Në një kohë kur Bashkimi Evropian po përballet me shumë vështirësi, ai nuk ka interes ta lërë luftën në Ukrainë të zvarritet pafundësisht. Por ai ka interesa atje dhe nuk mund të përballojë të bjerë dakord për një zgjidhje që i shpërfill këto interesa.
Nga Zaki Laidi
Zhvillimet e fundit në Donbas konfirmojnë se, ndërsa ushtria ruse po përparon vërtet, përparimi i saj është shumë i ngadaltë dhe vjen me një kosto fenomenale në jetë dhe gjymtime njerëzore. Por nëse presidenti rus Vladimir Putin mund të mos i kushtojë vëmendje vdekjes së qindra mijëra ushtarëve të tij, a do të thotë kjo që Ukraina dhe Evropa janë të destinuara të jetojnë me një konflikt të pafund?
Të besosh se Rusia është në prag të një lloj kolapsi ekonomik ose politik është një mendim i dëshiruar. Rusia ka shumë më tepër burime sesa ka Ukraina dhe perëndimorët e kanë nënvlerësuar shpesh aftësinë e ushtrisë ruse për t’u përshtatur. Vendi ende ka një kapacitet të madh për të prodhuar (dhe importuar) dronë sulmues dhe për të mobilizuar investime ushtarake me një ritëm dyfish më të lartë se ai i Perëndimit në Ukrainë. Kjo do të thotë se ajo mund të ruajë një epërsi si në personel, ashtu edhe në pajisje, pavarësisht humbjeve masive. Ekonomia civile mund të jetë e stagnuar, por makineria ushtarake po funksionon me shpejtësi të plotë.
Por edhe nëse jemi të gatshëm të pranojmë se nuk do të ketë zgjidhje ushtarake, sepse as Ukraina dhe as Rusia nuk mund ta fitojnë luftën, duhet të pyesim veten se si mund të ndalet gjakderdhja. Një mënyrë është që Perëndimi të rrisë mbështetjen e tij për Ukrainën, ndërkohë që bën më shumë për të thyer boshtin e ekonomisë së luftës së Rusisë, domethënë duke bërë ç‘është e nevojshme për të ndërprerë eksportet e saj të hidrokarbureve. Kjo nuk është një çështje e thjeshtë: importet e energjisë së Bashkimit Evropian nga Rusia në vitin 2024 tejkaluan ndihmën e saj vjetore për Ukrainën.
Për të detyruar një përballje që mund t’i japë fund luftimeve, duket se Evropës i duhet ndihma e presidentit amerikan Donald Trump. Shtetet e Bashkuara do t’i jepnin Ukrainës aftësinë për të goditur objektiva thellë brenda Rusisë, ashtu siç po vepron Rusia ndaj Ukrainës. SHBA-ja do të duhej gjithashtu të konfiskonte asetet financiare ruse të ngrira që janë nën juridiksionin e saj dhe t’i dërgonte ato tek Ukraina. Pastaj, SHBA-ja dhe BE-ja do të duhej të vendosnin sanksione dytësore ndaj blerësve kryesorë të hidrokarbureve ruse: Indisë, Kinës dhe Turqisë. Sanksionet dytësore të hartuara mirë kanë qenë armët më të mira të përdorura kundër ekonomisë së luftës së Rusisë deri më tani dhe masa të ashpra që synojnë sektorin e saj të energjisë mund të jenë pika e fundit që shkakton kolapsin pas një sërë presionesh.
Por Trump nuk ka treguar ndonjë interes serioz për të ndjekur këto opsione. Tarifa prej 50% që ai i vendosi Indisë nuk lidhej realisht me blerjet e saj të naftës ruse; përkundrazi, është një manovër për të përftuar lëshime nga qeveria e Indisë. Pasi t’i ketë marrë këto, Trump mund ta heqë taksën prej 50%.
Sa i përket Kinës, pasiguria është edhe më e madhe. Duke qenë se sapo ka njoftuar një armëpushim tregtar me Kinën, Trump nuk ka gjasa të rrezikojë ta armiqësojë atë për shkak të Ukrainës – një vend për të cilin ai nuk ka aspak interes. Për më tepër, nëse Trump do t’i kërkonte presidentit Kinez Xi Jinping të ndërhynte te Putin, çfarë do të kërkonte Xi në këmbim? Ai ndoshta do të propozonte një marrëveshje në të cilën Ukraina neutralizohet si një kërcënim i perceptuar ndaj Rusisë, gjë që do të kërcënonte interesat evropiane (pa përmendur sovranitetin ukrainas). Meqenëse kjo do të ishte në përputhje me diplomacinë e sferave të ndikimit që Xi, Putin dhe Trump e përqafojnë, Trump ndoshta do ta përqafonte me zell.
Ndërsa politika e jashtme e ish-presidentit amerikan, Joe Biden, synonte të ruante supremacinë amerikane në botë, Trump duket më i hapur për të bashkë-menaxhuar gjërat me kinezët, madje duke shkuar deri në atë pikë sa t’i referohet marrëdhënies kino-amerikane si “G2”. Por edhe me të gjitha përfitimet që do t’i shtoheshin Kinës në një botë të ndarë, Xi nuk do ta bindte falas Putinin. Përkundrazi, ai do të kërkonte që SHBA-ja të deklaronte hapur se Tajvani nuk është dhe nuk do të jetë kurrë një shtet i pavarur.
Që nga janari i vitit 2025, Putin ka arritur të blejë kohë duke manipuluar Trump-in, i cili manipulohet shumë lehtë. Megjithatë, kjo qasje tani po i afrohet kufijve të saj, thjesht sepse Trump nuk ka arritur të nxjerrë ndonjë lëshim nga Putin që do t’i lejonte atij të pretendonte, sado e pabesueshme, një fitore diplomatike formale. Megjithatë, Trump nuk po kërkon disfatën e Rusisë dhe megjithëse mund të jetë duke ushtruar pak më shumë presion mbi Putinin, nuk është lloji i presionit që do ta bënte ndonjëherë Putinin të dorëzohej. Por Kina mund ta shtyjë Putinin drejt një kompromisi.
Si mund të duket kjo? Fatkeqësisht, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen nuk ka kompetencën për t’u takuar me Xi-në si e barabartë; presidenti i Këshillit Evropian António Costa është tepër i përmbajtur; dhe shefja e re e diplomacisë së BE-së, ish-kryeministrja estoneze Kaja Kallas, duket shumë e dobët për të marrë drejtimin. Prandaj u takon shteteve kryesore anëtare – Francës, Gjermanisë dhe Polonisë (duke pasur parasysh afërsinë e saj me Rusinë dhe Ukrainën) – të veprojnë. Dialogu me Kremlinin duhet të ndodhë, gjithashtu, pavarësisht nëse u pëlqen apo jo evropianëve. Evropa e vetme nuk mund ta ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve, përveç nëse vë bast në një kolaps të Rusisë, gjë që është larg të qenit e sigurt.
Sigurisht, ajo që është e vërtetë sot nuk do të jetë domosdoshmërish e vërtetë nesër. Çdo gjë varet nga ekuilibri i forcave, jo nga parimet e qarta. Evropa, e cila po përballet me shumë vështirësi, nuk ka interes për një luftë të pafundme në Ukrainë. Por ajo ka interesa atje dhe nuk mund të përballojë një marrëveshje që i shpërfill këto interesa.
Europe Must Find Its Own Way in Ukraine
Lini një Përgjigje