Lule dhe baltë

3 Nëntor 2025, 18:55Blog Sadedin Mezuraj

 
 
Vdekja e një figure politike nuk është thjesht mbyllja e një jete, por edhe një provë për shoqërinë që e kujton. Ajo nxjerr në pah nivelin tonë të qytetarisë, kulturën e kujtesës dhe mënyrën si dimë të ndajmë njeriun nga miti, jetën personale nga vepra publike.
Fatos Nano, lideri historik i Partisë Socialiste dhe tri herë kryeministër i Shqipërisë, ishte një nga figurat më komplekse të tranzicionit shqiptar.
Ai ishte timonieri i parë që mori në dorë – apo i lanë në duar – drejtimin e vendit në një kohë të turbullt, kur shpresat e mëdha u shndërruan në kaos, kur “anija” e një Shqipërie të shkalafitur, e sapodalë nga “porti” i diktaturës, nisi të lundronte në ujërat e trazuara të tranzicionit, drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut.
Si intelektual reformator, Fatos Nano mori përsipër sfidën madhore të kthimit të një partie të ngurtë ideologjikisht (PPSH) dhe me bagazhet e saj të përgjegjësisë për krimet dhe mëkatet e diktaturës, në një forcë moderne socialdemokrate.
Fatos Nano, në një kohë kur ekonomia e tregut në fillesat e saj po konceptohej si xhungël dhe kur mentaliteti antishtet u kthye në ideologji, shpalosi vizionin europian për shtetin e së drejtës dhe ekonominë e tregut me dimensionin e drejtësisë sociale.
Slogani i tij progresist për meritokracinë mbeti një pemë e brishtë e mbjellë në tokën e molepsur nga militantizmi dhe klientelizmi politik. Raporti i tij liberal me pushtetin u keqkuptua shpesh si “ves”, në një kulturë politike tribale, që pushtetit i qaset me epshin e kontrollit total, duke e parë kolltukun qeveritar më shumë si plaçkë se sa si përgjegjësi politike publike.
 
Fatos Nano nuk ishte shenjtor, por as karikaturë e korrupsionit që duan t’ia varin në qafë -politikanët zullumqarë, kampionë të mëkateve të mëdha dhe ata që baltosin gjithçka në këtë vend, ku e mira përbuzet e vritet që në shpërgënj.
Fatos Nano ishte produkt dhe mishërim kohës që e prodhoi, një njeri me dritëhijet e personalitetit, një politikan me stof liberal dhe vizion evropian, intelektual elokuent, me intuitë dhe tolerancë, me ego dhe ironi – një profil që politika shqiptare rrallë e toleron dhe ende më rrallë e prodhon.
Si kryeministër i ardhur në pushtet pas trazirave të vitit ’97, Fatos Nanos i ra barra të ringrinte shtetin e shkërmoqur pas kolapsit të priramidave financiare mashtruese dhe të rindërtonte institucionet, të avanconte reformat e tregut dhe të rivendoste stabilitetin në vend.
 
Pas orvajtjeve të opozitës për grusht shteti në shtator 1998, Nano u largua nga pushteti për të shpëtuar veten por edhe shuar flakët e një konflikti të ri politik. Falë kulturës demokratike, debatit dhe konkurencës që kishte kultivuar në PS-në e reformuar prej tij, Nano u rikthyer sërish në pushtet, përmes një lëvizjeje që ai e quajti “katharsis” brenda së majtës. I karakterizuar nga kontrastet, ai do të mbetet në historinë e tranzicionit traumatik postkomunist, si figura e qytetarit me pasione dhe shpirt liberal, e shtetarit që nuk arriti ta materializojë plotësisht vizionin e tij emancipues, në një terren të minuar nga korrupsioni, interesat dhe kalkulimet për pushtet.
 
Në ditën e vdekjes së tij, rrjetet sociale u ndanë si zakonisht: njëra palë hodhi mbi të lule adhurimi dhe përkujtimi me respekt, kurse pala tjetër – opozitarë të mllefosur dhe qytetarë të frustruar – mbi kufomën e tij ende të ngrohtë, vërviti topa balte virtuale, vrer dhe mallkim.
 
Por të dyja, edhe lulet, edhe balta, në fund të fundit janë prej së njëjtës tokë ku rritemi e ku vdesim. Dhe mbi këtë tokë, ditën kur mbyllet qarku i jetës, nuk ka më vend për mallkime, por për respekt.
Në traditën shqiptare, të vdekurit vajtohen; jeta e tyre edhe zbukurohet disi, jo për hipokrizi, por për të ruajtur dinjitetin e fundit njerëzor. Fjala e keqe, të paktën në ditëmort, frenohet.
 
Sepse, në fund të fundit, cili nga politikanët e lartë të këtij tranzicioni ishte apo është engjëll?
Nano ishte një personalitet me dritëhijet e tij, si çdo burrë shteti në Evropë e në botë, ku vlerat ecin paralelisht me skandalet, sukseset me dështimet dhe vendimet e forta, shpesh shoqerohen me pasoja jo përherë pozitive.
Historia do të bëjë llogaritë e saj – dhe ajo, ndryshe nga ne, nuk e njeh mllefin, as mitet, as vrerin e frustimeve individuale dhe as idhujtarinë servile.
 
Në historinë e politikës të tranzicionit postkomunist Nano do të mbahet mënd, së paku, për disa vlera themeluese: si lideri liberal i PS, si politikan reformator dhe mbartës i kulturës së konsensusit, si shtetar që mundësoi rotacionin normal të pushtetit në vitin 2005 dhe themelues i modelit të liderit që dorëhiqet –pikërisht në këtë vend me liderë të përjetshëm, të kapur me thonj e me dhëmbë pas kolltukut partiak.
 
Nano nuk ishte engjëll, por as demon. Ishte një njeri që udhëhoqi në kohë të pamundura, dhe që në fund meriton atë që i takon çdo njeriu në çastin e fundit: një lule respekti nga ata që e adhurojnë dhe heshtje respektuese nga ata që e urrejnë politikisht.
Vdekjes i mjafton balta e varrit.
Njeriut, në ditën e ikjes, i takon respekti solemn.
 

1 Komente

  1. L
    Linza

    Shume artikull i sakte, me cilesi. Ka prekur, pak si bute, plehrat si Strazimiri, Kajsia etj qe e shane edhe ne vdekje. Do shtoja vetem kete: “‘De mortuis nihil nisi bonum’ – thoshin të urtët e Greqisë dhe të Romës së lashtë: për të vdekurin, fol mirë ose mos fol fare. Kjo nuk është thjesht një shprehje, por një normë qytetërimi që disa njerëz duket se nuk e kanë njohur kurrë. Të hedhësh baltë mbi një njeri që s’mund të mbrohet më, është shenjë dobësie dhe ligësie. Fatos Nano, me të gjitha të mirat dhe gabimet e tij, mbetet një figurë që ka lënë gjurmë dhe që u nderua nga mijëra qytetarë brenda e jashtë vendit. Kush s’mundet të tregojë respekt, më mirë të heshtë — sepse plehrat morale nuk mund të njollosin kujtimin e një njeriu që ka bërë histori.”

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje