Qeveria ndryshoi e gjitha për të ruajtur gjithçka ajo ishte

2 Mars 2026, 08:55Blog Nga Fitim Zekthi

Kryeministri Rama ndryshoi në mënyrë gati të plotë të gjithë qeverinë. E goditur nga akuzat për korrupsion ndaj ministres Balluku, e dobësuar nga kërkesa e prokurorisë për të i hequr imunitetin dhe arrestuar ministren Balluku, e ndikuar nga ekspozimi i një korrupsioni të thellë sistemik që niste nga AKSH-i dhe dyshimet për bashkëpunim të ngushtë me krimin e organizuar, dhe nuk dihet se ku mbaron qeverisja e kryeministrit Rama, po luftonte dhe populli lufton për mbijetesë.

Ndryshimet në qeveri ishin të pritshme, por të kryera disa orë pas mbledhjes së grupit parlamentar, ku u tha asgjë për to, dukej se synonin qartazi të krijonin një efekt spektakolar. Edhe herë të tjera më parë në këto vite kryeministri e ka përdorur këtë stil ndryshimesh, duke mos lajmëruar askënd nga ministrat apo drejtuesit e lartë të PS-së, por duke njoftuar befasisht ndryshimet.

Në thelb ndryshimet janë bërë plotësisht për të ruajtur. Në thelb Rama nuk ka ndryshuar asgjë. Ndryshimet dhe spektakolariteti i tyre synojnë të organizojnë më mirë pushtetin e tij, të forcojnë më mirë pushtetin e tij.

Pa hyrë te emrat e larguar dhe afruar, duhet bërë e qartë se kur flitet spektakli nuk do të thotë se është “i rremë” apo thjesht i sajuar. Spektakli, siç e thotë gjerësisht Jean Baudrillard, i referohet një mënyre të veçantë organizimi të politikës përmes dramës simbolike, përmes përplasjes së skenëzuar, përmes narrativave të ngarkuara emocionalisht apo edhe konflikteve të personalizuara (që në këtë rast janë po nuk duken), në mënyrë që analiza strukturore e politikës të zhvendoset në plan të dytë. Në një politikë të spektaklit, dukshmëria bëhet më e rëndësishme se përmbajtja; ajo e tejkalon politikën publike.

Spektakli nuk mohon ekzistencën e konflikteve reale; nuk mund t’i mohojë, por ama ai i riformëson ato. Krizat e thella strukturore të qeverisjes, korrupsionin e lartë te dyshuar te ministres Balluku, akuzat për përfshirjen e krimit të organizuar, marrëdhëniet e këqija me BE-në dhe Gjermaninë, luften e brendshme, luften ndaj drejtësisë, lodhjen e madhe e njerëzve,  spektakli përpiqet të mos i trajtojë ose të mos i lejojë të trajtohen në nivelin e shkaqeve të tyre materiale dhe institucionale. Në vend të kësaj, ato dramatizohen, shndërrohen në rrëfime të moralizuara apo në ngjarje mediatike ose në fatet personale të ministrave.

Arkitektura e thellë e pushtetit, mënyra e shpërndarjes së të mirave apo privilegjeve, regjimet e shpërndarjes, vetë struktura e pushtetit dhe raporti me opozitën, mbeten kryesisht të paprekura.

Spektakli, pra, funksionon si një mekanizëm zhvendosjeje. Qytetarët bëhen spektatorë të një drame të vazhdueshme, duke interpretuar simbole, personalitete dhe narrativa, në vend që të jenë pjesëmarrës në një debat të qëndrueshëm mbi strukturat. Në njëfarë mënyre, këtë gjë e ka bërë dhe bën kryeministri Rama me ndryshimet në qeveri. Këtë herë kjo ishte në një shkallë shumë më të lartë, sepse u shkarkua një ministër shumë i fuqishëm si Balluku, por u emërua në vend të saj një njeri që ka punuar ngushtë me të si vartës i saj; sepse u shkarkua ministri i Mbrojtjes Vengu, i cili njihej si njeri i ministres Balluku, dhe u emërua një ndihmës i saj si Ermal Nufi; sepse u shkarkua një ministre si Spiropali, që konsiderohej një forcë reale në PS, dhe u emërua një prej ambasadorëve më të njohur të Shqipërisë në 30 vite.

Balluku ka ikur për të qendruar edhe më fort; qeveria ka ndryshuar plotësisht për të ruajtur edhe më shumë gjendjen e mëparshme, ndërkohë që kryeministri ia ka arritur të çlirojë tensionin publik, të lehtësojë peshën e qeverisë nga akuzat e prokurorisë dhe ka arritur të ndryshojë edhe temat e debatit publik në vend.

Ministra të rinj të emëruar si Nufi, Hoxha, Karakaci, por edhe Lamallari apo Ismaili (të cilët janë më të lidhur formalisht me strukturat e PS-së) nuk kanë asnjë të kaluar politike; askush nuk di asgjë për ta sa i takon ideve apo qëndrimeve politike. Në njëfarë mënyre Rama vazhdon ta depolitizojë qeverinë dhe kështu ne kemi ndoshta qeverinë më të depolitizuar formalisht që nga viti 1990. Gjithë ky depolitizim është në fakt funksion i një politizimi shumë më të lartë.

Ata do të shërbejnë për të ruajtur atë që ishte deri dje, për të ruajtur të gjithë strukturën e pushtetit, strukturën e ndarjes dhe kontrollit të pushtetit deri dje. Nuk ka asgjë më të plotë sesa atë që ruan strukturën e pushtetit, sepse atë ruan strukturën dhe mënyrën e ndarjes së pushteteve dhe privilegjeve (edhe korrupsionit ndoshta). Edhe kjo është në vetvete diçka e lidhur me spektaklin.

Ndryshimet në qeveri tregojnë se kryeministri Rama nuk mund të bëjë dot më asgjë. E gjitha është diçka shumë mediokre dhe padyshim joefektive. Rama zgjodhi të ruajë dhe mbrojë të pambrojtshmen, zgjodhi të veprojë për të kaluar thjesht një moment, jo për të zgjidhur një problem, jo për të ndërtuar diçka që kërkon të zgjidhet. Rama do të vazhdojë kësisoj kursin e përplasjes së fortë me prokurorinë SPAK dhe gjykatën kundër krimit dhe korrupsionit, zgjodhi të hyjë në përplasje me BE-në dhe Gjermaninë, zgjodhi të shtojë vuajtjet politike të veta por edhe vuajtjet politike dhe më tepër se politike për vendin. Të ndryshuarit për të ruajtur në këtë rast është vetëm shfaqës i pamundur./mapo.al

5 Komente

  1. k
    kasemi i PDH

    analize pa zgjidhje? cfare ofron ky analisti ? si zgjidhet kriza? kjo eshte pyetja por zbukurime analizash qe, ne fund , nuk thone asgje vec Rama forcon pushtein, nuk jep zgjidhje. !!? Keshtu qe, analiza nuk me sherben fare as mua, as cdokujt qe deshiron zhvillim, demokraci dhe, mbi te gjitha, si i behet shoku analist, qe Spektakli i Berishes te jete me i bukur? se ai mbetet alternative...apo jo. ? Kete ndoshta se thua dot, se e perqendron urrejtjen te Rama, se ai tjetri eshte ok me veprimet qe ben "sepse ja, gogoli Rama po forcon pushtetin" na thua ti. i holle qenke more anallist

    Përgjigjjuni
    1. H
      Haka Tekizoti

      Vështrim i gabuar. Rama nuk përplaset me të mëdhenjtë, jo nga frika, por për hir të interesave. Me ata që i sheh si më të vegjël e që veprojnë si krimba në stivën e druve të pushtetit të tij, me ata po, përplaset fort edhe për të treguar atë fuqi që nuk e tregon dot me të mëdhenjtë. Ky është një profil psikologjik i tipit të këtij lloji karakteri.

      Përgjigjjuni
      1. A
        Anna

        Analize e sakte. E keqja eshte se kjo gjendje e korupsionit ne te gjithe kapilaret e shtetit do te vazhdoje te gryeje fondet publike dhe nga ana tjeter opozita fake e berishes do te mbaje me cdo cmim stausin e saj si gjoja kundershtarja e ketij regjimi, duke ja zgjatur jeten pa limit drejtimit te vendit tashme nga nje grup kriminal anti popullor. E vetmja shprese ngelet SPAK dhe Gjykata Speciale te cilat po nuk u mbeshteten fort nga perendimi rezikojne te deshtojne. Populli i ndershem duhet ti perkrahe me sa te mundi keto struktura si e vetmja force opozitare per te dale nga tuneli i mega korupsionit qeveritar. Nuk shoh ndonje levizje nga brenda PS-se per te ndryshuar kreret drejtues dmth Ramen.

        Përgjigjjuni
        1. R
          RedBull

          Fitim ose humbim. Zekth ose miza që futet në bythë të kalit

          Përgjigjjuni
          1. .
            ...

            Tema është interesante, por analiza, kondraverse, subjektiviste dhe pa një sugjerim konkret. I referohet një farë Budtillard, sikur ai të jetë korifeu i organizimit të shtetit, pa u futur fare në ç'është në thelb politika dhe qeverisja. Ç'është e vërteta politika është diçka e ashpër, dramatike, ndonjëherë reale e ndonjëherë e inskenuar, madje edhe komike e tragjike, është sjellje ndaj të tjerëve, por jo si e koncepton Bud... Dhe në thelb, - synim, marrja e pushtetit dhe qeverisja e shtetit, sipas mënyrës së bindjes politike të atij që e merr dhe përkrahet nga shumica që e fton në qeverisje. Artikulli fillon me Rama dhe Balluku, përmenden ministrat të habitur dhe të pa konsultuar, të njohur mes tyre, të influencuar nga krimi etj dhe anatemohet kryeministri se po zë "vrimat e gardhit" qeverisës në interes të tij dhe të krimit. Pa le, po na ka prishur raportet e mira me BE-në dhe veçanërisht me Gjermaninë (!). Se kush i vendosi, nuk e mban mënd Zekthi. Harron Zekthi se qeveritë nuk janë të përsosura, se bëhen nga njerëzit dhe në Shqipërinë tonë të vogël, hollë-hollë, të gjithë bien kushërinj ose miq (e ç'ë padtaj se qënkemi të tillë?). Veprimi i Ramës, o shkrues, nuk ka të bëjë as me depolitizimin e shtetit (nëse kështu nuk ka asgjë të keqe) dhe as me ruajtjen e pushtetit të tij, por të vetë partisë se i duhen vota (njerzit votojnë partitë, jo njerëzit). Si në sport, o Zekthi, si në sport - nuk ka dallim; njerzit janë tifoz me skuadrën, jo me trajnerin, apo lojtarët; natyrisht, për ta kanë rrespekt dhe për ta thërrasin ndonjëherë në stadium. Edhe ndërrimet njëlloj bëhen. Qëllimi është të fitohet ndeshja, por edhe trajneri vendin e punës. Edhe 10 minuta ndonjëherë e vënë në dukje ritmin e skuadrës, ashtu si një qeveri, 5 muaj janë të mjaftueshëm; bëhen ndrrime, kur nuk janë në ritëm. Ndërrimet janë ajrosje, evitim i kënetës, qarkullim i ujit, bëjnë mirë; aq më shumë kur persona qeverisës të saj akuzohen për shkelje të ligjit (pa hyrë në kompetencat e akuzës - "arbitrit" dhe qeverisë), qoftë edhe ndaj akuzës të bashkëpunimit me "krimin", i shkëput lidhjet. Ju shtroni problemin të ndrojë qeveria çdo vit, jo më një pjesë. Çdo qeveri kërkon të mbyllë mandatin dhe të realizojë disa zotimet qeverisëse, pa me metoda teatrale, dramatike, të trasha, apo të holla, me regji apo me improvizim, me qarkullim të nëpunësve të kartë a jo, ajo është puna e saj dhe, nga ana tjetër, u merr dorën partisë a jo, ajo është çështje e brendëshme e partisë, që ka zgjedhur kryeministrin: ajo i di kompetencat që i ka dhënë. Nuk janë shkaqe, por sebepe "kritike" dhe "analize", sidomos nën vështrimin e politikave liberale, që me influencat e tyre (sikur janë vetë të qelibartë), kanë fundosur gjith kuptimin politik dhe ekonomik të shteteve. Keqardhja e artikullshkruesit për beterrin që ka ndodhur në marrëdhënjet e jashtme dhe ato të strukturës qeverisëse (duket pa kuptuar se çështë struktura qeverisëse që paska defekte të pa riparueshme), është fare personale, për të mos thënë e porositur; se sa e tillë është, këtë e tregon përkrahja ndaj saj. Kur populli të mos jetë i kënaqur dhe të gjejë një alternativë tjetër, që autori nuk di, jo se nuk do, ta thotë, atëhere nuk e voton më këtë qeveri "copë-copë" të ushqyer nga "krimi dhe korrupsioni", që bëka gabim që kërkon të riparojë difektet, që objektivisht i ka çdo qeveri. Korrupsioni është në themel të rendit ekonomiko-shoqëror që kemi zgjedhur. Leku, të prish, na ka mësuar i moçmi. Zekthi, a ke ndonjë mëndje më të hollë se si mund të qeveriset më qëndrueshëm dhe mirë shteti, në kushtet që jemi. Aman, jo qeveri teknike, se e djallos fare përmbajtjen shkrimit tënd gjith pasion dhe i hap petët lakrorit.

            Përgjigjjuni

            Lini një Përgjigje