Një debat mbi Demokracinë mbi Gjyqokracinë

18 Shkurt 2025, 13:03Blog Nga Astrit Meha

Një debat mbi Demokracinë mbi Gjyqokracinë

Proporcionaliteti në interesin publik, është themeli I të dhënit drejtësi.

Neni 17 i Kushtetutës së Shqipërisë përcakton se kufizimi i lirive lejohet vetëm me ligj, për një interes publik dhe duhet të jetë proporcional me gjendjen që e ka diktuar. Në rastin e Erion Veliajt, cenimi i lirisë së tij, si përfaqësues i zgjedhur, hap debatin: A është ky kufizim proporcional dhe në interes publik, apo një shembull i kalimit nga demokracia në gjyqokraci, ku një gjykatës merr vendime që cenojnë të drejtën themelore të qytetarëve për të zgjedhur?

Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) përcakton se kufizimet duhet të jenë:

·       Të përshtatshme: Për një qëllim legjitim.

·       Të nevojshme: Duke përdorur masën më të butë të mundshme.

·       Të balancuara: Ku dëmi i shkaktuar të mos tejkalojë përfitimin publik.

Korniza Ligjore Shqiptare:

Kushtetuta:

·       Neni 1: Zgjedhjet e lira janë themeli i qeverisjes.

·       Neni 2: Sovraniteti ushtrohet përmes përfaqësuesve të zgjedhur.

·       Neni 109: Kryetari i Bashkisë zgjidhet nga qytetarët me votim të drejtpërdrejtë.

Kodi i Procedurës Penale:

·       Neni 242: Ndalon pezullimin nga detyra të të zgjedhurve, duke mbrojtur të drejtën demokratike të përfaqësimit.

Kalimi nga Demokracia në Gjyqokraci:

Kur një gjykatës, i cili nuk ka mandat demokratik, vendos për përfaqësimin e qytetarëve, krijohet një precedent i rrezikshëm i gjyqokracisë. Ky është cenimi i të drejtës për të zgjedhur dhe qeverisur përmes votës, duke e zhvendosur balancën nga vullneti popullor te vendimi gjyqësor.

Rreziqet nga Shkelja e Proporcionalitetit:

·       Institucionale: Paralizimi i funksioneve të bashkisë dhe vendimmarrjes.

·       Politike: Krizë legjitimiteti dhe përplasje mes pushteteve.

·       Sociale: Rritje e polarizimit dhe humbje e besimit publik.

·       Ekonomike: Ndërprerje e projekteve dhe pasiguri për investitorët.

·       Juridike: Precedent që minon shtetin e së drejtës dhe legjitimitetin e institucioneve.

Këto rreziqe janë përballë një interesi tjetër publik, që është mbrojtja e një hetimi penal. Por a mbrohet një hetim penal në dëm të të drejtave kushtetuese individuale (të drejtat e zt. Veliaj), që në këtë rast janë të pandashme me një interes më të lartë publik (qeverisja e zgjedhur)?

Prokuroria dhe gjykata duhet të mbrojnë hetimin penal, por për një interes publik dhe jo në dëm të një interesi publik më të gjerë, duke mos cenur funksionalitetin e pushteteve të tjera, apo aq më keq, garën demokratike (zgjedhjet), e cila duhet të jetë e lirë e pandikuar nga çdo ndërhyrje. Çdo ndërhyrje nën mirazhin e interesit publik nuk është gjë tjetër veçse një cenim i rëndë i vullnetit të qytetarëve për të zgjedhur lirisht. Është një korrupsion zgjedhor me vendim gjykate.

Kur i ballafaqon këto interesa publike në mënyrë proporcionale, a është kufizimi i lirisë së Kryetarit të Bashkisë Tiranës në detyrë në përputhje me gjendjen që e ka diktuar? Qartësisht, jo!

Interesi më i lartë publik është respektimi i demokracisë në këtë vend, e cila është kolona politike dhe kushtetuese e tij. Interesi më i lartë është qeverisja e Tiranës nga i zgjedhuri prej qytetarëve, i cili është i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë. Interesi më i lartë është zgjedhje të ndershme, të barabarta dhe të lira nga çdo presion i jashtëm, përshirë edhe atë prokurorial apo gjyqësorë.

Prokuroria dhe gjykata duhet të ruajnë hetimin dhe gjykimin nga çdo ndërhyrje e papërshtatshme, por deri në masën ku nuk cenojnë vlerat themelore të Kushtetutës sonë dhe nuk dëmtojnë demokracinë. Kur cenohen këto vlera, interesit publik për ruajtjen e një procesi hetimor i mbivendoset një interes publik më i lartë: Qeverisja Demokratike.

Nëse prokurorët dhe gjyqtarët i mbivendosen kësaj vlere fondamentale, që mbron edhe shtetin e së drejtës, kemi ikur nga demokracia dhe jetojmë në kohën e gjyqokracisë.

Demokracia mbi Gjyqokracinë

E drejta për përfaqësim është një shtyllë kushtetuese. Kur gjyqësori uzurpon këtë të drejtë, kalojmë nga demokracia në gjyqokraci, ku vullneti i qytetarëve zëvendësohet nga vendimi i një gjyqtari pa legjitimitet përfaqësues. Demokracia nuk duhet të dorëzohet përballë një drejtësie që harron kufijtë e saj.

 

4 Komente

  1. j
    juristi

    Sakte

    Përgjigjjuni
    1. M
      Myzeqari i bute

      Shpresoj ta lexojne ata te SPAK-ut dhe GJKKO--se. Shkrim shume i mire dhe i argumentuar.

      Përgjigjjuni
      1. J
        Jurist

        Pse i kupton Olsi me Dumanin keto?...dru me pre

        Përgjigjjuni
      2. A
        Albi_I

        Lexoni dosjen hetimore qe ka dale ne qarkullim dhe ke pergjigje per te gjitha keto pyetje. Erion Veliaj, sot zyrtarisht i pandehur, dhe grupi i tij, ne menyre te vazhdueshme kane ushtruar presione qofte mbi prokuroret e qofte mbi deshmitaret per ti intimiduar dhe per te shkaterruar prova te mundshme. Mbajtja e tij ne paraburgim eshte e justifikuar pikerisht sepse po pengon procesin hetimor.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje