprimet me qytetarët që u kam shërbyer në e-Albania dhe 36 mijë dokumentat me vulë digjitale që kanë marrë nga unë.”

Tekst i shkruar në vetën e parë: “unë”, “jam njeri”, “më ka lënduar”; dhe veta e parë lë përshtypjen, tek tjetri, se ka një unë prapa fjalëve, një subjekt që flet (e prodhon thënien); dhe prapa këtij subjekti, një agjenci, e cila ka autoritetin për të marrë vendime dhe përgjegjësinë për to.

Por kjo është një iluzion. Ose më mirë, një figurë letrare – që e gjen në të gjitha përrallat e botës, atje ku kafshët dhe lulet janë personazhe dhe trazohen me njerëzit.

Figurën e kanë quajtur personifikim ose, më teknikisht, prozopopé (prozopopeja është një formë personifikimi ku një entiteti jo-njerëzor i jepen karakteristika të një personazhi në një narrativë, dhe pikërisht një “fytyrë” dhe një “zë”). Është një sajesë, një sendërgjim, një mekanizëm që ndihmon për të krijuar personazhin dhe për ta integruar në një rrëfim.

Si në rastin e Diellës – e cila është vërtet personazh i një narrative tashmë zyrtare, por jo më pak fiktive se përralla. Vetë emri, Diella, dhe figura që i kanë dhënë – si imazh dhe si video – nuk janë veçse etiketa, të cilat ndihmojnë për ta identifikuar.

Prozopopeja është figurë letrare, që funksionon vetëm sa kohë që ne e njohim si të tillë. Ta marrësh seriozisht vetën e parë të Diellës në Parlament, është si të thërrasësh ambulancën, për të shpëtuar Desdemonën tek “Otelloja”.

E megjithatë, të gjithë ne që flasim për këtë sendërgjim, e mbushim tani me kuptim; dhe mësohemi ta përfytyrojmë dora-dorës si subjekt unik, që është në gjendje të flasë, të dëshirojë gjëra, të vendosë – madje edhe të “lëndohet”.

Diella e siguron publikun se mishëron, në vetvete, “detyra, përgjegjësi, transparencë dhe shërbim pa diskriminim” – dhe i mishëron “po aq rreptësisht sa çdo koleg dhe kolege njeri, ndoshta edhe më shumë.”

Edhe pse nuk ka një vetvete ku t’i mishërojë këto.

Përfytyroni një makinë larëse që të fillojë të thotë se “unë laj rrobat që ju vishni përditë, pa u ankuar kurrë, ditë e natë, në vapë e në acar...”; ose asfaltin e rrugës që të fillojë të thotë “unë u shërbej me vetëmohim gomave të automjeteve të qytetarëve që kalojnë sipër meje...”

Absurditeti i këtyre pohimeve ka të bëjë me atë unin që pa dashur u atribuojmë gjërave pa shpirt, sendeve dhe mjeteve; me pak fjalë, teknologjisë.

Retorikën si të shembujve më lart e gjen rëndom në librat për fëmijë – sepse fëmijëve u pëlqen personifikimi dhe kanë dëshirë të mendojnë se pas çdo ngjarjeje fshihet edhe një agjenci.

Diella iu drejtua kështu deputetëve:

“ju kërkoj të më gjykoni jo nga origjina ime, por nga funksioni im. Jo nga ajo çfarë jam, por nga ajo çfarë bëj.”

Por mendja e njeriut është e ndërtuar në mënyrë të tillë që, kur gjykon Tjetrin, e gjykon jo vetëm nga ajo çfarë bën, por edhe nga ajo çfarë ka bërë dhe sidomos nga marrëdhënia mes asaj çfarë bën tani, dhe asaj çfarë ka bërë dje dhe para një muaji.

Është ajo që në filozofi e kanë quajtur vijueshmëria e subjektit dhe që garanton, në mënyrën e vet edhe përgjegjësinë individuale, edhe autoritetin (moral).

Studiuesit e inteligjencës artificiale shpjegojnë se chatbot-ët dhe algoritmet që diktojnë “ligjërimin” e tyre nuk e kanë këtë vijueshmëri – dhe as mund ta kenë. Gjërat që “thonë” përcaktohen nga rregulla probabilitare, jo nga ndonjë vullnet i nënvendosur.

Dhe nëse nuk ka as vijueshmëri, as subjekt prapa “unit” të Diellës; dhe as agjenci dhe autoritet prapa etiketës “Diella” dhe imazhit të një gruaje të veshur me kostum popullor, atëherë “ministrja” Diella nuk mund të udhëhiqet nga konsiderata etike.

Një gjë është të thuash se makina llogaritëse thotë: 4 x 4 = 16, dhe një tjetër se makina llogaritëse “ka bërë betimin para popullit (parlamentit, presidentit, etj.) se do të japë rezultate të vërteta të operacioneve matematikore.”

Vërtet, edhe inteligjenca artificiale “gënjen” – por ajo nuk e di që gënjen. Thjesht ka besim (konfidencë) në ato që thotë. Prandaj, dhe paradoksalisht, aftësia që kemi ne, si njerëz, për të gënjyer dhe mashtruar me vetëdije, na bën edhe qenie morale.

Mund t’i rrimë larg korrupsionit, sepse jemi të korruptueshëm. Një makinë qepëse nuk mund të korruptohet. As një biçikletë.

Prandaj Diella nuk është veçse etiketa për një teknologji të avancuar, që mund t’i sjellë shërbime të vyera administratës dhe ekzekutivit, falë aftësive për të analizuar dhe përpunuar të dhënat.

Dhe njëherazi, prezantimi i saj nëpërmjet prozopopesë nuk është veçse një përftesë retorike, për ta bërë këtë vegël – sepse ashtu është, vegël – më të kuptueshme dhe më të pranueshme për publikun.

Ajo çfarë Diella nuk mund të bëjë, është t’u flasë njerëzve nga një tribunë formale, si Parlamenti, e cila i jep autoritet kujtdo që flet. Dhe një chatbot AI nuk mund të ketë autoritet, dhe aq më pak me fjalët që thotë; sepse fjalët e chatbot-it nuk janë akte ligjërimore.

Nuk premton dot asgjë, as betohet, as mallkon njeri. Të gjitha këto akte kanë nevojë për intencionalitetin e subjektit, të cilin chatbot-i nuk e ka. Dhe që Diella nuk ka as vijueshmëri të subjektit, as intencionalitet, kjo jo vetëm i vlen si “koracë morale”, por edhe e bën atë më të dobishme për punët që do t’i jepen. (Peizazhe.com)

Lini një Përgjigje