Nga Mateo Spaho
Detyrimi për instalimin e POS-eve dhe zgjerimin e pagesave cashless në Shqipëri po konsiderohet si një nga hapat më të rëndësishëm në luftën kundër informalitetit dhe evazionit fiskal. Qeveria synon që përmes pagesave elektronike të reduktojë ekonominë informale, të rrisë transparencën dhe të krijojë më shumë kontroll mbi qarkullimin real të parasë në ekonomi. Në thelb, çdo pagesë elektronike krijon një gjurmë të deklarueshme, duke e bërë më të vështirë fshehjen e xhiros dhe shmangien e detyrimeve fiskale.
Në teori, kjo nismë ka potencial real për të përmirësuar formalizimin e ekonomisë shqiptare, sidomos në sektorë si tregtia, turizmi, restorantet, transporti dhe shërbimet, ku përdorimi i cash-it mbetet shumë i lartë. Shqipëria vazhdon të ketë nivele të konsiderueshme informaliteti dhe të ardhurat nga TVSH-ja mbeten ende larg potencialit real që do të kishte një ekonomi plotësisht e formalizuar. Për këtë arsye, pagesat cashless shihen si një instrument modernizimi dhe afrimi me standardet europiane, në një moment kur integrimi i përshpejtuar drejt Bashkimit Europian kërkon më shumë transparencë fiskale dhe ekonomi më të formalizuar.
Megjithatë, realiteti në terren tregon se sipërmarrja shqiptare nuk është ende plotësisht gati për një tranzicion të menjëhershëm. Bizneset e vogla në turizëm, transport, bare-restorante dhe tregti vazhdojnë të funksionojnë kryesisht me cash dhe përballen me një nivel të kufizuar dixhitalizimi. Në shumë zona rurale apo turistike ekzistojnë probleme me internetin, mungesë trajnimi teknik dhe njohuri të pamjaftueshme për përdorimin korrekt të sistemeve të pagesave elektronike dhe fiskalizimit.
Një tjetër shqetësim lidhet me kostot shtesë që sjell ky proces. Instalimi dhe mirëmbajtja e POS-eve, komisionet bankare për transaksionet, integrimi me sistemet e fiskalizimit dhe abonimet teknologjike përbëjnë barrë financiare shtesë për bizneset, sidomos për ato të vogla me marzh fitimi të kufizuar. Taksi, hotele familjare, markete të vogla dhe shërbime lokale janë ndër kategoritë që pritet ta ndjejnë më shumë këtë ndikim. Ekziston gjithashtu rreziku që një pjesë e këtyre kostove të transferohen te konsumatori final përmes rritjes së çmimeve të produkteve dhe shërbimeve.
Por nga ana tjetër, formalizimi ka edhe një dimension që shpesh anashkalohet në debatin publik. Të bësh biznes nuk do të thotë vetëm të sigurosh të ardhura personale, por edhe të kontribuosh për komunitetin përmes taksave dhe detyrimeve fiskale. Shqipëria ka ndjekur për vite politika favorizuese për biznesin e vogël, përfshirë përjashtime apo lehtësime në TVSH, të cilat nuk ekzistojnë në shumë vende të tjera europiane. Në këtë kuptim, kalimi drejt pagesave më transparente është pjesë e natyrshme e zhvillimit ekonomik dhe institucional të vendit.
Pikërisht për këtë arsye, fokusi nuk duhet të jetë vetëm te kërkesa për shtyrje të afateve. Në një moment të caktuar, vendi nuk mund të vazhdojë pafundësisht me të njëjtin model informal funksionimi. Më shumë sesa protesta kundër procesit, bizneset kanë nevojë të kërkojnë asistencë konkrete nga administrata dhe rregullim më të drejtë të komisioneve financiare nga bankat. Mbështetja teknike, ulja e kostove të integrimit dhe trajnimet praktike do ta bënin tranzicionin shumë më të lehtë dhe më të pranueshëm.
Në afat të shkurtër, zbatimi i detyrueshëm i pagesave cashless pritet të hasë vështirësi dhe rezistencë. Por në afatmesëm dhe afatgjatë, formalizimi mund të sjellë përfitime të rëndësishme për ekonominë shqiptare: më shumë të ardhura fiskale, konkurrencë më të ndershme, ulje të ekonomisë informale dhe potencialisht taksa më të ulëta për të gjithë. Kjo, sigurisht, kërkon jo vetëm detyrime ndaj biznesit, por edhe më shumë përgjegjësi nga shteti për mënyrën se si administrohen dhe shpenzohen paratë publike.
*Ky shkrim është pjesë e projektit “PRODEMOCRATIA”, një partneritet mes INSTITUTIT PASHKO dhe Media MAPO, për të analizuar zhvillimet e demokracisë shqiptare.
Cdo te thote ky me "cashless"??!!