Po na i bëjnë heronjtë si gotat plastike

3 Shkurt 2024, 10:56Blog TEMA
Po na i bëjnë heronjtë si gotat plastike

Nga Çapajev Gjokutaj

Ditët e fundit nē rrjet has shumë reagime kundër Big Brother Vip. Nuk e ndjek, ndaj nuk mund  të them sa të drejta janë kritikat aq shpesh të përziera me nervozizëm dhe qasje sarkastike. Gjithsesi thelbi i tyre ngjan racional se lidhet me një problem ashtor për shoqërinë tonë: çfarë modelesh u ofrojmë publikut dhe sidomos të rinjve; a i nxisim ata të priren nga puna e vlerat apo nga kotësia e vulgariteti?

Ky problemi i modelit m’u rikujtua mbrëmë pasi mbarova së pari filmin ‘Argjentina, 1985’, fitues i Golden Glob 2023 dhe njëherësh edhe i nominuar për Oscar, si filmi më i mirë i huaj. Subjekti rreket të tregojë sesi prokurori federal i Argjentinës, Julio César Strassera (Ricardo Darín) vë në bankën e të akuzuarve përfaqsuesit e juntës ushtarake, shkaktarë të mijra rrëmbimeve, torturave, vrasjeve e zhdukjeve.

Në rrjedhën e ngjarjeve shohim sesi  gradualisht Strassera pranohet nga bashkëkohësit si hero kombëtar, si David që përgjunj Goliathin fashist. Megjithatë para syve tanë si spektatorë nuk shfaqet ndonjë heroizëm impozant, përkundrazi prokurori na bëhet i dashur e i respektuar si një figurë thellësisht njerëzore që, krahas dramës, vendosmërisë, principialitetit përjeton edhe pasiguri, ndruajtje e frikë, ndriçuar të gjitha këto nga një humor i ngrohtë e dashamirës.

Me pak fjalë filmi sjell një hero që është në radhë të parë njeri, si unë dhe si ti dhe që na grish të mendojmë se heroizmi nuk zbret nga qielli, as nga legjendat, po është pjesë e të zakonshmes; nuk shfaqet me poza, pohë e bujë po me vlera e me modesti.

Ky rrafsh i filmit bëhet më i pëlqyer ngaqë klima e sotme kulturore përpiqet të na mbushë mendjen se heronj të kohës tonë janë ata që dalin shpesh në televizion: politikanë, këngëtarë tallavash, llafollogë studiosh, njerëz bjerrakohë që rrinë me javë e muaj në reality show etj., me një fjalë personazhet mediatikë.

Në fakt edhe shumë prej nesh janë të prirur t’i shohin këta si heronj, por harrojnë se ka disa ndryshime thelbësore mes heronjve të vërtetë dhe të famshmve mediatikë.

Kështu psh, heroi peshohet me vepra, me arritje, kurse personat mediatikë me famë, popullaritet a thjesht me klikime.

Mediatikët hyjnë në lajme, kurse heronjtë në histori, thoshte një historian.

Mbase s’do lenë mënjanë edhe një ndryshim tjetër: koha praron heronjtë dhe zbërdhul të pompuarit nga media. Harrohen në pak kohë, si të mos kishin frymuar kurrë.

Arritje e madhe: edhe ‘heronjtë’ po na i bëjnë njëpërdorimsh si gotat plastike a, më shqeto, si bebelinot.

6 Komente

  1. Q
    Qazim Mulleti

    Me falni,Argentina film kandidat per Oscar.Ne shfaqim rrenat e neverite e filmave te Enverit.P.s 45vjete,nje popull jetoj si afrikan,persekutimi brez,pas brezi..junta zgjati pak vjete e familjaret asnje pasoje.Pak tallen dynjaja me ne

    Përgjigjjuni
    1. n
      ndjeks

      nuk e ndjek thote dhe nderkohe shkruan nje artikull perj puritani. po ti ndiqe nje here pastaj krijo opinion

      Përgjigjjuni
      1. T
        Treni

        Ndoshta kemi shoqëri të ndryshme ne. Por (të paktën Big Brothel) asnjë nuk i shikon si heronj. Thjeshtë tallim me nderën me to dhe shyqyr që janë aty se nuk ka plaka me çfarë me u marr gjithë ditën fundja.

        Përgjigjjuni
        1. A
          Aqifi

          Po jo mo Capajev nuk i shef njeri so heronj... Thjesht kalojme kohen, sic shofim majmunet prapa xhamit ne kopesht zoologjik, kaq!

          Përgjigjjuni
          1. N
            Niko pe Korçe

            Më vjen keq zotëri, por shikueshmëria e BB ka rënë, edhe kush i sheh i sheh për të kaluar kohën dhe në moment bëmat e injorantëve të pompuar si VIPa harrohen. Populli nuk është idiot, po ka një fash njerëzish që nuk kanë interesa as për shkollë as për kulturë …..e më e keqja as për punë. Vetëm këta shikojnë këtë palo emision që i çedukon rinin jo ti edukoj.

            Përgjigjjuni
            1. H
              Hasoni

              Bipolariteti hero- gjasme hero eshte i vjeter sa vete kultura njerezore, keshtu qe nuk shqipton ndonje gje te re ne rrafsh konceptual. Me tej, ju z. Capajev beni nje gabim foshnjarak ; fokalizoheni te nje produkt televiziv subkulturor qe nuk e ndiqni. Me kujtuat nje mikun tuaj poet qe diskuton per librat qe nuk i ka lexuar ( e pohon vete gjate diskutimit)!

              Përgjigjjuni

              Lini një Përgjigje