Lavdia e fundit e kufirit të mbyllur

27 Shtator 2023, 10:40Blog TEMA
Lavdia e fundit e kufirit të mbyllur

Nga Frrok Çupi

Të dy palët, si këndej edhe andej kufirit, sot përjetojnë lavdi.

Në anën këndej është vrarë rreshter Afrim Bunjaku dhe është plagosur një polic tjetër; ndërsa në anën andej janë vrarë katër vetë. Në të dy anët e dy shteteve janë prekur dy tempujt përkatës: Flamujt.

Sot, të dy presidentët kanë urdhëruar uljen në gjysmë- shtizë.

Prekja e flamurit është njësoj, si në kohën e fitores ashtu edhe të humbjes; në të dy rastet përcillet emocioni i lavdisë.

Sot, të dy palët që vranë njëri tjetrin, janë shpallur heronj të secilit. Nuk ka fatkeqësi më të madhe për fqinjët se sa ky që vret njeriun tënd është heroi im, ndërsa njeriu yt që ka vrarë njeriun e atij është heroi yt.

Nesër do të vriten përsëri mes njëri tjetrit, si ata matanë kufirit ashtu edhe këta këndej kufirit. Veçse nesër mund të qëllojë i pari ai që kësaj here qëlloi i dyti…

Kështu do të vejë puna sa kohë që do të ketë kufi të mbyllur.

Gjithë kontinenti i Europës i ka liruar kufijtë dhe në të dy anët dukesh si në dritën e  diellit; përveç kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, në Veri. Qysh prej fillimit kur si Kurti i Kosovës edhe Vuçiç i Serbisë u kujdesën që para Europës të fshehin ‘nën mëngë’ krimin e kufirit, ata e dinin se çfarë do të ndodhte. Vrasja do të ndodhte e fundit- siç ndodhi. Para të gjithave do të ndodhte e po ndodh trafikimi i paligjshëm, trafik njerëzish, trafik droge, trafik armësh, për interesa të secilës palë.

Këta i ranë ‘këmbës së kalit’, jetë a vdekje!, për ta mbajtur kufirin të mbyllur, por secili me role të ndryshme: ‘Vuçiç si djalë i mirë liberal, ndërsa Kurti si njeriu që bren hekur me dhëmbë, por kufirin nuk e do të hapur.

Sot, që në mëngjes, si gjykata themelore e Prishtinës edhe themelorja e Beogradit, duhej të kishin lidhur me pranga dy të pandehur: Albin Kurtin dhe Alexandar Vuçiç.

Sa kohë që në të dy anët mizoria që ndodhi në kufi përjetohet me ‘lavdi’ reciproke, Ballkanin dhe Europën i pret ogur i zi. Tre ‘terroristë’ serbë- siç i quan Kurti, sot janë ngritur si zgalemë të lavdisë serbe në ‘Kalanë e Bardhë’ mbi Danub. Ndërsa Afrim Bunjaku i Kosovës, u kthye menjëherë në ‘totemin e Lavdisë ‘ së Kurtit. Sikur ta kishte vrarë vetë Kurti, nuk do të ishte aq në kohë e në favor për kryeministrin aktor të Kosovës; kaq për hajër i doli. Vetëm vajza e mjerë mbeti me lot në sy duke ‘qortuar’ të atin ‘pse nuk na mësove të jetojmë pa ty’.

Kufijtë e shteteve, gjithë jetën janë mbyllur me qëllim për të vrarë njerëz dhe për të shkaktuar konflikte.

Kjo ishte lavdia e fundit e kufijve të mbyllur.

Dy herë më parë, në epokën tonë më të re, mbyllja e kufijve ndodhi në ‘klimën e vet’, fshehurazi nga sytë njerëzorë. Sot e kësaj dite nga toka ku u fsheh ‘perdja’ e kufijve, vijnë e na gjëmojnë krimet dhe konfliktet:

Kufiri i Peshkëpisë dhe kufiri i Gramozit:

Në të dy pikat, sa herë gërmojnë barinjtë për një gur stralli sa për të ndezur duhanin, aty shfaqet një dëshmi vrasjeje.

Në Gramoz gjendet eshtrat e kalimtarëve ‘të pa ligjshëm’ të vitit 1989; gjithashtu edhe eshtrat e komunistëve grekë ‘të pa ligjshëm’ të vitit 1949. Kufiri i mbyllur krimin e bën ‘hero’, ndërsa njeriun e bën autor krimi.

Tragjedinë e Peshkëpisë e kishte mbajtur të fshehur presidenti i asaj kohe në krye të Republikës, dhe e nxori kësaj pranvere me emrin ’Beleri’. Aty u vranë dy oficerë të ushtrisë shqiptare; edhe ata u shpallën dëshmorë, por edhe ata si ‘totemë’ për të ngritur lavdinë e presidentit. Beleri ishte një nga vrasësit në kufi dhe tani është radha e tij për t’u kthyer në ‘totem’ të konfliktit mes Shqipërisë e Greqisë.

Të gjithë këta të vrarë në kufi të verbër, po shfaqen si përmendore ‘për atë zotninë atje në krye të shtetit’. Si në Kosovë edhe në Beograd.

7 Komente

  1. V
    Visi

    Shihe ti pasardhësin e Miladinit,, Pleh

    Përgjigjjuni
    1. N
      Ny

      vetem per ty dhe ramen mund te kete te njejtin kuptim ngjarja e rende, si per kosoven dhe per serbine. Si mund te trajtohen palet njesoj, kur pala serbe hyri ne territorin kosovar dhe shkeli cdo ligj dhe norme nderkombetare nderkohe qe kosova mbrojti me dinjitet territorin dhe popullin e vet. Po sikur te kryente kosova aktin qe kreu serbia, kushedi si do ta kryqezoje ti frok kosoven. Ik mor mbetje e komunizmit, as ne pleqeri nuk shkeputesh dot nga ligesia qe ke mbjelle ne mendje dhe shpirt

      Përgjigjjuni
      1. L
        Luani

        Apsolutishte e sakte , ata qe fluturojnë di medemek patriotizem , duhet ti puthin këmbë e duar USA.. qe i kanë qndruar dhe i qendrojnë popullit te kosoves si rrufepritese dhe jo idiotesit e albinit qe thote USA nuk janë aleatet tanë afatgjatë .., më vjen shumë keq për oficerin e vrare, poshterdia, kriminaliteti i Serbis dihet dhe nuk ndryshon kurrë , po albini eshte shumë i paafte për ate poste, duhet të jepte dorheqjen që kur deklaroj USA nuk janë aleatet afatgjate , po të mos ishte USA e dimë të gjithë çdo të ndodhëte..!!! Faleminderit, USA.., me vrasjen e oficerit Kurti duhet të jepte dorheqjen , si një politikan teresishte i deshtuar, i paafte, pa vizion ..!!

        Përgjigjjuni
        1. X
          Xonix

          Mendova se akti i paprecedent terrorist ndaj Kosoves, me mbeshtetjen e qarte te Serbise e Vucicit do sherbente qe ne mos te zbytheshe per ca dite, bashke me Kimetet e lodhura qe gelojne ne palo tregun mediatik, te reflektoje! Fundja vetem nje idiot nuk do t’i kuptonte pas kesaj qe ndodhi arsyet e verteta perse Vucic kerkon zajednicen dhe perse Kurti e kundershton per sa kohe Serbia nuk njeh Kosoven! Ti jo vetem qe ske reflektuar, por vazhdon te barazosh ne faj viktimen me terroristin, duke provuar qe je thjesht nje kerme e paguar per te hedhur vrer ndaj Kurtit!

          Përgjigjjuni
          1. B
            Bravo Frroço Çupi

            Në Gramoz gjendet eshtrat e kalimtarëve ‘të pa ligjshëm’ të vitit 1989; gjithashtu edhe eshtrat e komunistëve grekë ‘të pa ligjshëm’ të vitit 1949. Kufiri i mbyllur krimin e bën ‘hero’, ndërsa njeriun e bën autor krimi.

            Përgjigjjuni
            1. R
              Real

              Prap doli ky kari. Po ik o fytyre e neveritur.

              Përgjigjjuni
              1. R
                Rama Vučić

                Në Serbi ka varreza masive të mshefta, sekrete, me trupa shqiptarësh civil, gra,burra, fëmijë dhe pleq. Vučić dhe Serbia e tij as nuk kërkojnë falje as nuk i tregojnë trupat e 1600 të masakruarve që i kanë tërheq në Serbi. Vučić ishte ministër i qeverisë gjakatare të Milošević-it nga Partia Radikale e fashistit dhe kriminelit të luftës Šešelj. Paramendoni (imagjinoni) që Gebels dhe ministrat e Hitlerit ta udhëheqnin Gjermaninë e pas luftës, a do të kishte pajtim të Francës me Gjermaninë? Me këtë Serbi Rama bëri Shengen të Vogël dhe Open Balkan ndërsa Gebelsin serb e bëri mik dhe vëlla! A do të mund ta bënte këtë Rama pa pasur shumë Frrok Çupa në Shqipëri të cilët i barazojnë terroristët me policët legal të Republikës së Kosovës? As unë nuk pajtohem me Kurtin, e kritikoj ashpër për mos koordinim me Amerikën por Rama e tregoi vetën edhe kur në sy (prani) të Vučić-it e quajti Ramush Haradinajn, kryeministrin e Kosovës "të paditur klasik"! Nuk ka sapun (propagandë) që e pastron Edi Ramën! Ja, tash kërkon po të njëjtën gjë sikurse edhe miku dhe vëllai i tij Vučić!

                Përgjigjjuni

                Lini një Përgjigje