Shoqëri të mesuara me kriza

11 Mars 2026, 14:51Blog Nga Roland Lami

Në shumë shoqëri që kanë jetuar për një kohë të gjatë në pasiguri ekonomike, politike dhe institucionale, reagimi ndaj krizave globale siç është kjo e lindjes së mesme është i zbehtë për të mos thenë indiferent.Në terësi, luftërat, tensionet gjeopolitike apo rreziku i përshkallëzimit të konflikteve ndërkombëtare nuk prodhojnë të njëjtin nivel ankthi publik në shoqëri si e jona krahasuar me shoqëri që kanë ndërtuar standarde të qëndrueshme mirëqenieje dhe sigurie. Përvoja e vazhdueshme me vështirësi ekonomike, tranzicioni i stërzgjatur institucional dhe pasiguri sociale krijojnë një lloj adaptimi psikologjik kolektiv. Kriza nuk perceptohet si një devijim nga normaliteti, por si pjesë e vetë normalitetit të përditshëm. Shprehja ne jemi në krizë dhe krizat jadhtë nesh nuk kanë çfatë perkeqësojnë më shumë është ilustrim i asaj më lartë.

Kjo vetdije lidhet me atë që studiuesit e quajnë adaptim ndaj pasigurisë kronike. Kur individët dhe komunitetet përjetojnë vazhdimisht situata të paparashikueshme, ata zhvillojnë mekanizma mbrojtës që reduktojnë ankthin dhe frikën ndaj rreziqeve të reja. Në këtë kuptim, indiferenca e dukshme ndaj krizave ndërkombëtare nuk është domosdoshmërisht shenjë e mungesës së ndërgjegjësimit, por një strategji psikologjike për të ruajtur stabilitetin emocional në kushte të pasigurta. Siç argumenton sociologu Ronald Inglehart, në shoqëritë ku mbizotërojnë vlerat e mbijetesës, prioriteti kryesor i qytetarëve është siguria bazë ekonomike dhe sociale, ndërsa çështjet gjeopolitike apo konfliktet e largëta perceptohen si më pak të lidhura me jetën e përditshme përsa kohë nuk kanë prekur mbijetesën. Ndërsa shoqëri me standarde të larta preken nga konfliktet se cenohen element postmodern që lidhen jo me mbijetesën por me komponent postmodern si lluksi, të drejtat e njeriut, cilësia e demokracisë, jeta sociale, ambjenti etj.

Kjo gjendje në shoqëri mbijetese prodhon një formë pragmatizmi skeptik ku qytetarët zhvillojnë pritshmëri të ulëta ndaj institucioneve dhe ndaj aftësisë së politikës për të kontrolluar zhvillimet e mëdha ndërkombëtare. Sa më të ulta të jenë pritshmëritë ndaj reagimit të institucioneve shtetërore aq më pak ekziston frika nga humbja e standardeve ekzistuese që lidhen me mbijetesën.

Në këtë kuptim, shprehja popullore “më keq s’bëhet” përfaqëson një mënyrë për të relativizuar rreziqet dhe për të shmangur alarmin. Ajo funksionon si një narrativë kolektive që i ndihmon njerëzit të përballen me një realitet që perceptohet si jashtë kontrollit të tyre.

Filozofi Peter Sloterdijk, i cili flet për fenomenin e “arsyes cinike” shprehet se në shoqëritë moderne problematike nga pikëpamja e standarteve, individët shpesh janë të vetëdijshëm për problemet strukturore të sistemit politik dhe ekonomik, por megjithatë vazhdojnë të jetojnë brenda tij duke zhvilluar një qëndrim ironik ose skeptik ndaj realitetit. Ky cinizëm nuk është domosdoshmërisht nihilisëm përkundrazi, ai përfaqëson një mënyrë për të ruajtur ekuilibrin psikologjik në një botë ku individi ndjehet i pafuqishëm përballë proceseve të mëdha politike dhe ekonomike.

Në këtë kontekst, indiferenca e dukshme e disa shoqërive si e jona ndaj krizave ndërkombëtare nuk duhet interpretuar thjesht si mungesë interesi apo mungesë përgjegjësie qytetare por si shprehje e një historie të gjatë tranzicioni, i përvojave të përsëritura me pasiguri dhe i një kulture politike që i jep prioritet mbijetesës ndaj stabilitetit afatgjatë. Në një farë mënyre, kjo gjendje prodhon një lloj rezistence sociale një aftësi për të relativizuar rreziqet dhe për të vazhduar jetën e përditshme edhe në një kontekst të mbushur me kriza dhe pasiguri.

Lini një Përgjigje