Nga Enver Robelli
1.
«Salla numër 6» - kështu quhet një novelë e shkrimtarit klasik rus Anton Çehov. Në këtë sallë mbijeton një zyrtar me emrin Ivan Dimitriq Gromov. Ngaqë vuan nga paranoja, Gromovin e kanë sjellë këtu, në sallën numër 6, ku trajtohen të çmendurit. Mjeku Andrej Efimiq Ragin, drejtor i spitalit, e ka lëshuar vetë udhëzimin për Gromovin. Rastësisht mjeku Efimiq Ragin nisë të bisedojë me pacientin Gromov dhe zbulon se ai në të vërtetë është bashkëbiseduesi më i logjikshëm në krejt këtë provincë. Banorët e qytezës nisin të dyshojnë në doktorin Efimiq Ragin, meqë fliste me pacientin, madje u krijua një komision për të këqyrur gjendjen mentale të Efimiq Raginit. Ky thoshte se sëmundja e tij në fakt është kjo: që tek pas 20 vitesh ka arritur të gjejë në qytezë një njeri të mençur. Dhe ai i mençur është një i trajtuar si i çmendur. Autoritetet vendosin ta shpallin mjekun të çmendur. Mesazhi i novelës? Në një botë ku dominon gënjeshtra, zhurma, kakofonia, gjuha toksike, është e vështirë të thuhet dhe të mbrohet e vërteta.
2.
Në një botë të tillë sundimtarët kontrollojnë jo vetëm të vërtetën, por edhe të gjitha institucionet, mjetet e propagandës, resurset e shtetit. Këto resurse i ndajnë me oligarkë. Oligarkët janë miliarderë në shërbim të sundimtarit. Ata menaxhojnë pasuritë të cilat pushteti ua vë në dispozicion. Mbarëvajtja e punëve të oligarkut varet nga mëshira e sundimtarit. Paralelisht me menaxhimin e pasurisë publike, sundimtari tenton të blejë çdo zë publik. Në shoqëritë pa traditë demokratike, kjo është e lehtë. Sepse gati secili joshet nga shkëlqimi, beson se brenda pak kohësh mund të bëhet milioner dhe në këtë rrugë është i gatshëm të shkelë mbi kufoma. Kufoma e parë është e vërteta.
Qëllimi final i çdo autokrati është ta zhbëjë jo vetëm mendimin kritik, por edhe krejt idenë e opinionit publik. Që në fund shoqëria të mos ekzistojë fare, por vetëm sundimtari dhe shërbëtorët e skllevërit e tij. Për t’i kontrolluar këta s’duhet as arbitraritet i madh, as dhunë e shfrenuar, nëse pushteti është mirë i konsoliduar. Atëherë shoqëria s’ekziston, opozita është e shkatërruar, pronarët e mediave janë në fakt ndërtues rrugësh, mbajtës licencash, pronarë godinash, tregtarë lajmesh; shoqëria civile është e dërrmuar dhe e kurthuar në interesa partikulare, e vetëmbyllur në kafazin e cinizmit, e dëshpëruar që jeta shkoi dhe të tjerët u bënë milionerë. Si e qysh - e parëndësishme.
Kështu të mirës së përgjithshme i humbet kuptimi dhe çdo gjë shndërrohet në ngarendje e shtyrje me bërryla. Tragjedia më e madhe e shoqërive të tilla është se askush askënd nuk e merr seriozisht, as shoferi policin, as polici shoferin, as ministri ligjin, as mbrojtësi i ligjit veprat e këqija të sundimtarit. Gjithçka në thelb është punë pazari, intrigash, rrenash, me një qëllim – grabitje pushteti dhe kontroll mbi resurset. Kur provinciali ia ndjen aromën parasë së fituar shpejt dhe jashtëligjshëm, ai me katër këmbë i turret plaçkës. Idhulli i tij është sundimtari që vendimet i merr në kthina të errëta. Por çdo e keqe, çdo dëm dikur ka një epilog, sepse sundimtari i korruptuar edhe nëse nuk e njeh botën antike e veprat e helenëve të lashtë, një ditë do ta njoftojë atë figurën e tragjedisë greke, e cila me çdo hap që bën shpreson se po e eviton fundosjen e vet - e në fakt vetëm më shumë i afrohet gropës. Problemi është se në këtë gropë nuk bie vetëm sundimtari, oligarkët e tij dhe altoparlantët e propagandës. Regjimet e tilla rrezikojnë të marrin me vete në humnerë edhe shoqërinë.
te lumte.
Shume bukur e me mend e ne vendin e duhur...
Kjo eshte analize brilante e shoqerise sone ne Shqiperi
Mendjendritur autori. Cdo fjali e ketij shkrimi brilant eshte nje aforizem. Respekt !!!
Mire mo mire po kujt ja tha...
bravoooo
Ne gjuhen shqipe zyrtare eshte gjetur nje dakortesi qe mbiemrat sllave qe mbarojne me iç te mos shkruhen ne shqip me [[ iq [[. Ku e mesove kete menyre ti ROBELL??? KUR bastardon gazetari çpret nga te tjeret/? Ne rastin konkret themi Efimiç,.. A ke lezuar ndonje perkthim ne shqip te autoteve te medhenj rus si Tolstoi, Gogol, etj .NUK e gjene ate menyre. Ti je gazetar nuk je nje komentues i zakonshem qe tja merrnin kete per mungese korrektesie. Keta gazetaret tane shumica ngatrrojne foljen e vetes se 1 me te 3 . Punoj eshte veta e 1 ata e thone per veten e 3.Gabim e ka dhe gazeta qe ta pranon me gabime artikullin
Komentit tuaj Macgr, i shkon për shtat thënia e popullit: "Plaç moj bythë e plasur, ç'halle paske pasur." Sa për shkrimin, një analizë brilante e situatës së shoqërisë ku jetojmë.
PO do ngjisim shkallet qe te hyjme ne shtepi RE LONI.
Ndryshe nuk do zhdukeshin civilizimet në historinë njerëzore!