Përse duhet lexuar “Një ditë tjetër” e Mira Kazhanit?

19 Nëntor 2025, 11:16Blog TEMA
Përse duhet lexuar “Një ditë tjetër” e Mira

Nga Namir Lapardhaja

Ishte insistimi i Vesës, vajzës sime të madhe, që më çoi te libri i Mira Kazhanit. Ajo jo vetëm që e ndiqte atë në rrjetet  sociale, por kishte krijuar edhe një simpati për mënyrën e rrëfimit femëror dhe njerëzor në podcastin 'ZëmeMirën'. Kështu që, në Panairin e Librit, ndërsa ime bijë “gjurmonte” oraret kur autorja ishte pranë stendës për të nënshkruar autografe, unë iu “binda” dëshirës së saj për ta marrë librin dhe për ta lexuar bashkë me të.

Ky lloj të shkruari është larg interesave të mia të zakonshme të leximit dhe studimit, mirëpo, teksa merr dhe lexon “Një ditë tjetër” të gazetares Mira Kazhani, përballesh me një rrëfim të sinqertë, të vërtetë dhe, mbi të gjitha, utilitar, për shkak të rrokjes së një teme, e cila, ndonëse është një ndër sëmundjet më të përhapura sot në botë, shpeshherë mbetet tabu në të folur.

Pikërisht, vlera e librit të Mirës qëndron në faktin se, nga eksperienca e saj personale, ajo synon të ndërtojë një rrëfim që të ndihmojë edhe të tjerët në përballjen me sëmundjen. Ajo nuk synon të japë receta apo të tregojë zgjidhje sekrete; përkundrazi, rrëfimi i një përvoje personale ka rëndësi, së pari, në pranimin e nevojës për t’u përballur me sëmundjen dhe, së dyti, në gjetjen e njerëzve dhe mjekëve të duhur për ta ndjekur atë.

Historia personale e Mirës shërben si një hartë orientuese për të gjitha ato vajza dhe gra që përballen me këtë sëmundje të rëndë, duke i çliruar nga ideja se “halli” i tyre është qameti apo fundi i botës. Libri i kujton se, mbi të gjitha, me rëndësi ka përballja me dinjitet dhe qetësi e një sëmundjeje të tillë, jo kapitullimi përpara saj.

Libri nis si një trill dhe si një ironi: në kërkim të gruas së shtatë për podcastin e autores, papritmas, në një ditë të bukur me diell, ajo bëhet vetë “e ftuara” e shtatë, për të cilën do duhet të rrëfejë tashmë në vetë të parë.

“Beteja me kancerin është një mal në ngjitje. E lodhshme. Të merr frymën. Plot të papritura. Këmbë të dhembura. Mund të të zëra nata aty ku të ketë caktuar dita. Shpërthen stuhi, por mund të lindë edhe diell papritur e pa kujtuar. Sido që të ndodhesh e ku të ndodhesh, ti duhet të vazhdosh të ngjitesh. Nuk ka dalje tjetër. Nuk ka kthim pas. Ti je mali mbi malin që do të arrish. Ti nuk mund të jesh dunë. As puhizë. Ti je si ajo arusha që trash gëzofin në dimër për të mbijetuar. Për herë të parë në jetë, ti je heroina e jetës tënde.” – shkruan autorja në formë refleksionesh, përgjatë periudhës së vështirë të përballjes.

Fatmirësisht, nga kjo eksperiencë e përballjes me kufijtë e jetës, autorja del e ripërtërirë fizikisht dhe shpirtërisht. Sipas saj, aksidenti më i pariparueshëm në jetë është të jesh njeri i keq. Njeriu, zakonisht, është i pavetëdijshëm për “flluskën” në të cilën jeton dhe për egërsinë që fshihet brenda shpirtit të tij; mirëpo sprova të tilla, që të trondisin dhe ta ndryshojnë të gjithë perceptimin për jetën dhe botën, shërbejnë për ta bërë njeriun edhe më njeri. Në këtë kuptim, libri i Mirës mund të lexohet edhe si një histori transformimi etik, jo vetëm mjekësor.

“Gjatë kohës së kancerit, unë jam shëruar së brendshmi më shumë se sa kur isha pa të. Falë kësaj përvoje të hidhur, kam gjetur më shumë dritë. Kam mësuar ta dua më mirë jetën time. Nuk kam më hutimin e dikurshëm dhe jam më realiste, kur vjen puna te shpenzimi i kohës. Më është zgjeruar rrethi i tolerancës. Nuk është aq e gjatë jeta sa të përfshihemi në çdo padrejtësi. Duhet hapur rrugë. Gjatë betejës me sëmundjen, po shëroj edhe pjesë të tjera nga jeta ime.” – shkruan ajo në faqet e fundit të librit, të cilat shërbejnë si një mesazh për të gjithë ata që, në kohë shëndeti, harrojnë se jeta është e brishtë, apo për të tjerë që harresa dhe rendja pas gëzimeve të çastit i bën të pakujdesshëm në raport me prekjen e ndjenjave të të tjerëve.

Ky rrëfim i sinqertë dhe i çiltër i Mira Kazhanit le të shërbejë si reflektim dhe si një çlirim shpirtëror për të gjitha ato vajza apo gra që përballen me këtë sëmundje të rëndë. Njëkohësisht, le të shërbejë edhe si një kujtesë e vazhdueshme për kontrolle periodike dhe për të mos i lënë gjërat që kanë të bëjnë me shëndetin për “një ditë tjetër”.

2 Komente

  1. H
    Ha ha

    Mut ti e kake Mira. Mjere kush ju lexon!

    Përgjigjjuni
    1. S
      Sass

      Mira kazhani eshte nje heroine qe mposhti nje perbindsh qe e kishte kapluar,nje vajze e perkryer dhe e edukuar. Urojme te jete mire

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje