Pasuria pa virtyt dhe pushteti pa moral

13 Maj 2026, 19:51Blog Nga Feti ZENELI

 
 
Në historinë politike të botës ekzistojnë figura që madhështinë e tyre nuk e dëshmuan vetëm gjatë kohës kur ushtruan pushtetin, por sidomos në mënyrën se si jetuan pasi u larguan prej tij. Një ndër këto figura ishte edhe Presidenti i 33-tw i Shteteve tw Bashkuara tw Amerikws, Harry S. Truman. Në janarin e vitit 1953, pasi përfundoi tetë vite në krye të shtetit, ai u largua nga Shtëpia e Bardhë pa pompozitet, pa kortezhe luksi dhe pa privilegje të jashtëzakonshme. Hipi në një tren si një qytetar i zakonshëm dhe u kthye në vendlindjen e tij në Lamar të Missouri-t. Në atë kohë popullariteti i tij kishte rënë ndjeshëm, ndërsa të ardhurat që kishte pwrmblidheshin vetëm një pension modest ushtarak. Megjithatë, Truman nuk u ankua, nuk kërkoi favore të përjetshme dhe nuk e përdori postin që kishte mbajtur për të ndërtuar pasuri personale apo për të ngritur një kult adhurimi rreth vetes.
Pamja e një ish-presidenti amerikan që ecte çdo mëngjes në rrugët e qytetit të tij si një njeri i zakonshëm, mbetet një nga dëshmitë më kuptimplota të thjeshtësisë dhe dinjitetit në politikë. Ai nuk shkroi kujtime hakmarrëse, nuk sulmoi pasardhësit dhe nuk kërkoi të mbetej vazhdimisht në qendër të vëmendjes publike. Truman e kuptonte se pushteti është kalimtar, ndërsa karakteri i njeriut mbetet prova më e fortë e vlerës së tij morale.
Me kalimin e viteve, historia nisi ta rivlerësonte figurën e tij. Vendimet që dikur ishin kritikuar u panë në një dritë tjetër, ndërsa modestia e jetës së tij pas presidencës e bëri edhe më të besueshme figurën e një politikani që nuk e kishte përdorur shtetin për pasurim personal. Në një epokë kur shumë udhëheqës në vende të ndryshme të botës maten me luksin, privilegjet dhe pasuritë që grumbullojnë gjatë pushtetit, shembulli i Trumanit duket pothuajse i jashtëzakonshëm. Ai dëshmoi se njeriu mund të ketë mbajtur postin më të fuqishëm në botë dhe përsëri të jetojë me thjeshtësi, pa arrogancë dhe pa etjen për privilegje të pafundme.
Ky kontrast bëhet edhe më domethënës kur krahasohet me realitete ku pushteti shihet si rrugë përfitimi personal dhe jo si shërbim publik. Shpesh, në vende me institucione të brishta, ku pwrfshihet dhe Shqipwria, drejtuesit largohen nga detyra me pasuri të dyshimta, me luks të pajustifikuar dhe me një hendek të thellë mes jetës së tyre dhe realitetit të qytetarëve të zakonshëm. Në fund të fundit, historia nuk i kujton me respekt ata që grumbullojnë privilegje, por ata që dinë të mbeten njerëzorë edhe pasi kanë prekur majat e pushtetit.
Thënia e filozofit romak Seneka, “Ari ose shërben, ose sundon”, mbetet një nga reflektimet më të thella mbi marrëdhënien e njeriut me pasurinë dhe pushtetin. Në thelbin e saj qëndron ideja se paraja është vetëm një mjet: ajo mund të përdoret për të ndërtuar, për të ndihmuar dhe për të përmirësuar jetën, por mund edhe të shndërrohet në një forcë që korrupton ndërgjegjen dhe e bën njeriun rob të lakmisë. Kjo thënie tingëllon veçanërisht aktuale në realitetin shqiptar të tranzicionit, ku përplasja mes idealit të shërbimit publik dhe tundimit të pasurimit të shpejtë ka lënë plagë të thella morale, politike dhe shoqërore.
Pas rënies së sistemit komunist, Shqipwria hyri në një periudhë transformimesh të mëdha ekonomike dhe politike. Demokracia solli liri të reja, ekonomi tregu dhe mundësi zhvillimi, por bashkë me to lindi edhe etja për fitim të shpejtë. Në jo pak raste, politika nuk u pa më si mision për t’u shërbyer qytetarëve, por si një rrugë për të siguruar privilegje, ndikim dhe pasuri. Pikërisht këtu merr kuptim paralajmërimi i Senekës: kur “ari” fillon të sundojë mendjen e njeriut, ai deformon karakterin dhe dobëson moralin publik.
Në dekadat e fundit, opinioni shqiptar është përballur vazhdimisht me skandale korrupsioni që kanë përfshirë ministra, deputetë, kryetarë bashkish dhe zyrtarë të lartë të shtetit. Shumë prej tyre, të zgjedhur fillimisht me premtimin për të ndërtuar një shtet më të drejtë dhe më modern, përfunduan nën hetime, arrestime apo dënime për shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim parash dhe abuzim me fondet publike. Mjafton të kujtohen aferat që lidhen me tenderë publikë apo me pasuri të pajustifikuara, të cilat kanë tronditur opinionin publik dhe kanë dëmtuar besimin te institucionet. Këto raste nuk janë vetëm shkelje ligjore; ato dëshmojnë një deformim moral, ku shërbimi ndaj qytetarëve zëvendësohet nga adhurimi ndaj parasë dhe pushtetit.
Krijimi i Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe funksionimi i institucioneve të reja të drejtësisë sollën një realitet tjetër në jetën politike shqiptare. Për herë të parë pas shumë dekadash, figura të rëndësishme të politikës dhe administratës nisën të përballen realisht me ligjin. Hetimet dhe arrestimet ndaj ish-ministrave, drejtuesve vendorë dhe personave me ndikim krijuan bindjen se askush nuk mund të mbetet përgjithmonë mbi drejtësinë. Kjo ka sjellë një perceptim të ri në shoqëri: se shteti nuk mund të mbijetojë nëse korrupsioni dhe pasuria e paligjshme vazhdojnë të sundojnë institucionet.
Megjithatë, dëmi që sjell korrupsioni nuk mund të matet vetëm me milionat e humbura, me abuzimet financiare apo me shkeljet e ligjit. Plaga më e thellë që ai shkakton godet vetë themelet morale të shtetit: besimin e qytetarëve tek drejtësia, tek institucioni dhe tek mundësia për një shoqëri të ndershme. Kur një zyrtar pasurohet në mënyrë të pajustifikueshme, ndërkohë që mijëra qytetarë përballen me papunësi, emigracion, varfëri dhe pasiguri ekonomike, në ndërgjegjen kolektive lind ndjesia e padrejtësisë dhe zhgënjimit të thellë. Të rinjtë fillojnë të humbin besimin se suksesi mund të arrihet përmes punës, dijes dhe meritës, ndërsa shoqëria, dalëngadalë, rrezikon ta pranojë korrupsionin si një realitet të zakonshëm dhe pothuajse të pashmangshëm. Pikërisht në këtë çast “ari” nuk sundon më vetëm individin; ai nis të helmojë vetë moralin e një kombi dhe të deformojë ndërgjegjen shoqërore.
Por ajo që e bën edhe më të rëndë realitetin politik shqiptar lidhet me mungesën e shpresës për një opozitë që të mund të shndërrohet në një alternativë të besueshme pushteti. Në vend që të mishërojë frymën e rinovimit moral dhe politik, opozita shpesh perceptohet si e marrë peng nga hija e një ish-presidenti e ish-kryeministri, mbi të cilin rëndojnë akuza për korrupsion madhor dhe për cwnim të parimeve demokratike. Në këto rrethana, qytetarët gjenden përballë një krize të dyfishtë besimi: nga njëra anë zhgënjimi ndaj pushtetit, e nga ana tjetër mungesa e bindjes se opozita mund të sjellë një model tjetër qeverisjeje. Dhe kur humbet besimi si tek qeverisja, ashtu edhe tek alternative opozitare, rreziku më i madh nuk është vetëm kriza politike, por mpirja e vetë shpresës qytetare për ndryshim.
Historia shqiptare njeh edhe figura që pushtetin e kanë parë si përgjegjësi dhe jo si privilegj personal. Ka pasur patriotë, intelektualë dhe njerëz të politikës që jetuan thjesht, duke e konsideruar detyrën publike si sakrificë për vendin. Mjafton të kujtohen disa prej firmëtarëve të Pavarësisë apo arsimtarët e brezave të parë të shtetit shqiptar, të cilët shpesh punuan në kushte të vështira, por ruajtën ndershmërinë dhe përkushtimin ndaj kombit. Këta shembuj tregojnë se politika mund të jetë ende një formë shërbimi dhe jo thjesht mjet përfitimi. Sepse një shtet nuk ndërtohet nga njerëz që grumbullojnë pasuri për vete, por nga ata që ndërtojnë besim për qytetarët.
Filozofi francez Monteskie shkruante se: “Korrupsioni i çdo qeverie fillon me prishjen e parimeve.” Kur humbet ndjenja e përgjegjësisë morale, pushteti shndërrohet në mjet përfitimi dhe shteti dobësohet nga brenda. Shqipëria e viteve të fundit po kalon pikërisht përmes kësaj përballjeje: mes kulturës së pandëshkueshmërisë dhe nevojës për një shtet ligjor funksional.
Në këtë kuptim, shembujt pozitiv dhe thënie të tilla mençura nuk janë vetëm reflektime filozofike mbi paranë dhe pasurinë; ato janë njëkohësisht edhe mësime politike e shoqërore. Kwsisoj, “ari” duhet të mbetet në shërbim të njeriut dhe të shoqërisë. Kur përdoret për të ndërtuar shkolla, spitale, rrugë dhe mirëqenie, ai bëhet forcë zhvillimi. Por kur shndërrohet në mjet për luks personal, për blerje influence apo për vjedhje të pasurisë publike, ai kthehet në një pushtet të errët që rrënon institucionet dhe shkatërron besimin qytetar.
Prandaj sfida më e madhe për Shqipërinë nuk është vetëm ndëshkimi i korrupsionit, por krijimi i një kulture ku pasuria të mos admirohet verbërisht dhe ku politika të mos shihet si rrugë pasurimi. Një shoqëri bëhet e drejtë vetëm atëherë kur njeriu arrin ta mbajë paranë nën kontrollin e moralit dhe ligjit. Sepse, në çastin kur “ari” fillon të sundojë ndërgjegjen e njeriut, ai pushon së qeni “mjet pagese” dhe shndërrohet në “tirani shprese”.
Në jetën e përditshme kjo dukuri shihet qartë. Ka njerëz që e përdorin paranë dhe pasurinë për të ndihmuar familjen, për të edukuar fëmijët, për të mbështetur kulturën apo për të ndërtuar diçka të dobishme për komunitetin. Në këtë rast, “ari” shërben. Ai mbetet një mjet që ndihmon njeriun të jetojë me dinjitet dhe të realizojë synime të dobishme. Por ka edhe nga ata që, të verbuar nga etja për fitim, sakrifikojnë miqësinë, ndershmërinë dhe qetësinë shpirtërore. Për ta, pasuria bëhet qëllim në vetvete. Ata mund të zotërojnë shumë para, por në të vërtetë janë të sunduar prej tyre.
Historia ka treguar shpesh se njerëzit më të pasur nuk kanë qenë domosdoshmërisht më të lumturit. Lumturia nuk buron vetëm nga zotërimi material, por nga ekuilibri shpirtëror, dashuria, respekti dhe ndjenja e dobisë ndaj të tjerëve. Një njeri i thjeshtë mund të jetojë me dinjitet dhe qetësi, ndërsa një i pasur mund të mbetet i robëruar nga frika për të humbur atë që ka.
Në shoqërinë moderne, ku suksesi shpesh matet me paranë dhe luksin, reklamat, gara për status dhe dëshira për të pasur gjithnjë më shumë rrezikojnë ta kthejnë njeriun në një qenie të varur nga materialja. Megjithatë, njeriu i mençur duhet të dijë të vendosë kufij. Pasuria është e vlefshme vetëm kur mbetet nën kontrollin e arsyes dhe moralit.
Në vazhdën e këtij reflektimi mbi marrëdhënien e njeriut me paranë dhe pushtetin, merr një kuptim të veçantë edhe thënia e poetit dhe filozofit libanez Kahlil Gibran: “Virtyti i disa të pasurve është se na mësojnë ta përçmojmë pasurinë.” Në pamje të parë kjo thënie duket paradoksale, por në të vërtetë ajo përmban një ironi të thellë morale. Gibrani nuk e dënon pasurinë në vetvete; ai kritikon mënyrën se si disa njerëz e përdorin atë, duke e kthyer paranë në simbol arrogance, korrupsioni dhe shkëputjeje nga realiteti njerëzor. Ka të pasur që, përmes sjelljes së tyre, nuk frymëzojnë admirim, por neveri; nuk ngjallin respekt për suksesin, por përçmim për mënyrën se si ai është arritur dhe përdorur.
Në shoqërinë shqiptare të tranzicionit, kjo thënie tingëllon jashtëzakonisht aktuale. Për vite me radhë, qytetarët kanë parë njerëz që brenda një kohe të shkurtër kaluan nga jeta modeste në luks të shfrenuar: vila marramendëse, makina luksoze, udhëtime ekstravagante dhe pasuri të pajustifikuara, shpesh në kontrast të plotë me të ardhurat zyrtare. Kur një zyrtar publik, i cili duhet të jetë shërbëtor i shtetit, shndërrohet në simbol të luksit dhe arrogancës, ai nuk e lartëson vlerën e pasurisë; përkundrazi, ai i bën njerëzit ta shohin paranë si fryt të padrejtësisë dhe abuzimit.
Kjo është arsyeja pse shumë skandale korrupsioni në Shqipëri kanë prodhuar jo vetëm zemërim politik, por edhe krizë morale. Opinioni publik nuk tronditet vetëm nga shifrat e mëdha të abuzimeve, por nga fakti se një pjesë e elitës politike dhe ekonomike duket sikur ka humbur çdo lidhje me jetën reale të qytetarëve të zakonshëm. Në një vend ku shumë familje jetojnë me vështirësi, ku të rinjtë largohen drejt emigrimit dhe ku pensionistët numërojnë me kujdes shpenzimet mujore, ekspozimi i luksit të pajustifikuar krijon një hendek të thellë mes pushtetit dhe popullit.
Në këtë kuptim, disa të pasur bëhen vetë propaganda më e fortë kundër pasurisë së tyre. Sjellja e tyre i bën njerëzit të kuptojnë se paraja, kur nuk shoqërohet me moral dhe përgjegjësi, e deformon karakterin. Ajo krijon ndjesinë e paprekshmërisë, arrogancën e pushtetit dhe shpesh humbjen e çdo ndjeshmërie njerëzore. Kur pasuria përdoret për të blerë ndikim, për të manipuluar drejtësinë apo për të siguruar privilegje të padrejta, ajo pushon së qeni simbol suksesi dhe kthehet në simbol të degradimit moral.
Filozofi grek Sokrati shprehej se: “Nuk është i pasur ai që ka shumë, por ai që ka nevojë për pak.” Kjo ide bie ndesh me modelin e konsumizmit modern, ku vlera e njeriut shpesh matet nga ajo që zotëron. Në realitet, njeriu që nuk arrin të vendosë kufij ndaj lakmisë mbetet gjithmonë i varfër shpirtërisht, sado i madh të jetë thesari i tij material. Këtë e dëshmon edhe jeta politike shqiptare, ku figura që dikur kishin pushtet dhe ndikim, përfshirë edhe Ilir Meta, përfunduan të izoluara, të hetuara apo të dënuara, duke humbur jo vetëm reputacionin, por edhe respektin publik.
Në anën tjetër, historia njeh edhe njerëz të pasur që e kanë përdorur pasurinë për të ndërtuar shkolla, biblioteka, spitale apo për të ndihmuar komunitetin. Edhe në realitetin shqiptar nuk mungojnë biznesmenë dhe emigrantë që kanë investuar në vendlindje, kanë financuar bursa për studentë apo kanë kontribuar në rindërtimin e shkollave dhe qendrave shëndetësore. Këta shembuj tregojnë se pasuria mund të jetë një forcë e dobishme kur vihet në shërbim të shoqërisë. Problemi nuk është “ari”, por adhurimi i tij. Sepse njeriu që e sheh paranë si mjet për të bërë mirë mbetet zot i saj, ndërsa ai që e shndërron atë në qëllim të jetës bëhet rob i saj.
Në fund të fundit, vlera e njeriut nuk matet me atë që zotëron, por me mënyrën se si e përdor atë që ka. Pasuria pa virtyt është bosh, ndërsa pushteti pa moral bëhet i rrezikshëm. Një shoqëri e shëndetshme nuk admirohet për numrin e milionerëve që prodhon, por për drejtësinë, ndershmërinë dhe dinjitetin që arrin të ruajë.
 

5 Komente

  1. F
    Fshatari

    Cfare flet me yahoo? Keshtu bohet ene ne Perendim. Ca na kujton historira me Truman etj. Ka hik ajo kohe jena bo moderne tash. Keshtu do te thoshte Sulua bashkfshatari im ne kafene e fshatati kur pime ndonje gote raki me kafe expreso. Dhe ai ka te drejte. A duam te shkojme ne Perendim? Keshtu eshte dhe Peendimi. Shiko politkanet Prendimore te gjithe hyjen te varfer e dalin miljonere nga poitka, Obamat dhe Clinton

    Përgjigjjuni
    1. N
      Nikoja

      bla-bla-bla futja kot,fol mor bole me emra se teorite tuaja i dine edhe femijet.

      Përgjigjjuni
      1. S
        Selfua

        Ti sdi nga lidhet gomari mor ko..qe

        Përgjigjjuni
      2. P
        Profesori

        O moralizuaes ! Temen e ke drejt por shembullin e ke te gabuar. Nuk mund te merret si shembull moral nje njeri i cili eshte i vetmi ne historine e njerezimit qe urdheroi perdorimin e bombes berthamore mbi popullsine civile ne Nagasaki dhe Hiroshima, duke vrare e gjymtura gati nje milion njerez. Mendoni gjate perpara se te shkruani.

        Përgjigjjuni
        1. M
          Mali

          Libri qe ke shkruar e botuar permblidhet me dy fjali. Vjedhja virtyt I hajnave, imoraliteti norme e tyre.Politika eshte biznes, jo moral e ndershmeri. Gjithekund por me e theksuar ne Shqiperi ,ne vendin me te varfer te prostitutes Europe.

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje