Ikja e njeriut që kishte brengë librat dhe bagëtinë

11 Janar 2023, 18:55Blog Nga Kristo MËRTIRI

Ikja e njeriut që kishte brengë librat dhe bagëtinë

Kur shkruajta pak vite më parë për libërthin e Mehmet Zekës, “Gryka e Vetëtimës”, disa lexues namusqarë ngritën supet e shprehën habi nëpër kafenetët e Tiranës. Aq më tepër që autori ishte thjesht një coban i regjur, pa kostum “europian” e i pa kollarisur, pa salla promovimi, pa kompjuter e internet dhe pa fjalime panegjerike e përgjëruese. Por gazetën ia gjetën e ia dërguan në fshat ca kuciotë të kryeqytetit, bashkë me numrin tim të celularit.

Ashtu serioz e dinjitoz si ai, më falenderoi shkurt e pa asnjë jargavitje e ditirambe. “Edhe po të njiheshim nga afër, nuk besoj se do e keshe bërë më mirë. Si emër gazetari, je i dëgjuar nga unë. Më ke futur në borxhe…U pjekshim sa më shpejt bashkë !”.

Ishte një arkiv më vete historie e folklori. Ishte një gojëtar i vecantë zemre, i qetë e me humorin më të mirë lab në majë të gjuhës. Asnjëherë nuk nxitohej dhe nuk u qa e as u zbraz për jetën e tij rrokullimë e gjithnjë në “mullirin” e zi të luftës së klasave. Një lloj “kulaku” që nuk e pranoi kurrë atë damkë mbi shpinë, deri ditën  që fati e ndihmoi për të takuar Gogo Nushin proletarin kur erdhi në Kuc… Nuk iu nda sektorit të dashur të blegtorisë. Pengu më i madh i tij ishte një : Shkollimi ! As nuk shante e as ulërinte. Sa herë i flisja për botimet e ish mësuesit tonë, kushëririt të tij Daut Gumeni, përgjigjet merrnin një ngjyrim tjetër artikulimi e gëzimi.

Mbaj mend kur i tregova një episod nga emigracioni i detyruar ekonomik e politik në Greqi, kur ministër Arsimi në Shqipëri ishte Et’hem Ruka   .

E diela e refugjatëve nëpër Sheshin “Omonia”, ka qenë dhe është një ditë kuvendimi e vecantë për hallet, gëzimet e marazet e secilit. Një herë u ndodha në mes të një grupi kuciotësh e picariotësh, që zbraznin gazavajin e tyre natyrshëm për mëmëdhenë nëpërmjet këngëve drithëruese me motive nga më prekëset. Motive që rrënqethnin edhe gurin e drurin !

Një kuciot disi i heshtur, kujtohej rrallë të mbante iso. Herë pas here, fuste dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës, nxirrte dy fletë fletoreje të shkruara, lexonte e gëlltitej. Ishte letër nga djali, nxënës në shkollën e mesme të fshatit. Vec të tjerave, e lajmëronte se së shpejti shkolla mund të mbyllej ! Përfytyroni sadopak trishtimin dhe hidhërimin e babait refugjat…

Atë natë, në bodrumet e Pireut u ula dhe hodha një shkrim në vend të një Letre të hapur për Ministrin e Arsimit, mikun tonë tepelenas. Botimi i tij në Shqipëri, nuk ra në veshë të shurdhit. Shkolla e mesme në Kuc nuk u mbyll !( Tani nuk e di si i ka shkuar filli, pas kaq vjetësh). “-E gjen dot profesor Et’hemin, i thuaj të vijë i ftuar nga unë, se do kënaqemi. Por edhe do shkoqitemi mirë…”.

Po mblidhet lëmshi, Kristoo, boll jetova sa për hije. Po mbetemi si kërcurët…

Mehmet Zeka 80 e ca vjecar, ngazëllehej realisht për fillimet e rrugës së Re të Lumit të Vlorës. E quante një lidhje tjetër të madhe shpirtërore, historike e turistike të Labërisë me Bregun e Detit. Po kështu lidhjet reale të Tepelenës e Gjirokastrës, vajtje-ardhje brenda ditës ! Që portat e mjaft shtëpive të mos zënë myshkun që mbulon pragjet dikur të gdhendur e të lëmuar fort nga hyrje-daljet e njerëzisë në Kurvelesh e gjetkë. “Mos ua thuaj të tjerëve, por nga njëherë lotët më presin zërin dhe mbytem në vaje vetmie, kur vete në kullota...Se unë dija vetëm ujërat e lumit a të përroit,por edhe lotët mpiksen e ndërliksen !”.

Dhe erdhi një ditë, që unë po dalloja ca shkëndija të padëshiruara tek Mehmeti i mirë e tepër fisnik. Po më dukej nga larg, i zymtë e buzëplasur. Dhe aty për aty kujtoja atë kupën me helm që i fali padrejtësisht jeta në pleqëri: Ikja e djalit 27 vjec ! Se nuk ishte thjesht nga ato plagët e fshehura që maisin si pa u kuptuar…”Miku im i vërtetë e pa asnjë litar interesi personal, mos vdeksha pa të takuar qoftë edhe një herë!...”.

I ndershëm në ndershmërinë e tij gati proverbiale ! Gjithmonë lypte dicka, por asnjëherë bukë e para lëmoshe. Lypte vetëm Dituri e Shkollë…Por “kish pirë ujë me poce”. Dhe biografia me njolla e të tjerëve nganjëherë të cjerr edhe atje ku s’arnohet e nuk mund të ndreqet më…(Nuk e harroi mencurinë: Fjalës nga fjala i vjen rreziku !).Dhe pati miqësi të pamatë vetëm me Librin, miqësi që iu kthye në shpëtimtare të pazëvendësueshme përballë kurtheve të kohës “bishtdhelpër”…

Pak më vonë telefonatat u rralluan. Iu shtuan dëshpërimeve të Covidit. Por kryesorja ishte tjetër gjë : Ajo heshtje ra rëndshëm pas shitjes së kopesë ! Djemtë i ikën larg në qytete. Zëri i Mehmetit më dukej i tjetërsuar. Po dalloja një brengë pikëllimtare të vecantë Njeriu, që pikonte pikë-pikë ndoshta nga “Gryka e Vetëtimës”…Por ah, një fundshkurti ia shkurtoi më në fund urët ! Ndërsa në celularin tim, nuk bien zile e këmborë nga Kuci i Labërisë !

8 Komente

  1. R
    Realisti

    Respekte për ju zoti. MËRTIRI. Mehmeti i veçantë u prehtë në paqe!

    1. K
      Kadri Sevasteri

      Dinjitoz, brilant je o Kristo. Shkruan per nje njeri te thjeshte qe e do punen dhe librin. Te lumte. Mehmet Zeka i tille ishte, pa cka se me pare i vune dhe njollen e kulakut. Eh more Mehmet Zeka, sa mbresa ruajme per ty. Ja dhe ky shkrim te pruri mes nesh. Bravo dhe gazeta tema qe boton shkrime si ky e qe na sjell rexhep zekat e paharruar.

      1. K
        Kadri Sevasteri

        Dinjitoz, brilant je o Kristo. Shkruan per nje njeri te thjeshte qe e do punen dhe librin. Te lumte. Mehmet Zeka i tille ishte, pa cka se me pare i vune dhe njollen e kulakut. Eh more Mehmet Zeka, sa mbresa ruajme per ty. Ja dhe ky shkrim te pruri mes nesh. Bravo dhe gazeta tema qe boton shkrime si ky e qe na sjell rexhep zekat e paharruar.

        1. L
          Loni

          Z. Gazetar, Shkrova dhe jo shkruajta...

          1. S
            Sara

            Nderim të veçantë për Ju zoti Gazetar. Ju gdhendni aq bukur njerëzit e thjeshtë, heronjtë e vërtetë. Ata që janë të harruar nga politika dhe njerëzia. Keta janë modelet që duhet të jenë në piedestal. Tani modele janë vip- at e Big Brother që promovohen nga TV kombëtare. Nga gazetarë që për ta Shqipëria është vetëm Tirana, ose vetëm kafet e bllokut. Prandaj kemi nevojë për gazetarë të vërtetë që njohin Shqipërinë dhe shqiptarët. Me qëllim që ta kuptojmë që njerëz të mirë e të mençur ka kudo,por ata duhet të njihen, përkrahur e mbështetur. Që shumë rrallë e shohim një gjë të tillë. Nga gazetarë të vërtetë e të veçantë si ty Kristo. Faleminderit që na i sjell këta heronj mes nesh.

            1. B
              Bari delesh

              POZITIVI VLERESON E RESPEKTON POZITIVIN. TE LUMTE DORA E MENDJA KRISTO MERTIRI. MEHMET ZEKA PUSHOFT NE PARAJS.

              1. M
                Mane Alikaj

                Te lexoja regullisht 'atehere' e me pelqeje. Te lexoj me shume endje tani e prekem. Je ilac zemre.

                1. E
                  Erdogan

                  Kulak nuk ishte Damke por Nder. Kjo u vertetua me ardhjen e Dhimokratise dhe Prones Private zoti me comentin Kadri Sevasteri. Kur u clirua Shqiperia nga Diktatura Koministe. Kulake u bene ata qe ishin punetore dhe me djerse kishin bere dicka me teper se brekegrisurit dembele qe donin Kooperative. Ata u bene te Privilegjuar kurse Kulaket te Persekutuar. Te Privilegjuar ishin kush u turqizua dhebluftoi per Sulltane. Kush mbajti dhe nuk ndryshuan Kombesine Greke Bizantine ishin te Persecutuar. Bile quheshin Kaurret e Derrit d.m.th Greke. Keshtu eshte. Cfare do besh do te te bejne thote popola.

                  Lini një Përgjigje