Pse Papa e ka gabim për Moskën?

30 Gusht 2023, 17:23Blog TEMA
Pse Papa e ka gabim për Moskën?

Nga Nathalie Tocci

Të reflektosh mbi fjalët e folura nga Papa Francesco gushtin e kaluar para një auditori vajzash dhe djemsh katolikë rusë me rastin e Ditës së Rinisë në Shën Petersburg nuk është e lehtë.

Nuk ka dyshim se Papa ka qëllimet e tij më të mira: synimet për paqe dhe drejtësi. Por pikërisht për këtë arsye është e rëndësishme të nënvizojmë pse ato fjalë ishin kaq serioze, pse ato kanë krijuar konfuzion në Ukrainë dhe në pjesën tjetër të Evropës Lindore dhe pse pengojnë misionin dhe vizionin e Vatikanit për paqen.

Papa foli për madhështinë e perandorisë ruse, për rëndësinë e trashëgimisë së lënë nga Katerina II dhe Pjetri i Madh, ai ftoi të rinjtë që të mos i kthejnë shpinën asaj trashëgimie, atij identiteti. Këto janë fjalë që Vladimir Putin do t’i ketë vlerësuar pa dyshim.

Sepse lufta e Putinit është gjallëruar pikërisht nga ai identitet, nga ajo trashëgimi, nga ambicia jo vetëm për të mos harruar, por për ta rikthyer atë madhështi; një madhështi e bërë nga ekspansioni, pushtimi, asimilimi dhe imperializmi. Muaj më parë, në fillim të luftës, kur ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u pyet, në një takim privat, se cilët ishin këshilltarët që Putini dëgjonte më shumë, Lavrov u përgjigj me një buzëqeshje: “Katerina, Pjetri dhe Ivani (i tmerrshmi)”.

Jo, nuk ka nevojë të inkurajohen të rinjtë rusë që ta kujtojnë atë trashëgimi; një trashëgimi që Putini e kujton me melankoni dhe e lavdëron shumë publikisht. Është pikërisht ai kujtim dhe ai fiksim për të ringjallur një të kaluar të lavdishme që ka sjellë qindra mijëra të vdekur në një luftë që menduam se i përkiste një të shkuare të errët të kontinentit tonë.

Dëshira për t’i bërë nder rinisë ruse është, pra, e kundërta: të mos ringjallet një kujtim i dhunës dhe abuzimit të së kaluarës, por përkundrazi të krijohet një identitet i ri, identiteti i një shteti kombëtar qytetar rus që respekton fqinjët si të barabartë.

Sepse drama e Rusisë dhe Evropës Lindore është pikërisht fakti se ky hedhja pas shpine e këtij identiteti rus nuk është realizuar kurrë. Është një pasazh që parashikon një disfatë si kusht të domosdoshëm, por jo të mjaftueshëm, qoftë ushtarak apo politik. Anglia, Franca, Gjermania naziste dhe të gjitha fuqitë e tjera perandorake evropiane nuk i dorëzuan vullnetarisht kolonitë e tyre për hir të të drejtave të njeriut dhe barazisë së popujve.

Ata e bënë këtë sepse humbën, qoftë kjo një disfatë ushtarake si ajo e Francës në Algjeri apo e Gjermanisë naziste në Evropën Lindore, apo një disfatë politike kolosale si ajo e Anglisë përballë fuqisë morale të Mahatma Gandhit në Indi.

Në Rusi, perandoria u shemb dhe Bashkimi Sovjetik u shpërbë, por mundësia nuk u shfrytëzua gjatë viteve kaotike 1990 për të braktisur imperializmin dhe për të krijuar një identitet të ri qytetar rus të përqendruar në bashkëpunimin dhe respektin për fqinjët.

Dëshira për t’iu drejtuar të rinjve rusë, ukrainas dhe të gjithë evropianëve është që në hirin e kësaj lufte të re perandorake, Rusia do të duhet të gjejë forcën dhe guximin për të ri-imagjinuar veten, duke i zhvendosur Katerinën dhe Pjetrin në një të kaluar diametralisht të kundërt me të ardhmen e saj.

3 Komente

  1. K
    Kryeveziri nga elbasani

    Rroft Papa ,,per fjalet qe tha ,,,,rrofte RUSIA E MADHE ,,,Rrofte Vladimir Putin ....

    Përgjigjjuni
    1. V
      Vija e masave

      Papen e njohim Tema,por kete Nathali tocci,si ta njohim kur ju nuk keni paraqitur asnje nishan te saj?

      Përgjigjjuni
      1. V
        Vjosa.al

        Me nje klikim on line do ta njohesh Nathalie Tocci-n, nese vertet do qe ta njohish. Eshte italiane, rreth te pesedhjetave, experte e politikave dhe marredhenjeve nderkombetare, e specializuar per ceshtjet dhe rolin e BE-se. Ajo ka drejtuar Instititutin per Ceshtje Nderkombetare, ne Rome, nje prej 20 me te permendurit ne bote nga lista e instituteve te njohur si Think Tank, eshte autore e shume librave e studimeve per ceshtjet nderkombetare dhe te rolit te BE-se, keshilltare politike per ceshtjet e jashtme dhe te BE-se per politikane italiane, perfshire Mogherinin. Nderkaq e kuptoj dhe jam dakord me shqetesimin tend qe, kur ne mediat tona sillet nje shkrim nga nje autor i huaj, i panjohur nga publiku yne, redaksite perkatese duhet te sjellin me pak rradhe profilin e autorit, per ti mundesuar lexuesit te vleresoje dhe konsideroje peshen e studimit, te opinionit apo te sugjerimeve te ketij autori. Ne kete rastin e ketij shkrimi, une personalisht jam plotesisht dakord me thelbin e opinionit te Tocci-t: Mentaliteti dhe trashgegimia e Perandorise Ruse, te zbatuara ende sot ne Kremlin, jane nje rrezik real per paqen dhe sigurine e Evropes dhe nje burim luftrash e tragjedish per fqinjet e saj dhe per zonat ku shtrihet ndikimi dhe pretendimet e saj. Ilustrimi me aktual i ketij faktori eshte pushtimi dhe shkaterrimi i Ukraines, dhe luftrat pas dizentegrimit te Jugosllavise, masakrat serbe ne Srebenice e Kosove dhe vete situata aktuale ne Ballkan.

        Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje