
Këto ditë kryeministri i vendit Edi Rama duket se lëshoi pe për “çështjen Bejleri”. Edhe mendja më e thjeshtë politike e di se kjo erdhi pas një uverture jo të lehtë me koreografinë e politikës greke “ma jep, s’ta jap”, e kushtëzuar nga guri i dominosë që Greqia ka ndaj nesh me veton për stopimin e procesit të negociimit tonë me BE. Po t’i largohemi një hop të qenit shqiptar, qëndrimi i rreptë i Greqisë si vend i Bashkimit Evropian mund të dekriptohet ballazi me respektimin e të drejtave të njeriut dhe pakicave etnike, ndërsa nëpër basifondet okulte të një nacionalizmi, le ta quajmë edhe ekstrem, të tund bishtin si përherë i ashtuqëuajturi “Vorio Epir”.
Kjo e dyta, nga pikëpamja gjeostrategjike, e territoreve dhe e kufijve, sipas meje, është një çështje e mbyllur, porse gulshet e një kujtese historike të traumatizuar, sa nga grekët aq dhe nga shqiptarët, herë pas here dalin nga zgafellet e armiqësive të dikurshme, identitetit antropologjik, gjuhësor, fetar etj. Unë mendoj se gjesti politik i Ramës vjen në arsyen e vetë, pra në mendësinë e një shteti që mëton Evropën dhe mënyrat e zgjidhjeve të problemeve të tilla të mprehta, ku pikaset një ndërveprim a kokolepsje midis drejtësisë, administratës dhe ligjit ndërkombëtar. Ky gjest shpreh një zhvendosje të zgjuar qëndrimi, njëkohësisht edhe konceptit politik të qeverisë dhe kryeministrit drejt “real politikës”, çka përfshin natyrshëm një dioptri pragmatizmi që zgjidh punë, jo vështirëson e pamundëson. Vetua greke shtyu kështu drejt gjetjes së një kompromisi, kërkimin e një daljeje nga tuneli i krijuar në interes të përbashkët.
Çështja “Bejleri” u mbufat e u mbufat, dhe ec e gjeja fundin. Nuk kam dashur t’i futem kësaj siujdhese, që duket si ajo e Skillës dhe Karribdës; nuk jam një Uliks t’ju shpëtoj kafshimeve të përbindshave (nacionalizmave) sa andej, këndej. Shqiptarët kinse “patriotë” do më quanin tradhtar, grekët do më quanin “shqiptaromadh”. Kjo çështje nuk është thjesht politike, as thjesht produkt i deformuar i një procesi elektoral etj. Aty futen elemente të thukëta historike, antropologjike, linguistike. Ka pra disa “përbindsha”, që kërkojnë njerëz të ditur sa dhe optika bashkëkohore, pse jo kozmopolitane në sensin përtej-religjioz të “Urbi et Orbi”. Jo thika dhe dhëmbë të shtrënguara, por nderje dore, mirëkuptim, argument. Shkurt e troç: unë jam një shqiptar me origjinë nga Bregdeti, nga fshati Shënvasil, ndryshe thënë nga krahina e Himarës. Himara dikur kishte 55 fshatra, ku përfshihej krejt Labëria, që më vonë u islamizua nga turqit dhe Ali Pashë Tepelena. Pastaj Himara u identifikua në 18 fshatrat e saj të krishtera të Bregut të Detit në vijën Himarë-Nivicë-Bubar. Nga këto 18 fshatra vetëm tre flasin edhe sot greqisht: fshati Himarë (jo qyteti Himarë), Palasa dhe Dhërmiu. Të tjerat flasin shqip...
As dua t’ia di se kush është Fredi Bejleri. Po ka vjedhur vota, le të rrijë përpara togave të zeza: krenar apo kokëulur, si t’ia thotë mendja e zemra. Fredit nuk i lejohet të bëjë betimin. Fare thjesht, po të bëjë betimin, qoftë ose jo në proces gjyqësor, ai ka të drejtën e emërimit të stafit të tij, pra dhe angazhimin e këtij stafi për të realizuar premtimet elektorale. Kjo është pika nevralgjike që dua të cek në këtë shkrim a shqetësim timin. Cila është Alfa dhe Omega e Bejlerit për bashkinë e Himarës? Thembra e Akilit, sipas meje, është një dhe vetëm një: trajtimi i pronës në territorin e fshatrave të Bregut, që sot Zoti u ka falë pekule, teksa bashkëkohësia dhe zhvillimi i turizmit iu ofron një shans të artë begatie.
Po pse ia kanë dhënë votat fshatrat e Bregdetit Fredi Bejlerit, mos vallë pse ai na dashka të krijojë në Bregdet një premisë dhe hile helenizimi, ose siç e pat quajtur një politikan kinse patriot i madh i majës së fikut, “një Zajdnicë të re në Shqipëri”?! Brofka! Në histori, traditë, shpirt e gjak bregasit janë shqiptarë. Po pse atëherë këta “shqiptarë” ia japin votën Bejlerit? Pse? Është një pyetje që nuk zgjidhet me pozat patriotike prej një optike tashmë të perënduar, e cila e nguc “demin elektoral” drejt shkumëzimit ekstremist e “nacionalist”. Bie fjala, në dy fshatrat më shqiptare, Shënvasili dhe Nivicë, vota pro shkoi mbi 70 % ndaj Bejlerit. Ç’domethënie ka kjo? Vetëm se bregasit na paskan marrë, medemek, “kartrat greke” dhe prandaj na deklarohen si “grekë” dhe votojnë Bejlerin; apo anatema të tjera bizantiniste kundër tyre si votues, për të mbuluar të vërtetën, dështimin dhe falimentin e politikës ndaj krahinës së Bregdetit?
Afërmendsh, kanë pjesë të së vërtetës edhe këto. Por ka një arsye më madhore, sipas meje; besoj edhe për ata që e kanë votuar Bejlerin. Troç fare: është prona. Prona zotëri, prona, prona... Dhe prona në Bregdet konvertohet drejtpërdrejt në pasuri, para, investime, përparim ekonomik e social, status, shkëlqim. Këtë arithmetikë të thjeshtë e dinë të gjithë, edhe pleqtë e shastisur mbetur fshatrave. Mirëpo kësaj pasurie i janë sulur sot si çakejt jo thjesht oligarkët dhe gjithfarë sejmenësh lapangjozë, ardhur tufa-tufa nga basifondet e hajnive, por dhe vetë qeveria me favoret që u bën disave prej tyre.
Lexuesi e njeh historinë e Kakomesë. Sajuan ca dokumente dhe ia dhanë qyl një kompanie franceze për të bërë aty një fshat turistik. Por ai ujë i qelbur, gatuar nga qeveria Nano, nuk u shkoi për shalësh niviciotëve. Ata u ngritën, u përleshën me policinë dhe nuk kanë lënë gjer tani që aty të ndërtohen vilat e grabitqarëve. Kanë kaluar 20 e më shumë vjet dhe gjithçka është bllokuar. Kompania hoqi dorë sepse kërkonte saktësi dhe siguri hipotekore. Para do kohe kur rojet i penguan niviciotët të shkonin me fëmijët në plazhin e tyre, pronë e mbajtur me gjak në mijëra vjet, niviciotët e shqyen portën mbrojtëse të firmës. Është një mëri e grumbulluar viteve, ku e drejta dhe e padrejta, ligji moral dhe ligji i pashkruar po përplasen sot shumë fort.
Mos duhet lejuar që konflikti i mbushur me inat e mllef mes shtetit, që kërkon t’ua grabis pronën fshatarëve dhe t’ua japë disa klientëve të kamur të tij, nga njëra anë dhe fshatarëve që e kanë trashëgim nga të parët dhe ekzistenca e përgjakur historikisht e tyre, nga ana tjetër, duhet të marrë forma të vrazhda si para disa viteve? Njerëzit janë të dëshpëruar. Ata janë zhgënjyer nga qëndrimet e qeverive nëpër vite; janë të dëshpëruar nga ligji 7501, një ligj thellësisht bolshevik, që në bashkinë e Himarës ka nxjerrë kaq shumë probleme, padrejtësi, arrogancë. Bregasit kanë qenë dhe janë njerëz të respektimit të ligjit, por asnjëherë kokëulur, asnjëherë me psikologjinë e robit. Atë tokë ata e kanë mbrojtur me përrenj gjaku duke ruajtur fort identitetin e tyre krahinor, fetar, antropologjik.
Nuk i janë nënshtruar trysnisë perandorake të turqve, nuk pranuan konvertime të shpirtit për 30 asprat e pushtuesit. Kjo krahinë trimërore, e sublimuar edhe nga vargjet e Bajronit te poema e tij e famshme “Çajld Harrold”, ka qenë kocka që osmanët s’e gëlltitën dot, u mbeti në fyt. Si arbëreshët në Itali, arvanitët në Greqi, ky “gjak i paprishur” i shqiptarisë, ka klithur dhe klith: “Mos ma prekni dheun e të parëve!” Ishte kjo trimëri e ky gjak i paprishur shqiptar, që e detyroi Sulltanin e turqve të pranonte “venomet” për krahinën e tyre, Himarën, e cila kishte një farë autonomie nga pushteti qendror: nuk paguante taksa, himariotët mbanin pushkë, bënin gjyqe vetë, kishin vetëadministrimin e tyre etj. Andaj dhe populli krijoi lapidarët e kujtesës së vet për të. Unë po përmend vetëm dy këngë-lapidarë të bregasve:
I:
Dhe sulltani vetë ka thënë:
Djemt e Bregut mos i ngisni,
Ditë e natë në luftë janë,
Xhelep, vergjil të mos paguajnë,
As nizamë të mos shkojnë,
Janë të falur me ferman.
II:
Kush është lulja e Vilajetit
Që bota i kanë sevdanë
Himara në breg të detit
Fshatrat të gjith’ sa janë
Ftisur o në oqean,
Të penës e të dyfekut,
Aman trima, kapedanë!
I kthejnë pendët Dovletit,
Si zogjtë në tramundanë…
Toka, zotërinj të pushtetit, ju të djeshmit që gatuat çorbën e 7501-shit dhe ju të sotmit, që keni futur turinjtë duke vjedhur mijëra e mijëra metra katrorë, hektarë pa fund, me burrat tuaj (ish ministrja Xhaçka) a pa gratë tuaja (ca ish deputetë zhvatës të njohur kësaj ane) – TOKA është bulbi, palca. “Toka” nuk janë ca letrat dhe ca vula hipoteke të paguara me para nën dorë, as ca ligje kokëqypash që erdhën në vitin 1992 me flamujt e grisur të komunizmit, me paradigmat e reformës agrare, kolektivizmit, parimit leninist se “toka i përket atij që e punon” dhe dërci-vërci. Jo zotërinj, toka është e drejta natyrore e njeriut për atë vend ku i kanë vdekur gjyshër e stërgjyshër. Prandaj quhet e SHENJTË. Jo kokëfortësia, por dialogu konstruktiv mund t’i japë zgjidhje e paqe bregdetarëve, ndryshe shuplakës së abuzimeve të bëra ata iu përgjigjen po njësoj me shuplakë. Ka kaq shumë zhgënjim e dëshpërim te banorët e kësaj zone.
Me peticione të shumta ata kanë kërkuar që toka t’i kthehet të zotit, siç e lejuan në zonat veriore po këta qeveritarë. Pse aty e lejuan dhe në Bregdet, një zonë aspak fushore por me male e kodra, nuk e lejuan ndarjen sipas pronarëve legjitimë, paçka se shoqata “Bregdeti” u mundua dhe u mundua pa fund që “toka të shkojë tek i zoti”. Sepse aty, në fshatrat e malësisë, ku edhe sot vepron Kanuni, gjakmarrja, lëvizte lehtësisht gishti e do vriteshin me qindra e mijëra për dy gisht dhe´. Ndërsa Bregdeti, siç thashë, është një zonë që ka njohur dhe njeh ligjin, ato “venomet” qysh nga Sulltani i Madhërishëm (?!!!). Por ata nuk durojnë kur ligji i Maliqit ia hip në kurriz. Jo! Këtij ligji grabitqar 7501 i ka ardhur koha e zhbërjes; një ligj tjetër duhet hartuar.
Dhe kjo një ditë do të bëhet se s’bën, vullneti popullor bregas do ta bëj më në fund, duan a s’duan qeveritarët e përkohshëm sot, do apo s’do ky hajdut apo ai tjetri me emrin “oligark”, gjithë ajo skotë që ia imponon kësaj apo asaj qeverie hajninë. Toka nuk vdes. Toka është një talisman. Toka ka shpirt. Unë kam shpresuar se kryeministri Rama, me një gjak nga Bregu prej të ëmës (Vunoit), do ta dëgjonte këtë thirrje, këtë shpirt. Duhet ta dëgjojë nëse nuk do dëshironte nesër të korrte prej tyre jo dashuri, por indiferencë, mos qoftë dhe më keq. Zhvatja e asaj toke është si rrasa e varrit, nuk fle, ka frymë brenda. E fryma del jashtë kur ia lëvizin rrasën.
Unë po i drejtohem rishtazi kryeministrit Rama, me fuqinë, autoritetin politik dhe atë intelektual që ai ka, me vizionin perëndimor (pra dhe trajtimin e ardhmë të tokës), që të kuptonte të vërtetën. Le të merrte rolin e një farë Samsoni, dhe filistinëve të shumtë që e rrethojnë t’jua priste duart e zgjatur ndaj Bregut. Thjesht dhe qartë, a e rrëzon dot tempullin e hajdutërisë zoti Rama, i cili ka vite që korr e pret asaj ane?! Bregdeti është i bregasve. Kjo po kuptohet e po bëhet çdo ditë e më e mprehtë. Jepjani tokën bregasve dhe ata hyjnë vetë në marrëveshje kontraktuale me investitorët, qoftë për një hotel, qoftë për një shëtitore a qoftë për një fshat turistik.
Ja, prandaj bregasit ia deleguan besimin politik Fredi Bejlerit. Sikurse e thash, fati i tij as më intereson. Më intereson vendi ku kam eshtrat e gjysh-stërgjyshëve. Madje-madje do doja që krahina ime të përfaqësohej jo nga hidraulikë e njerëz me probleme, por nga mendjendritur, profesionistë dhe intelektualë të shquar. Nuk është blerja nën dorë e ca votave për “letrat greke” arsyeja pse bregasit votuan këtë njeri me emrin Fredi, por premtimi i tij për pronat dhe mbrojtjen e tyre nga zhvatësit. Shumë gjërave po u del era, ato qelben gjithandej nga agjendat korruptive. Në tortën e pushtetit përherë ecejaken mijëra minj, grenza, shtërpinj, shushujza, mushkonja, pleshta. Kush do t’i dëboj këta nga “tempulli”? Duhet një kamzhik prej Jezusi. Po ku është ky Jezus, ku? Bëhuni ju një kamzhik zoti Rama si djalë Bregu që jeni, nëse mundeni. Se në mos e marrçi ju, një dorë tjetër do ta marr nesër me siguri atë kamzhik të së drejtës historike e njerëzore.
Ju kujtohet besoj historia e Kakomesë. Një lider i gjatë me emrin Sali Berisha shau asoherë një lider të shkurtër me emrin Fatos Nano për dhunën e kryer. Ky lideri i gjatë i premtoi fshatit (për të blerë ca vota) se ai rrip bregu do t’u jepej niviciotëve porsa ai të vinte në pushtet. Dhe erdhi në pushtet, qëndroi 8 vjet, kurse fjala?!... Ah, fjala e dhënë! Verba volant, scripta manent, - thoshte urtësia latine e senatorit Caius Titus. Unë e di se ka mbaruar epoka e legjendave me një Kostandin e një Dhoqinë. Kostandini nuk mund të ngrihet më nga varri si dikur dhe të mbajë fjalën. Besën, pra. Jo! Sepse kostandinët e politikës shqiptare janë, për dreq, të pabesë ose besëthyer. Ka kohë që në këtë kërleshje partish vallja kështu hiqet: besa bëhet pabesi. Bregasit e kanë kuptuar tashmë se ukaçjerrët apo gojaçjerrët e partive kurrë nuk i sosen këtij dheu. Ata duhet ta mbrojnë vetë tokën e tyre. Jo me dhunë, por me protesta, me opinione.
A e keni vënë re se këto vite çakej të shumtë i janë qasur dhe po i qasen tokave të bregasve, me xhepa të majmë - këta rishtarë qurrashë të Mamonit, djallit të parasë. Ata dinë të futin nëpër xhepat e qeveritarëve kartmonedha. Dhe e gjitha kjo kthehet më pas tek bregasit në refuzim elektoral, në zhgënjim. Prandaj u shpreh edhe në votë ky zhgënjim me zgjedhjen e Bejlerit. Nuk mund të fajësohet votuesi këtu, apo jo? Jo, kurrë! Bejleri vodhi ca vota (e kush nuk ka vjedhë vota në Shqipëri), por ama fitorja e tij është një sfidë. Një sfidë me shumë konotacione. Ju zoti Kryeministër dhe vetë Partia Socialiste duhet ta zbërthejë mirë semantikën politike të saj. Siç e thashë, arsyeja bazë e fitores së tij ishte pikërisht premtimi për një politikë dhe vendimmarrje të drejtë ndaj pronave. Sepse kur Anton Antono-viçët shqiptarë që bubrojnë hallkave të shtetit dhe hipotekave e trashin zullumin, kështu po ngjan, s’ka zgjidhje tjetër.
Bregasit janë nga më atdhetarët e këtij populli: qysh nga perandoria e ububushme osmane, te Rilindja, shpallja e pavarësisë, themelimi i shtetit shqiptar, Lufta II Botërore (ku gjithë fshatrat qenë të lidhura me Lëvizjen çlirimtare) e gjer sot. Syçelët siç janë, ata kanë dalluar një bajloz, i cili ka ardhur me thika e topuzë; jo nga anijet pirate, por nga kolltuqet qeveritare dhe lukunia e grabitqarëve lloje-soje, ministra e gjer tek aktorë komikë. Ka një shpjegim të thjeshtë e gjitha kjo: paraja. Liderët a “rreshterët” e çorbës shqiptare harrojnë se toka është e niviciotëve, shovasjotëve, lukovjotëve, piqerasjotëve, sasanjotëve, borshjotëve, qeparotasve, vunojatësve, himariotëve, dhërmiotëve, palasiotëve etj. E BREGASVE. Hyr në marrëveshje me ta! Bëjeni çdo gjë sipas ligjeve që tregu ka. Gjithfarë çifçinjsh presin gojë hapur të kafshojnë diku ndonjë thelë fshatrave tona. Ndaj dhe “Al Kaponet” e sotëm i janë sulur Bregdetit për t’ua rrëmbyer atë begati, atë dritë, atë “shkëlqim ari” që Zoti vet ua pat dhuruar dhe historia e ka shkruar në përrenj gjaku e trimërie. Sepse niviciotët me Kakomenë, shovasjotët me Krorëzën, si edhe gjithë bregasit e tjerë, nëpër shekuj luftërash i kanë mbrojtur ato rripa toke, ato brigje me zhavorishte, ata shkëmbinj si tapitë natyrale të ekzistencës së tyre.
Çështja e tokave të Bregdetit sikur kërkon një Aleksandër të Madh për ta prerë dysh nyjen gordiane (nyjen e dijetarëve të qytetit të Gordit). Duhet një e rënë shpate. Dhe kjo “shpatë” lëvizet ose nga qeveria dhe ligjvënësit, ose e drejta, sipas konceptit të tragjedisë greke, do të iki prej tyre dhe do të shkojë në duart e banorëve të kësaj krahine. “Çështja Bejleri” është thjesht një pretekst, jo nyja. Kuptojeni, më në fund, se cila është NYJA...
Beqiraaaaaaaaaa sumpalare tourkalvanoi pasardhes te dobiceve te nizameve te sullton Muratit: qelbet Laberine greke me pranine tuaj!!!!!
KUNDËR MALLKIMIT TË GJUHËS SHQIPE Si shqiptarë që jemi Shqip ne duhet të mësojmë Dhe Zotin, të drejtë kemi, Ne gjuhën shqipe ta lëvdojmë. Epo ju gjuhën tonë Doni ta humbisni fare Dhe me mallkim e me nëmë Shprehni ta shpini në varre. S’më vjen rëndë nga priftërinjtë Që s’ dinë ç’ bëjnë e ç’punojnë, I urdhërojnë të zinjtë Që gjuhën shqipe ta mallkojnë. Po krye-priftërinjtë e tyre Nëkëmbës t’ orthodoksisë Shumë punë prej mynxyre Bëjnë kundër Shqipërisë! Të mallkojnë njerëzinë Të nëmosin gjuhën tonë, Të përçajnë Shqipërinë, Zoti mos e pastë thënë! Thonë s’ ditka Krishti shqip Dhe shqip-fjalë s’ pret prej nesh, Vetëm në gjuhën greqisht Të dëgjon e të mban vesh! Këto e shumë të tjera, Që dëgjon në kishë brenda Dhe na mallkojnë për hera Gjuhën tonë që s’ ua k’ ënda. S’ kanë frikë as turpërohen Që përçmojnë Perendinë, Po mburren edhe lëvdohen Sepse shërbejnë Grejqinë! Gjuhën e kemi tonë Të vjetër dhe të vyer, Nga Perendia ish thënë Që ta ruajmë të çkëlqyer. - Poezi nga Petro Nini Luarasi
Vdekje fashizmit grek, liri popullit shqiptar!
Shkrim -analize e fakteve dhe ngjarjeve ne menyre te thjeshte per tu kuptuar. Analize me zemer ne dore thuhet zakonisht. Z.kryeminister duhet ti lexoje dhe degjoje vëmendshem keto shkrime-analize. Kembanat bien per ata qe kane veshë! Nuk humbi Jorgo Goro se i terhoqi veshin kryeministri per papastertite!!!! As se populli i Himares u genjye nga Sali Berisha, Ilir Meta apo Fredi Beleris! Fakte jane ne kete shkrim ! Te lumte z. Papagjoni
Zotëri, keni të drejtë, por jeni kujtuar tepër vone, druaj qe jeni dhe ca legen: pse nuk shkruani dhe kunder oligarkut Mane që ka ngritur fshat turistik në territor të tjeterkujt, ne Palase... Aty nga viti 2005, ishte ende Nano kryeminister, dhe do të vinte për vizite nje grup deputetesh europiane... Asnjë njoftim, qoftë dhe dy rreshta në shtypin e shkruar apo pamor për këtë ngjarje... Një i njohuri im e merr vesh nga brenda dhe proftas të na njoftoje disa të tjerë dhe mua diten e parafundit të vizites se tyre.. Me nja dy pankarta, dalim të nesermen diku para Pallatit të Kongreseve nga do të kalonin deputet... Ishim 8 a 9 vetë... Ne nje moment, nje i aferm im më thotë: Me mirë të ikim, se kaq vetë sa jemi ne, deputetet europiane do të thonë: dhjetë vetëve iu qenka mohuar e drejta e prones !? Nuk do t'ia vlente të luftohej për kaq... Pergjigja ime: ke të drejtë. Por unë do te rri, nuk iki... Vetem kaq mund të bëj, të rri... Zoti që është lart me shikon qe bëj aq sa mundem, pjesen tjetër e bën vetë Ai... Qendruam Zotëri, nje njeri dhe intelektual i vërtetë e mbron gjithmonë të drejtën, kujtdo t'i takoje ajo, jo vetem kur i preket interesi i tij... Prona më së pari është ceshtje identiteti pastaj pasurie... Andej nga jam unë, themi: Guri i babes... Z. Baze, ma nxirr komentin..
Eshte tjerre gjate , vetem e vetem per te nxjerre ne drite nje nga arsyet se perse elektorati Bregas votoi ne shumice per nje njeri me shume probleme , si F.Bejleri ! Dhe ky shkak , ndoshta mund te jete edhe faktori kryesor qe thithi aq shume vota , por me ben pershtypje se artikullshkruesi nga Shenvasia , si per te bere tualet karikatures se F.Bejlerit , prek tangent vetem nje here kontributin e Bregasve gjate Luf.NCL dhe gjithe betejen e perqendron ne periudhen e sundimit osman . Bukur e thote autori , qe Bregasit mund te kishin zgjedhur per kandidat bashkie ne Himare nje intelektual te vertete , me horizont , kulture e qyteterim europian dhe jo nje njeri ordiner , te pa arsimuar , terrorist si puna e Bejlerit , qe ne cdo dalje publike premtonte e premtonte nje fare "Ceku te bardhe" nga qesja e Athines . Avokati me i zellshem i kandidatures se shemtuar deri ne neveri per k/bashkie , gjate gjithe kohes , ka qene dhe mbetet Greqia , krahu me ekstremist i politikers tradicionale greke , duke e ngritur problemin ne nje shkalle te pa pare te diplomacise boterore , duke iu identifikuar te gjitheve ju si qytetare te kombesise greke , qe ti i dashur artikullshkryes e anashkalon , per te mos e pare nje gje te tille . Pa as me te voglin dyshim qe Bregu ka mjaft probleme te pronesise , pooor e verteta eshte se jo me pak probleme per pronen , qe bien ndesh me ligjin 6501 kane mbare shtetasit shqiptare ne gjithe territorin e vendit . Kujton ti se duke u shkrire me ekstremistet Vorio-Epiriote , do te zgjidhet problemi juaj ? Shembull i paster eshte qendrimi grek ndaj pronave te cameve qe u debuan nga Greqia dhe nuk iu lejohet as te udhetojne ne shtetin grek e jo me te marrin pronat e tyre . Te gjitha keto sa thua , do te shumezoheshin me zero , ne se Bregasit do i u zinin bese Zervasve dhe do benin nje faj te pa shlyeshem ne dem te tyre dhe te gjithe Shqiperise , ngjashem me ate qe tregojne per nusen qe fjeti me mullixhine per inat te se vjehrres .. Edi Rama , i votuar me shumice ne krye te qeverise , duhet pa tjeter te ideoje nje zgjidhje sa me te drejte , te ndershme dhe te shpejte per problemin e prones se lene pezull , por kjo duhet bere pe te gjithe shtetasit shqiptare te republikes , jo ne favor te atyre qe kerkojne te helenizojne kedo qe ka qefmbetje me qeveritaret e sotme . Ti thua qe Salik Berisha iu ka mashtruar disa here , atehere une te pyes perse bete serisht aleance me te ne zgjedhje dhe e votuat kesaj radhe ?! Pra nuk qenka teresisht e vertete qe ti kerkoke vetem pronat , por . . . , diku fle lepuri ! ! !
Shume e ke zgjatur muhabetin o Josif Papgjoni nga Shen Vasili, por ne fillim e nise drejte me nje gabim te vogel qe ne veper eshte shume i madh: qe e paska zbutur Edi Rama problemin ! Edi Rama ka bere nje gabim njesoj si komisioni i zgjedhjeve qe arrestimin e Fredi Belerit duhej ta zvjetnonte menjeher me vendim keshillit Ministrave, se nuk na duhen njerez te tille edhe kriminele edhe hajdut, gje per te cilen ti e nise ndryshe dhe perfundove tek hajdutelleqet e qeverise duke na treguar dhe kenget e trimireise te Bregut. Por Edi Rama nuk eshte terhequr me sa kuptoj une, por eshte korrekt me drejtesisne. Gjykata mori vendim per te qendruar ne burg Beleri dhe ai ka detyrimin ligjor te mos ta lere popullin e Himares pa kryebashkiak e pa administrator: te shpalle zgjedhje te reja duke e shkarkuar Belerin. Fredi Belerin nuk e kane votuar per pronat 19 votat e Vranishtit, ashtu si pretendon dhe ti, por e kane votuar se i duhet Greqise nje kale Troje. Fredi Belerin e mbron direkt kryeministri Greqise qe kishte kohe ta vizitonte ne Himare, ka kohe qe dergon me radhe ministrat e tij te kabinetit ne burg qe kundershton Gjermanine e Francen mbi aresyetimin dhe gjykim .. Si mendon zoteria jote, Greqia dhe qeveria e saj jane ne rregull per veten e tyre me njohjen e minoriteteve, me te drejtat e pakicave me ligjin e luftes ect ect?! E, pra, Greqia dhe Beleri notojne ne krim te perbashket dhe nuk jane pronat ato. Me vjen keq qe ben histori dhe trajton problemin thjeshte ashtu si u intereson fqinjit tone qe s'e nderrojme dot. Urdheroje Fredi Belerin te dorezoje kodin e telefonit qe po heziton, por aty do dale dhe zeri Micotaqit dhe ministrave te tij. Edi Rama ka mbajtur qendrim dinjitoz hapet, konseguent deri me sot ashtu si ne OKB edhe ne Bruksel edhe ne Tirane. Kembeoret e ministarve dhe gazetarise greke ja kane ulur vete autoritetin shtetit grek dhe e kane katandise ne gjendjen e atij qe vuri kandidat Fred Belerin nga Progonati. Votat Beleri i mori nga 300 euroja greke, nga autobusat me njerez qe dergon qeveria e Athines falas, te tjerat s'dihen, nga 50 eurot qe moren bregdetasit dhe Lumi Vlores qe nga Kuçi e deri ne Vranisht te Vlores. Per ata ujet e Shushices nuk ze gje ne goje ti Josif qe po shkaterrojne nje krahine te tere. ! Lerini gjerat te rrjedhin se keshtu si beni ju litare mblidhni rreth vetes. Greqia ulurin se mos i dalin bisedat kriminale ne telefon te udheheqjes se saj.