
Nga Fatos Tarifa
Nuk munda t’u gjej një titull më të përshtatshëm radhëve të mëposhtme sesa titulli i njërës prej veprave më të njohura të humanistit të shquar të Rilindjes Europiane, Erazmit të Roterdamit. Vepra e tij Moriae Encomium, shkruar në latinisht në shtatë ditë, u botua më 1511, ndërsa në anglisht (The Praise of Folly), ajo u botua më 1536, pak javë para vdekjes së autorit.
Lëvdimi i marrëzisë është një vepër satirike që drejtohej kundër bestytnive dhe traditive të vjetra të shoqërisë europiane të kohës së Erazmit, veçanërisht kundër Kishës dhe rolit të saj. Këto radhë që unë shkruaj, nuk përmbajnë satirë, por një shqetësim serioz për një “projekt final” të Kodit të ri Penal të Republikës sonë, që është propozuar dhe është bërë i njohur publikisht dhjetë ditë më parë.
Unë nuk jam jurist, por si një qytetar i kësaj Republike (nominalisht demokratike), jam vazhdimisht i interesuar—dhe shumë herë i shqetësuar—për fatet e shoqërisë sonë dhe për të drejtat e individit. Si studiues i jetës së shoqërisë dhe politikës, interesimet dhe shqetësimet e mia për fatet e demokracisë, për të drejtat dhe liritë e individit dhe fatin e tij, janë një preokupim qytetar dhe profesional.
“Enveri nuk di gjë, e ka bërë Mehmeti me kokën e vet”
Shtysë për t’i shkruar këto radhë u bënë prononcimet publike të disa prej juristëve tanë më të njohur dhe debati i zhvilluar mbi këtë projekt-kod në disa media. Më bën përshtypje që, ndërsa vazhdojnë “përpjekjet” për të gjetur se kush, apo cilët individë janë ata që e kanë përgatitur këtë projekt të Kodit të ri Penal, kryeministri i vendit deklason se “këtë kod nuk e ka bërë qeveria”!
Atyre që kanë pak a shumë të njëjtën moshë me mua u kujtohet, besoj, një anekdotë që qarkullonte dhe na pëlqente ta tregonim në vitet e “diktaturës së proletariatit”: “Unë nuk di gjë për këtë punë”, thoshte Enveri, “mos e ka bërë Mehmeti me kokën e vet”.
Projekti i këtij kodi u postua në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë. Kjo ministri është një departament i qeverisë, në krye të së cilës qëndron kryeministri.
Projekti i kodit u prezantua publikisht nga ministri i Drejtësisë, që është anëtar i kabinetit qeveritar (Këshillit të Ministrave) dhe flet në emër të qeverisë.
Në një republikë parlamentare demokratike, qeveria nuk është një njeri i vetëm—Kryeministri. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (neni 95), përcakton se “Këshilli i Ministrave përbëhet nga Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat”. Para marrjes së detyrës si anëtarë të kabinetit qeveritar, “ministrat betohen para Presidentit të Republikës” (Neni 99). Neni 102(d.4) i Kushtetutës përcakton se: “Ministri, brenda drejtimeve kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore, drejton nën përgjegjësinë e tij veprimtarinë që ka në kompetencë…”.
Por, a duhet vallë t’i referohemi Kushtetutës së vendit për të kuptuar një gjë që bën “Muuuuu!”?
Si mundet që një kryeministër të mos jetë në dijeni se çfarë ka bërë për katër vite radhazi Ministria e Drejtësisë dhe titullari i saj lidhur me një kod kaq të rëndësishëm të legjislacionit të vendit, puna, për hartimin e të cilit, sipas fjalëve të vetë ministrit të Drejtësisë, ka nisur qysh në vitin 2019?!
Vetë kryeministri nuk harton ligje, as ministri i linjës, por asnjëri, as tjetri nuk mund të jenë të painteresuar e të painformuar mbi përmbajtjen e tyre. Nëse një ligj i ri bëhet “i domosdoshëm” dhe “i pashmangshëm” të miratohet, siç shprehet ministri i Drejtësisë, “domosdoshmëria e pashmangshme”, apo “pashmangësia e domosdoshme” e tij nuk do të thonë një ligj i ri sido që të jetë, mjafton të jetë i ndryshëm nga i pari, edhe pse ekspertët më të mirë dhe një numër intelektualësh publikë të njohur e konsiderojnë projektin e këtij ligji më të keq, ose shumë të keq madje të rrezikshëm.
Kur u miratua, në vitin 1787, 238 vite më parë, Kushtetuta amerikane përmbante vetëm 4,543 fjalë, përfshirë edhe firmat e delegatëve të Konventës së Filadelfias që e miratuan atë. Së bashku me tekstin e 27 amendamenteve që i janë shtuar asaj kushtetute në këta 238 vite, ajo përmban vetëm 7,506 fjalë.
7,506 fjalë. Kaq i kanë mjaftuar dhe i mjaftojnë “Republikës së Madhe” amerikane, një federatë e përbërë nga 50 shtete dhe disa territore, me një popullsi 130 herë më të madhe se sa popullsia e Shqipërisë, për të administruar çdo aspekt të jetës politike, ekonomike, juridike e shoqërore të saj.
Projekti i Kodit të ri Penal, prezantuar nga ministri i Drejtësisë, përmban 146,473 fjalë, rreth 20 herë më shumë se sa Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara!
Lëvdim i Marrëzisë! Marrëzi e Madhështisë! Apo Madhështi e Marrëzisë! Ç’emër mund t’i vihet kësaj?
Ministri i Drejtësisë thotë se “puna për një draft të ri [të Kodit Penal] kishte nisur që në vitin 2019” dhe miratimi i tij është një gjë “e domosdoshme dhe e pashmangshme”. O burra pra, ju, deputetë, që do uleni në parlament me fillimin e legjislaturës së re, pas pesë ose gjashtë javësh, nxitoni ta votoni këtë projekt ligj “të domosdoshëm e të pashmangshëm”!
“Pashmangësia dhe urgjenca” e Kodit të ri Penal! Nëse ministri i Drejtësisë nuk e di, i them se amendamenti i fundit (i 27-ti) i Kushtetutës amerikane u propozua nga Kongresi i parë i Shteteve të Bashkuara, në shtator të vitit 1789, gjashtë muaj pas krijimit të atij Kongresi, dhe iu shtua Kushtetutës amerikane vetëm në maj të vitit 1992. Ratifikimi i atij amendamenti mori 202 vite, 7 muaj dhe 12 ditë, një proces që s’ka precedent tjetër në historinë e qytetërimit juridik.
Nëse ministri ynë i Drejtësisë nuk e di, ose e ka harruar se përse bën fjalë Amendamenti i 27-i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, i kujtoj se ai amendament sanksionon se “çdo ligj për rritjen ose uljen e pagave të anëtarëve të Kongresit mund të hyjë në fuqi vetëm pas zgjedhjeve të tjera për Dhomës së Përfaqësuesve”.
Këtë fakt të thjeshtë, kryeministri, ministri i Drejtësisë dhe deputetët tanë—ata që ishin dhe këta që do të vijnë—mund të mos e dinë, ose mund ta kenë harruar—por jam i sigurt se asnjë nga deputetët dhe ministrat që shkuan dhe shumë nga këta që janë nuk e ka harruar se si, dy vite më parë, ata i dyfishuan pagat e tyre. Sa hap e mbyll sytë. Tinëzisht.
Në atë kohë e kritikova publikisht këtë veprim të tyre duke shkruar për gazetën Dita (26 maj 2023), nën titullin “Bingo! All Done! Gëzuar 1 Qershorin të dashur deputetë!”, sa më poshtë:
“E bënë. Siç nuk kisha asnjë iluzion se do të ndodhte. E bënë sepse s’kanë moral. E bënë sepse nuk e kanë për gjë të dhunojnë kolektivisht, të gjithë së bashku, edhe Kodin e Sjelljes së Deputetit, që i ndalon ta bënin këtë gjë. Ai kod thotë shprehimisht se deputetëve u ndalohet të “shfrytëzojnë pozitën e deputetit për interesat personale të tyre”.
E bënë sepse s’ka se kush i ndalon. Ashtu si në raste të tjerë, por veçanërisht këtë herë, kur kishin në dorë të provonin të kundërtën, duke hequr dorë nga interesat e tyre personale për hir të interesave të pjesës më të madhe të shoqërisë, këta deputetë dëshmuan se nuk janë të popullit (of the people), nuk janë zgjedhur nga populli (by the people) dhe nuk mendojnë për popullin (for the people). Po kështu, edhe qeveria që kemi, hartuesja e projekti të këtij ligji, për të cilën duket se janë të huaja parimet e Linkolnit për një qeveri demokratike, që të ishte “a government of the people, by the people, for the people”.
Me votimin e ligjit për të rritur pagat deputetëve dhe të ministrave të sotëm, kuvendi dëshmoi se është një kuvend jo i popullit dhe jo për popullin, sidomos jo për shtresat më në nevojë të popullit, por një kuvend për deputetët e vet dhe për ministrat.
Deputetët tanë, shumë prej të cilëve njerëz mediokër, me këtë akt të paturpshëm që bënë duke votuar rritjen e pagave të tyre dhe të anëtarëve të kabinetit qeveritar, na thanë neve, qytetarëve të këtij vendi, se nuk duan t’ia dinë për qytetarët kur vjen puna për interesat e tyre.
Kur vjen puna për interesat e tyre, deputetët tanë—socialistë dhe demokratë—na dëshmuan dje, përtej çdo dyshimi, se janë njëlloj, se kanë të njëjtat interesa, edhe pse ato i justifikojnë, i argumentojnë, i shprehin dhe i mbrojnë me një lëvozhgë gjuhësore ideologjikisht të ngjyrosur. Pozicioni “majtas” ose “djathtas” në politikë, për shumicën e tyre s’është asgjë më shumë sesa një pohim shumë herë i pakuptimtë edhe për ata vetë. Kartonët jeshilë që ata, me ndonjë përjashtim, i ngritën thuajse si një trup i vetëm për të rritur pagat e veta, dëshmojnë llojin e moralit të tyre në politikë.
Deputetët tanë – ata të mazhorancës dhe ata të partive opozitare – i përdorën kartonët jeshilë në të njëjtën mënyrë si të kishin në duar një shkop magjik. E duam pagën ta kemi kaq dhe – sa hap e mbyll sytë – me kartonët e tyre vendosën të marrin pagën që duan!
Veprimi i tyre dje është politikisht gabuar, moralisht i pandershëm dhe i turpshëm, ligjërisht i dënueshëm”.
A do veprojnë njëlloj edhe për miratimin e projektit të Kodit të ri Penal deputetët e legjislaturës së ardhshme? Uroj që jo. Uroj që sugjerimet, vërejtjet dhe kritikat e ekspertëve ligjorë më të mirë lidhur me këtë projekt të dëgjohen e të reflektohet lidhur me to. Të mos i mbajmë fshehur motivet dhe njerëzit që e kanë hartuar këtë projekt. Çdo ligj dhe çdo kod bëhen për qytetarët dhe në interes të tyre. Interesi publik është i pari.
Dhe, nëse ministri i Drejtësisë, burokratët grafomanë dhe pa imagjinatë të ministrisë që drejton apo deputetët që miratojnë projektligjet e propozuar nuk e dinë se çdo të thotë ligje për qytetarët dhe në të mirë të interesit publik, e gjykoj me vend t’u them se si e kanë parë dhe e shohin këtë çështje disa nga personalitetet më të shquar të jurisprudencës dhe drejtësisë amerikane.
Teprimi me ligjet dhe gjuha e tyre
Laurence Tribe, një profesor i njohur i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Harvardit, argumenton se “Teprimi me ligjet në mënyrë të paevitueshme e dobëson shtetin e së drejtës”.
Ky është një parim i vjetër sa Roma e lashtë – “Sa më shumë ligje, aq më pak drejtësi”, thoshte Ciceroni.
Benjamin Franklin, njëri prej etërve themelues të Republikës Amerikane, vinte në dukje se “ligjet që janë shumë të butë rrallë respektohen; ndërsa ata që janë shumë të ashpër rrallë zbatohen”.
Projekti i Kodit të ri Penal, sipas ekspertëve që e kritikojnë atë, prodhon një legjislacion tepër të ashpër, që mund të krijojë hapësirë për zbatim jo të njëjtë te qytetarët që janë e duhet të trajtohen si të barabartë para ligjit dhe njëlloj përgjegjës për shkeljen e tij.
Nga ana tjetër, gjuha me të cilën formulohen ligjet duhet të jetë qartësisht e kuptueshme dhe jo e huaj për veshët e qytetarëve që kërkohet t’i respektojnë ato. Por sa i kuptueshëm mund të jetë një kod penal me 952 nene, i hartuar në mbi 146,000 fjalë?! Sa i kuptueshëm mund të jetë për qytetarin e thjeshtë një kod penal, çdo nen i të cilit përmban, mesatarisht, 154 fjalë?!
Një pyll ligjor i vërtetë, një xhungël ku mund humbasë rrugën kushdo, një rrjetë merimange e pamasë, nga e cila, siç thoshte Soloni, nuk mund të dalin dot vetëm krijesat e dobëta, njerëzit e thjeshtë e të pambrojtur.
Thomas Jefferson me të drejtë thoshte se “mosnjohja e ligjit nuk është askund justifikim [për ata që e shkelin atë], përndryshe ligjet do e humbitnin efektin e tyre, pasi kushdo mund të pretendonte se nuk i njeh ata”. E, megjithatë, është ironike – dhe paradoksale njëherësh – të mendosh se, ndërsa një qytetar i thjeshtë mund të shpallet fajtor dhe të dënohet për shkak të mosnjohjes së ligjit, gjyqtarët, siç vinte në dukje Jeremy Bentham, janë “të vetmit persona që nuk dënohen për injorancën e tyre ndaj ligjit”.
Ligje humanë dhe gjyqtarë humanë
Për më shumë se 800 vite, Magna Carta është parë dhe shihet si një dokument ligjor që ofron garancitë kushtetuese kryesore ndaj arbitraritetit ose ligjeve të padrejtë. Mbështetur në parimet e saj, Thomas Jefferson shprehej se “shpata e ligjit nuk duhet të bjerë kurrë veç mbi ata, faji i të cilëve është kaq i qartë, sa të pranohet si nga kundërshtarët, ashtu edhe nga miqtë e tij”.
Woodrow Wilson, nga ana e vet, vinte në dukje rëndësinë që kanë faktet në administrimin e drejtësisë, duke e hequr vështrimin nga fragmentet e vëllimeve ligjorë, nga statutet dhe maksimat e shkëputura, për ta drejtuar vëmendjen “te jeta e njerëzve”.
“Shpata e ligjit” s’duhet të bjerë mbi të pafajshmit, mbi të dobëtit dhe të pambrojturit dhe ligjet duhet të jenë njerëzorë e jo çnjerëzorë. Kjo nënkupton edhe mëshirën njerëzore për ato shkelje të ligjit, dëmi prej të cilave nuk ka pasoja të rënda për shoqërinë ose për individë të tjerë. Abraham Lincoln shkruante më 1876 se ai vetë kishte kuptuar se “mëshira jep fruta më të mira sesa drejtësia e rreptë”.
Ky është një mësim që do të duhej të informonte edhe Kodin Penal të Republikës sonë. Dënimet më të rënda duhen dhënë për krimet më të rënda dhe për kriminelët recidivistë, por për ato shkelje të vogla të ligjit, prej të cilave, as shoqëria, as individë të tjerë nuk pësojnë atë lloj dëmi që do të cenonte interesat e tyre e do të ishte i dëmshëm për ta, mëshira humane dhe falja (me kusht) mund të kishin efekte më pozitivë sesa dënimet e rrepta.
Në fund të fundit, interesi i shoqërisë është që ta pakësojë, jo ta rrisë numrin e anëtarëve të saj që vuajnë dënime me burg. Kësaj nuk i shërben një kod penal me 952 nene, ndonjë prej të cilëve mund ta shkelë pa dashur e pa qëllim, por thjesht për shkak të të qënit human, çdo qytetar i thjeshtë: edhe një fqinji im, edhe një koleg i punës, edhe një i afërmi juaj—me pak fjalë, kushdo që nuk është kriminel dhe që nuk na bën asnjë dëm, as mua, as juve, as shoqërisë.
Janë me vend fjalët e juristit dhe shkrimtarit të njohur amerikan Robert Ingersoll, i cili vinte në dukje se: “Nuk duhet harruar se ata që bëhen gjyqtarë janë njerëz si gjithë të tjerët dhe se, duke u bërë gjyqtarë, ata nuk bëhen as më pak paragjykues, as më inteligjentë”.
Po kaq kuptim kanë edhe sot, në kontekstin e diskutimit që bëjmë, këtë fjalë nga Learned Hand, një gjyqtar dhe filozofi i njohur amerikan i së drejtës, për të cilat do të duhej të reflektonte çdo gjyqtar: “Ja tek jam unë, një burrë i vjetër, që më duhet të gjykoj e të dënoj njerëz që mund të mos jenë më të këqij se unë”.
Nëse duam një sistem drejtësie të mirë, vetëm ligjet e mirë nuk mjaftojnë. Dhe nëse duam që reforma në drejtësi të ketë vërtet sukses, po aq rëndësi sa ligjet e mirë ka edukimi juridik i qytetarëve dhe, sidomos, njerëzit që zgjidhen dhe emërohen për të siguruar mbrojtjen dhe zbatimin e ligjeve, prokurorët dhe gjyqtarët.
Sidomos gjyqtarët. Kjo pikërisht ka bëra që, deri më sot, gjyqtarët, nëse huazoj fjalët e profesorit të së drejtës penale në Harvard, Alan Dershowitz, të ishin “hallka më e dobët e sistemit të drejtësisë, edhe pse më të mbrojturit”.
Për shkak se në duart e prokurorëve e të gjyqtarëve varen fate njerëzorë, integriteti i tyre është i një rëndësie të dorës së parë. Për këtë arsye, Abraham Lincoln u jepte juristëve këtë këshillë: “Ji i vendosur të jesh i ndershëm në çdo rast dhe, nëse nuk mund të jesh një jurist i ndershëm, ji i vendosur të jesh i ndershëm pa qenë jurist. Zgjidh një profesion tjetër”.
Në përfundim dua të vë në dukje se ligji dhe drejtësia nuk janë e njëjta gjë. Gjykatat vendosin në përputhje me ligjin; ato jo gjithnjë vendosin drejtësinë. Ndërsa një pjesë e madhe e njerëzve në Shqipëri—si në shumë vende të tjerë—shqetësohen për ligjin dhe rendin, shumë të tjerë shqetësohen për drejtësinë.
Ligji dallon nga drejtësia, edhe pse një gjë është e sigurt: është e pamundur të kesh njërën prej tyre pa i pasur të dyja. Prandaj, që qytetarët të besojnë në drejtësinë e sistemit të tyre, ligjet që e krijojnë dhe e mbrojnë këtë sistem duhet të jenë ligje të mirë, që i shërbejnë si interesave të individit, ashtu dhe së mirës publike.
Edhe pse barazia e të gjithëve para ligjit është një kusht dhe tipar themelor i një rendi demokratik, shteti ligjor (Rule of Law) nuk është i mjaftueshëm dhe mund të mos jetë i drejtë, pra një shtet i së drejtës (Rule of Justice). Edhe fashizmi e komunizmi kishin ligjet e tyre, por shteti fashist dhe ai komunist kanë qenë shtetet më të padrejtë e më mizorë në historinë moderne. Në pamfletin e tij të njohur Letër nga burgu i Birmingamit (1963), Martin Luther King, Jr. tërhiqte vëmendjen e publikut amerikan me këto fjalë: “Kurrë nuk duhet të harrojmë se gjithçka që Hitleri bëri në Gjermani ishte ‘e ligjshme’ dhe se gjithçka që bënë luftëtarët e lirisë në Hungari [më 1956] ishte ‘e paligjshme’.
Në fakt, siç shprehej Earl Warren, kryetar i Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara në vitet 1953-1969, “suksesi i çdo sistemi ligjor vlerësohet dhe matet me shkallën e besnikërisë së tij ndaj idealit universal të drejtësisë”. “Është fryma e ligjit dhe jo germa e tij ajo që e mban drejtësinë gjallë”, theksonte ai. Dhe, “ndërsa aftësia e njeriut për drejtësi e bën demokracinë të mundur, tendenca e tij për padrejtësi e bën demokracinë të domosdoshme”.
Një shtet ligjor duhet të jetë edhe një shtet i së drejtës. Kjo do të thotë që, pas çdo ligji, duhet të ketë drejtësi. Drejtësia duhet të jetë synimi më i lartë i ligjit. Ne shohim shpesh herë raste kur njerëz të pafajshëm dënohen e vuajnë, ndërsa fajtorët i shpëtojnë dënimit të merituar. Ne shohim raste kur njerëz të ndershëm nuk arrijnë të kenë sukses në përpjekjet e tyre, ndërkohë që të tjerë, njerëz të pandershëm, pasurohen dhe përfitojnë padrejtësisht.
Shteti i së drejtës është ai sistem ligjor, në të cilin çdo individ merr nga sistemi atë që me të drejtë i takon, përfshirë të gjitha të drejtat natyrore e ligjore, që nuk mund t’ia marrë apo tjetërsojë askush—as shteti, as individë të tjerë. Problemi është se, në mjaft raste, edhe kur ligji është i mirë dhe i drejtë, mënyra se si administrohet ai nga një gjyqtar mund të jetë e padrejtë.
Këtu vij në një çështje të fundit, me të cilën dëshiroj t’i mbyll këto radhë. Ajo ka të bëjë me emërimin dhe integritetin e prokurorëve dhe gjyqtarëve në të gjithë nivelet e sistemit gjyqësor. Fati i sistemit të drejtësisë në çdo vend, pra edhe në Shqipëri, qëndron kryesisht në duart e tyre. Prokurorë dhe gjyqtarë të aftë e të ndershëm, që emërohen në detyrë jo për motive ose për shkak të pëlqimeve e të lidhjeve të tyre politike, por për shkak të aftësive e të integritetit të tyre profesional e moral janë, ose mund të bëhen garantë të parimeve të drejtësisë dhe të zbatimit të saj. /botuar në
DITA/
O profesor, shikoje pak me mire ate anektoden e Enverit dhe Mehmetit se ja ke futur fare kot!
Po ku ka thene Rama qe nuk di gje? Apo qe qeverria nuk eshte ne dieni? Ka the qe nuk e ka hartuar qeverria,por njegrup pune i kryesuar nga nje profesir i shkolles se magjistratures,Rakipi,e qe eshte nje draft qe kerkon kontributin e te gjitheve!! Sinqerisht nuk prisja qe njeres si ish ambasadori ne fjale,te futej ne kete debat steril e qe nuk favorizon iç ndonje gje qe te çon ne mbrojtjen e demokracise. Kodi penal keshtu si eshte tani nuk eshte ne rregull me ate ç'ka ndodh ne Shqiperi, i duhet vene dore? Pa tjeter,e ne ç'menyre? E ketu duhet te diskutoje Tarifa duke vene ne dispozicion bagazhin e tij kultural e profesional,jo tja meshoje krahasimeve banale me Mehmet e Enver . Si funksionon bota tashme nuk eshte mister, ajo qe duhet saktesisht, po qe eshte akoma nje mister ,shpregjet fillozofike,apo thenie te figurave te rendesishme boterore nuk na ndihmojne ne ketd rast, sepse nuk vuajme per ato, si do ja aplikojme nje shoqerie me tendenca te forta e te perseritura anarkie si e jona nje kod penal qe te japi rezultate,kjo po qe na ndihmon. Tarifa, do ishte mire te bente ndonje analize me te thelle shoqerise sone per te ndihmuar ti afrohemi burimit te shume problemeve. Te gjithe e dine qe prokuroret kane ne dore fatin e shume jeteve e mbarevajtjen e jetes shoqerore shqiptare,dhe qe duhet te jene me te aftit,e atehere ?? Ku eshte zgjidhja qe ofron Tarifa?? Qe duhen me te aftit? E kush jane,nga ku kane dale? Ose ose nuk i gjejme me te mirit ti dalin zot vendit? Per mendimin tim modest,nuk eshte vetem problem drejtesie,por i shoqerise sone qe ka mbi 30 vjet qe nuk ka investuar asgje mbi te ardhmen,dhe ajo nuk krijohet nga sot neser,duhen breza qe ti edukosh me nje kulture te nje shoqerie demokratike.Me sa kuptoj une, ajo rruge sigurohet vetem duke investuar ke te rinjte, dhe Tarifa e di fort mire qe nuk e kemi akoma nje te tille,e atehere si i behet?? A do rrime keshtu si jemi apo do fillojme nga do nje ane? E veprimet per ndryshimin e kodit penal me ndeshkime me te rrepta ne shume shkelje te tij,jane ne ate drejtim apo jane te tepruara e te panevojshme per shoqerine tone,kutu duam te na shpjegojne ata qe jane profesora e akademike e ku ta di une,e qe pretendojne te jene te nje fare rendesie per vendin,jo analogji te ulta me Mehmet dhe Enver. Veni ne dispozicione ate qe dini me shume per te permiresuar jeten e shqiptareve me kontribute konkrete jo dikutime boshe,ato na i lini ne te tjereve,qe me shume se kaq nuk shkojme tutje.
Zoti Tarifa respekte per kete shkrim brilant dhe jo vetem per kete por edhe sa here ke shkruar.Zoti Tarifa por ju dijetaret e diteve te sotme respektoheni shume pak ; kjo eshte paturpesi dhe injorance....jetojme kohe te erret ne nje vend qe urrehet dija dhe i dituri ska si te kete prosperitet.... Analfabetizmin total
Zoti Tarifa respekte per kete shkrim brilant dhe jo vetem per kete por edhe sa here ke shkruar.Zoti Tarifa por ju dijetaret e diteve te sotme respektoheni shume pak ; kjo eshte paturpesi dhe injorance....jetojme kohe te erret ne nje vend qe urrehet dija dhe i dituri ska si te kete prosperitet.... Analfabetizmin total
Zoti Tarifa respekte per kete shkrim brilant dhe jo vetem per kete por edhe sa here ke shkruar.Zoti Tarifa por ju dijetaret e diteve te sotme respektoheni shume pak ; kjo eshte paturpesi dhe injorance....jetojme kohe te erret ne nje vend qe urrehet dija dhe i dituri ska si te kete prosperitet.... Analfabetizmin total
Zoti Tarifa respekte per kete shkrim brilant dhe jo vetem per kete por edhe sa here ke shkruar.Zoti Tarifa por ju dijetaret e diteve te sotme respektoheni shume pak ; kjo eshte paturpesi dhe injorance....jetojme kohe te erret ne nje vend qe urrehet dija dhe i dituri ska si te kete prosperitet.... Analfabetizmin total
E para , A nuk mujte me gjet ndonnë thënje Satirike të shkrimtarëve tonë apo të popullit tonë dhe të kohëve të aferta e jo thënje e të hujve dhe para 500 apo 1000 vjetësh , Apo do tregoni që ju jeni intelektual me famë dhe mendoni që populli do thojë për ju që bo bo sa i zgjuar është ky Fatosi . Po ta them unë çfarë thot populli për ju që duke pasë fjalë shqipe boll dhe shumë të ëmbëla e të kuptueshme perdorni fjalë të huaja të pakuptimta dhe nuk dini kur dhe si përdoren, pra ju ja fusni kot . Dhe populli thot kto nuk marrin vesh e ven një fjalë të huaj që nuk ka lidhje hiç me pjesen tjeter të fjalisë . Këtu zen vend thënja e Teta Ollgës tek filmi " Zonja nga qyteti " Të mençur jeni ju artistat . ...... dhe vazhdon asgjë nuk ju kuptova .
Rrespekte dhe nga une prof Tarifa! Sa do te doja qe idete e tua dhe ato te figurave te shquara te juridprudences amerikane dhe boterore te gjenin pasqyrim ne kodet(kodin) penal shqiptar! Ta zeme se u reflektuan ne kod,por zbatimi do te leje shume per te deshiruar,ju kete gje e trajtoni shume mire kur flisni mbi rolin e prokuroreve dhe gjygjtareve. Pra ne do te vazhdojme te vuajme mentalitetin e atyre qej japin dhe kane per detyre te:1) zbatimin e ligjit.2) dhenie te drejtesie. Kushdo gjykates qe do kete parasysh keto dy aspekte:Ligjit dhe drejtesia,ne menyre te paaneshme,atehere themi se gjerat do ecin per mbare. Por (me falni per pesimizmin) ne menyre deshperuese nuk shoh driten ne fund te tynelit. Kjo,per shkaqet qe ju me te drejte shkruani ne kete artikull por dhe shkrime te tjera tuajat. Gjithesesi me shprese se zerat e duhur do te degjohen,dhe ti japin fund deshperimit te njerezve te thjeshte per :DREJTESI dhe Jo per pak DREJTESI. Flm
Anekdota e treguar gabim nga Tarifa ishte keshtu: Pal Vata ( ndjese paste ), kur e pyesnin per ndonje problem qeveritar duke shprehur habi, ai iu pergjigjej: " Une dhe Enveri nuk dime gje. Ne paste bere gje Mehmeti ne koke te vet eshte pune tjeter ". Sigurisht, qe Pal Vata s'e kishte thene kete por hokataret e rrugeve te Shkodres ia paten mveshur atij. Shkrimi i Tarifes eshte nje shkrim i mire, qe ngre nje problem te rendesishem por citimet nga figurat amerikane jane me teper se duhet dhe i japin shkrimit karakter skolastik. Lidhur me ekzistencen e shume ligjeve apo te ligjeve me gjatesi te pafundme, me duhet t'i them z. Tarifa se SHBA mban rekord ne kete drejtim dhe drejtesia atje nuk eshte sic e paraqesin gazetat apo lektoret tane. Shembujt per kete jane me qindra por nuk jane objekt i shkrimit dhe as i problemit.
Po sikur kodi te jete peodukti me i mire juridik i historise tone ca do te thoni? Problemi eshte qe e anatemojne ato qe nuk e kuptojne dhe nuk e kuptojne vete ata qe nuk kane studiuar. Flm
Per her te pare profesori ka shkruar ate qe mendojn dhe deshirojn ata qe jane njerez. Eshte e drejta jo ligji ai qe ka rendesi per njerzit qe kerkojn dhe duan demokracin,ligj kishte dhe kane dhe diktaturat por mungon e drejta njerezore. Nuk mund te besh nje Kod penal me 952 nene duke kriminalizuar dhe ato veprime ose mosveprime qe jane denime administrative. Pse duhet qe per cdo rast te kemi nje veper penale,jemi dhe kemi qene kurdoher ne Europe o njerez jo ne rusi , turqi apo kontinent tjeter. Zoti e ruajt kete vend nga injorantet dhe delet e nenshtruara liderit kushdo qoft ai.
Respekte profesor, Njerez te mendimit intelektual duhet te shprehen e degjohen…. por veshtire se kjo do zere vend . Por lufta e perpjekja per mendimin e veprimin e duhur nuk duhen reshtur! Ne qeverisim, menaxhojme, drejtojme me egon e cdo infividi, me injorancen, apo mencurine , ligesinr apo prapesine e tij…. etj, etj
Respekt! Respekt! Vetem Respekt Zotni Tarifes! Nje shtjellim, shpjegim i kuptueshem, i nevojshem dhe i dobishem per te gjithe ne. Le t'i therrasin mendjes edhe horrat, edhe qorrat, injoranca.