
Nga Ben Andoni
Po faktet! Cila është e vërteta? Cili ka të drejtë? Këto janë pyetje, që shpesh i bëjnë në dilema shqiptarët, gjendur para akrobacive dhe veprimeve shpesh të kamufluara të pushtetit të tyre demokratik, që jo pak herë ka qenë i padrejtë me ta. Me sa duket, shqiptari i thjeshtë i bën këto pyetje ngaqë është dorëzuar mes një turme, që nuk reagon. Nuk kontrollojmë më për faktet, ashtu si sot, protagonistë e vërtetë të 8 Dhjetorit duhet të habiten me të drejtë për rrjedhën ku shkoi demokracia jonë. Së fundmi, “8 Dhjetori” u mor nga PD-ja për të ngritur një narrativë, që tashmë nga ana institucionale i jep “një të drejtë” dhe identifikon fillesat e saj, por kurrsesi monopolin për të. Në një nga sythet e librit të tij “Mbi tiraninë”, Timothy Snyder shprehet se: “Është aftësia juaj për të dalluar faktet që ju bën Ju një individ dhe është besimi ynë i përbashkët në diturinë e përgjithshme që na bën ne shoqëri”. Këtu nis dhe abstragimi tij interesant, që do të thotë se: individi që investigon dhe kërkon duhet vlerësuar sepse është një shtetas, ndaj lideri përballë tij, që nuk e pëlqen ka premisa të rrëshqasë në padrejtësi.
Rëndom, sot, ne nuk pyesim më dhe nuk i drejtohemi më të shkuarës sonë. Sot, komunistët fanatikë, ata që e dërrmuan regjimin me ngurtësinë e tyre, sot janë shndërruar në demokratë të ashpër, që po prishin demokracinë e ëndërruar.
Dhe, ndodh, që para drejtësisë e cila shpalos faktet e saj, ose organizma, që kanë fuqi vëzhgimi shpallen vendime dhe tek ne relativizohen. E habitshme, sesi ende tek PD-ja besojnë për heqjen e non-gratës së Berishës, ashtu si tek PS-ja e kanë të kristalizuar sot, që Rama është i pazëvendësueshëm. E ka të pamundur kryeministri aktual, t’i thuhet se informaliteti dhe administrata e tij janë shkaktare të kësaj gjendje ku shqiptarët ikin dhe vetëm duan të ikin. Është “e vështirë” t’i shpjegohet fakti qeverisë aktuale, që vendi nuk mbahet me fushata, që janë një modul i dashur dhe i preferuar i qeverisë. Ndaj, presioni që bën me pagat dhe informalitetin ka sjellë pasojën e problematikave të tjera. “Bizneset në fakt i rritën pagat, por jo aq shumë nga ‘presioni’ i qeverisë, sesa nga shtrembërimet që u krijuan në tregun e punës, si rrjedhojë e ritmeve të larta të emigracionit. Kjo lëvizje, që erdhi e detyruar dhe e pashoqëruar me produktivitetin, ndikoi në uljen e konkurrueshmërisë së bizneseve, duke përkeqësuar treguesit e përfitueshmërisë”, shkruan Monitor (Dhjetor, 2024). Problem nuk mbetet përballja, por faktimi i informalitetit në këtë rast. “Përfaqësuesit e biznesit pohojnë se informaliteti në tregun e punës është i përhapur, për shkak të normës së lartë të tatimit mbi të ardhurat (TAP) si për pagat, sidomos ato të larta, ku nëndeklarimi është më i lartë. Tatimi për pagat mbi 200 mijë lekë është 23%, më i larti në rajon, që përgjithësisht ka një nivel të sheshtë prej 10% deri në 15%” (Dhjetor, 2024).
Në politikë, përndryshe, një narrativë e paqartë sundon sot ende për fillimet e lëvizjes demokratike. Është “turp” t’u thuash e kujtosh një pjese, që në krye të partive të tyre ishin dhe mbeten individë me lidhje të forta me komunizmin.
Më keq akoma, sot, komunizmi, është bërë një masë, e cila konceptohet materialisht dhe shërben thjesht për t’u zhvatur. Ndaj, bërtitja nëpër studio është imazhi i keq i një makthi, që qëndron si shpata e Demokleut mbi shqiptarët: A mjaftoi ndryshimi i sistemit apo është një makth i ri, i veshur me rroba kinse lirie? Pse nuk gjykohet më mbi faktet e prekshme?!
Tashmë, që de facto, kemi nisur fushatën zgjedhore dëgjojmë një gjuhë, që nuk ka asnjë princip etike, por nga ana tjetër dhuron një egërsi, që ka penetruar në të gjithë masën e shoqërisë. Berisha e ka shtuar në ditët e lirisë të sapofituar diskursin e ashpër, kurse deputetët e tij nuk e kanë për gjë që të godasin deri fizikisht Gardën por edhe policinë!!! Nga ana tjetër, te PS-ja, megjithëse më të kuruar, nuk u shpëton momenti, për t’u derdhur kundërshtarëve të tyre egërsi dhe ofendime. Rasti Braçe-Zhupa së fundmi dhe të tjerë para tij, tregojnë se përballja me të vërtetën deh faktin qenka shumë i vështirë në vendin tonë. Nëse socializmi dikur luante me shpresën e pamundur të ndërtimit të një ideali të madh, me anë të një propagande që kaloi çdo masë, kjo e sotmja, mbështetet mbi internetin dhe fate të paprovuara. Kurrë nuk ka pasur këtë dezinformim sa më këtë kohë, aqsa, shpesh është relativizuar gjithçka. Duhet të jetë i vërtetë shqetësimi i deputetit Braçe për dezinformimin, por tashmë ka nevojë që fakti të flasë mbi akuzat. Për fat të keq, kjo frymë sot është me një gjeografi të madhe në demokracinë bashkëkohore. Bota është gjithë sy e vesh për mandatin e dytë të Tramp dhe me shpresë të mos përsërisë atë denigrim të medias, që i dha zemër shumë të ngjashmëve si ai. Politologjia Hannah Arendt, që e vuante shumë këtë frymë të mungesës së të vërtetës në kohën e saj, kur flitej për Luftën e Vietnait do sillte një përcaktim më të drejtë për faktin dhe dezinformimin: “Nën rrethana normale gënjeshtari mposhtet nga realiteti, për të cilin nuk ka zëvendësues; nuk ka rëndësi sesa i gjatë është filli i falsitetit që një gënjeshtar me eksperiencë është në gjendje të ofrojë, ai kurrë nuk do të jetë i mjaftueshëm i gjatë për të mbuluar pafundësinë e faktualitetit edhe nëse merr ndihmë nga kompjuterët”.
Këtë duan shqiptarët e zakonshëm sot, që përballë të kenë faktin, ose të kenë mundësi të hulumtojmë vetë faktin. Me pak fjalë, le të kthehen vetë verifikues të fakteve dhe t’ia thonë në sy të vërtetën si ata pensionistët në studio z. Rama: Po ne paguajmë!; apo si ia thanë në sy Berishës në inkursionet e tij me “Foltoren”: Je plak, pse duhet të drejtohemi më nga ty...”. “Për shkak se në kohën e internetit ne të gjithë jemi botues, secili prej nesh ka disa përgjegjësi private për të kuptuarit publik të së vërtetës. Nëse ne jemi seriozë dhe kërkojmë fakte, secili prej nesh mund të bëjë një revolucion të vogël në mënyrën sesi interneti funksionon”, na thotë Snyder dhe shton dhe diçka interesante: “Nëse mund të shmangim ushtrimin e dhunës në mendjet e të tjerëve që nuk i shohim në internet, të tjerët do të mësojnë të bëjnë të njëjtën gjë”.
Në fakt ishte një njeri që pa shumë më tepër në këtë xhungël të së vërtetës. Orwell kuptoi se njeriu trembet nga e vërteta, nga ajo që i zbulohetm, ndaj dhe fjala e tij është e hidhur por me sa duket e drejtë për kohën tonë: “Nëse liria nënkupton diçka, do të thotë të drejtën për t’u thënë njerëzve atë që ata nuk duan të dëgjojnë”. E hidhur, por me sa duket tashmë ka habitatin e vet në Shqipëri. (Homo Albanicus)
Qenke thartuar shume me E.Ramen or Ben Andoni . Sic duket nuk te paska ne liste per deputet.
E vërteta është e vërtetë, pa pasur nevojë për ta parë a dëgjuar, është reale, as e lirë, e as e dëgjuar. Por kur këtë të vërtetën e shtembëron, ose e keqinterpretim, këtu ka një problem të madh, o Ben. Vetë e thua: cili ka të drejtë? Nëse e shtron kështu, e vërteta qënka subjektive. Askush nuk e zotëron objektivitetin e të drejtës, as vetë ju që shkruani dhe citoni autorë, që dhe ata nuk e kanë monopolin e të drejtës, por ju, për të argumentuar të drejtën e presupozuar tënde, i zgjedh ata sipas botkuptimit tënd, që edhe ky, është i kritikuesit pra, jo i paanshëm; se nuk ka të tillë në botë. Ka inferentë, por jo të paanshëm. 1. "Demokratët" e 8 dhjetorit, nuk kanë pse habiten sot, se iu futën një pune, që nuk e dinin se ku do të dilte, të imponuar nga rrethana historike dhe politike në vendin tonë. Psh: minatorët kërkonin të paguheshin sa minatorët në perëndim, të nxitur sigurisht nga ata që e dinin pse (se edhe brenda sistemit ekonomik perëndimor ishte e njëjta gjë, kur ne nuk ishim në nivelin e tyre). 2. "Komunistët fanatik" që janë shndërruar në "demokratë të ashpër" nuk ka. Ata "komunistë" të ashpër nuk kanë qenë kurrë komunistë, as idealistë (fanatikë, siç i cilësoni), por thjeshtë kriptointeresaxhinj të strukur në një parti (të tillë do të ishin edhe sikur të militonin në një parti tjetër "demokratike"), dhe atëhere, sikurse sot, me interes përfitimi personal. Mendimi se Komunistët janë diktatorë e të dhunshëm, kurse demokratët, konservatorët, etj janë demokratë të vërtetë dhe liberalë është i gabuar me qëllim; historia nuk na e vërteton këtë gjë. Kur preken interesat politike, të sistemit të palëve, kthehen në diktator të dyja palët. Ideologjikisht, komunizmi është sistemi më demokratik në të gjitha sistemet ekonomiko-shoqërore që ka kaluar njerëzimi: sistemi i barazisë shoqërore. Këtë e tregoi (me gjithëse i tradhëtuar pas mes shekullit të kaluar) lëshimi i pushtetit politik (sistemit), pa dhunë, prej tyre, kur bota mund të zhytej në një luftë botërore çfarosëse, nëse asnjëra palë nuk do të lëshonte. E lëshuan, jo se vendet e tyre ishin në krye të zhvillimit më parë dhe këta i kthyen pas, por se nuk arritën dot ti arrinin e kalonin vendet me sistem ndryshe, prej prapambetjes së tejskajshme të trashëguan. Etj. Pra konotacioni gazetaresk i përdorur në këto raste është vulgar dhe teorikisht i pa saktë. 3. Të thënë në sy të një realiteti është virtyt i njerëzve jo indiferentë, sidomos kur ka të bëjë me interesa personale, madje në sy mund të thuash edhe të vërteta që të tjerët s'i shohin se ato janë objektive, por kjo, nuk do të thotë se e kupton thelbin e saj; tregon psh vetëm shfaqjen. Është ndryshe të vësh dorën mbi plagë, e ndryshe ta shënosh atë; e pra, plaga nuk shërohet lehtë dhe ka nevojë për doktor, dora vendoset shpejt, nuk ka nevoj për të. 4. Jo çdo gjë që thuhet në literaturë është e vërtetë. E vërtetë do të qe, që citimin nga "Monitor" t'ja kishit nënshtruar një analize të vërtetë, nga një tjetër specislist i fushës, i shkruar jo nga një kontabilist. Jo të gjithë ekonomistët janë specialistë të fushës që citohet. Devijimi i tregut të punës vjen nga fiktiviteti i raportimit të aktivitetit të biznesit dhe jo nga faktorët e përmendur në citim. Largimi i fuqisë puntore ndodh, veç të tjerave, kryesisht, për shkak se, për punë të barabartë shpërblimi real nuk është i barabartë krahasimisht me Shqipërinë. Kurse për sa i takon tatimit të pagave mbi 20 mijë lekë, kjo është një e dhënë relative, që ka të bëjë me numrin e punonjësve me paga më të larta të tatueshme: sa në e lartë kjo e fundit, aq më i lartë treguesi në % i tatimit dhe nuk tregon ndonjë gjë për tu cituar në versionin llogjik të shkrimit; ndërsa për taksimin e sheshtë, kjo ka të bëjë me botkuptimin e forcës politike në pusĥtet; një taksim i rrafshtë favorizon në rrafshin e të punësuarve, përfshi dhe të vetpunësuarit (privat), atë më të mirpaguarin dhe me të ardhura të raportuara disa miljonëshe të llogaritur si pagë. 5. Sa i takon "kacafytjes" verbale, ballas apo mediatike, kjo është normale, ky stan, këtë bulmet ka, o Beni, propagandë, shpifje, aludime, denoncime, mbrojtje, të ndershme të pandershme, thashetheme, të vërteta, gjysmë të vërteta etj, për të marrë pushtimeve dhe drejtuesit (të rinj apo të vjetër) i zgjedhin partitë (të reja apo të vjetra) dhe ka të bëjë me vijën politike që përfaqëson, jo opinionistët; e pafalshme është ajo e dhunëshmja fizike dhe për këtë, demokracia duhet të tregojë efikasitetin e saj (të përgjigjet proporcionalisht sipas ligjit, për dhunuesit dhe të dhunuarit), për të mos e lejuar që politika të kthehet në plotikë me mjete të tjera dmth në luftë. Edhe në stadium, nëse thyen rregullat dhe ka fenomene dhunë, ka dënime, deri në lojëra pa spektatorë, veç çdëmtimeve dhe gjobave materiale mjaft të kripura për organizatorët. Dhe njerëzit duan ta dëgjojnë gjithnjë të vërtetën, dikush e dëgjon, por nuk i pëlqen, e dikush e dëgjon e nuk ka se ç'bën; bën mirë ai që e dëgjon dhe reflekton në të mirë të shoqërisë, pavarësisht bindjes, a mùndet(?). E gjith puna është, kush është e vërteta: ajo që thotë Orwelli?! Ju shkruesit nuk mund të jini as mish e as peshk, por të qartë për publikun, pak më të thelluar, jo kaq abstragues e të përciptë, ndryshe, nëse pa qëllim, keqinformoni lexuesin, or Ben.