
Është zbavitëse dhe njëkohësisht e trishtë të shohësh se si segmente kulturalisht konservatore të shoqërisë shqiptare, kanë zbuluar papritur dashurinë për rregullat e imponuara nga shteti, sikur të njëjtët njerëz që çdo ditë shfaqen në media dhe rrjete sociale të alarmuar nga ndërhyrjet e mundshme të qeverisë në tregje, taksa, apo gjithçka tjetër që ngjason sadopak me një rishpërndarje publike, të jenë kthyer në burokratë moralë, të etur t'i kërkojnë shtetit të policojë identetet, trupat tanë, e madje, edhe dhomat tona të gjumit. Do të qe krejt e natyrshme të mendohej se ata të cilët adhurojnë “lirinë” mbi gjithçka tjetër, do të ishin gjithashtu të aftë të kuptonin se liria nevojitet të pranohet në tërësinë e saj, dhe nuk mund të gjejë pragun ndalues tek gjinia dhe dëshira. Por, duket se liria për të cilën ata flasin e luftojnë,është një koncept i veçantë, delikat, i ujdisur me mjaft kujdes për të mbajtur në këmbë vlerat në të cilat besojnë, ndërsa iu mohojnë të tjerëve të njëjtin dinjitet.
Nga një pozitë mjaft në të majtë të spektrit politik dhe kulturor, më duhet të pranoj sidoqoftë se ndaj të njëjtin dyshim, e deri diku edhe përçmim ndaj shtetit. Ai nevojitet të qëndrojë sa më larg marrëdhënieve tona private. Por, ironia qëndron tek fakti se, ndërsa konservatorët kulturorë kërkojnë ndalim, unë do të preferoja mungesë. Nuk ka asnjë arsye serioze që shteti të ligjërojë se me kë ndajmë shtratin, si identifikohemi, apo me kë zgjedhim të ndërtojmë jetën. Funksioni i tij i vetëm në këtë aspekt duhet të jetë minimalist: të siguriojë që, kur tragjeditë e zakonshme të jetës trokasin në derë – një vdekje, divorc, apo konflikt trashëgimie – ata të cilët janë dashur dhe kanë ndarë bashkë një jetë, të mos trajtohen si të huaj nga një burokraci e ngërthyer në përkufizime të vjetëruara të “familjes.” Përtej këksaj, shteti duhet të qëndrojë sa më larg shtëpisë, shtratit, e padushim, duhet mbajtur jashtë mënyrës se si secili prej nesh zgjedh të identifikohet.
Sa për gogolin e vjetër të “degjenerimit moral,” vetë fraza do të duhej të na bënte për të qeshur sikur të mos përdorej në mënyrë kaq cinike. Shqipëria është e kalbur kokë e këmbë, por kjo nuk i vjen nga njerëz të cilët vetëidentifikohen me gjini, të cilat i bezdisin jetët e rehatshme të konservatorëve tanë. Degjenerimi i vërtetë ndodh çdo ditë dhe është sistemik e banal. Ne jetojmë në një vend ku figurat që udhëheqin, nga politikanët te oligarkët dhe klounët e televizioneve, na bombardojnë pareshtur me idenë se të vetmet gjëra që duhen ndjekur me çdo kusht, dhe për të cilat mund të sakrifikosh çdo gjë – janë pasuria dhe fama. Jetojmë në një vend ku çdo poster dhe çdo program mediatik na pëshpërit në vesh se konsumi është thelbi i jetës, parajsa e premtuar, ndërkohë që na e bëjnë gjithnjë e më të pamundur për ta arritur këtë të ashtuquajtur parajsë. Është pikërisht ky poshtërim i përditshëm dhe bombardimi me luksin e paarritshëm, që po i gërryejnë realisht jetët tona sociale.
Pastaj vjen dhe paniku i titujve të gazetave dhe influencuesve konservatorë nëpër rrjete sociale, të cilët bërtasin të alarmuar se si nga tani e tutje, në çdo formular që do na duhet të plotësojmë – nga aplikimet për punë te shkresat administrative – do na kërkohet të deklarojmë edhe gjininë. Shqetësimi kryesor i tyre (mos qeshni!), është se pas kësaj, secili do të mund të vetëidentifikohet edhe me kafshë, apo të tjera kategori të “panatyrshme.” Po, le të bëhemi racionalë për një çast, edhe pse së fundi nuk është shumë e modës. Çdokush që ka një përvojë të jetuari në një vend perëndimor, e ka parë praktikisht se çfarë nënkupton e gjithë kjo. Në rastin më të keq, s’është veçse një kuti ekstra që duhet plotësuar. Thënë ndryshe, një bezdi burokratike më shumë dhe arsyeja se përse i gjithë ky debat, më pak se sa një përplasje vlerash, ngjan me një operacion shpërqëndrimi të mirënjohur nga shumëkush. Një tjetër mënyrë që, si liberalët ashtu edhe konservatorët, të bëjnë sikur luftojnë beteja të rëndësishme kulturore, ndërsa injorojnë plotësisht krizat materiale, të cilave s’iu mbetet tjetër veçse të na nxjerrin sytë.
Askush nuk i dëgjon këta rojtarë të virtytit që të ankohen në lidhje me të ardhmen distopike drejt të cilës po rrëshqasim, ku së shpejti algoritmet dhe Inteligjenca Artificiale do të marrin më shumë vendime për jetët tona seç ka marrë ndonjë parlament ndonjëherë. E gjithë kjo, teksa politikanët dhe milionerët e miliarderët e shqoërisë tonë, luftojnë për të shtrydhur edhe fitimet e fundit nga një rend që po zhytet dita-ditës në kriza edhe më të thhella. Nuk i sheh të nervozohen këta njerëz për faktin se shumica e rrugëve të lagjeve të brendshme të qyteteve tona kutërbojnë nga era e plehrave, pirgu i të cilave konkurron për nga shpejtësia e rritjes edhe zhvillimin e inteligjencës artificiale, ndërkohë që disa kilometra më tej, ndërtuesit ngrenë “rezidenca” të praruara për ata, të cilët janë ekonomikisht në gjendje të barrikadohen brenda tyre, larg kutërbimit të njerëzve të zakonshëm.
Është e vërtetë që Shqipëria prej dekadash po përjeton një kalbje, por jo sepse njerëz të së njëjtës gjini kërkojnë të martohen dhe as sepse dikush identifikohet ndryshe nga ajo çkaë i kanë shkruar në certifikatën e lindjes. Jo! Shqipëria po kalbet sepse kemi hequr dorë nga mundësia e një jetese të përbashkët, për të adhuruar kultin e pasurisë private dhe të spektaklit, ndërsa rojtarët e vetëshpallur të moralit përgjojnë nga vrimat e çelësit, të bindur se shkatërrimi i kombit do të nisë nga dhomat tona të gjumit. Por, po kalbet gjithashtu sepse edhe liberalët e vetëdeklaruar të shoqërisë tonë, në vend që të flasin për shfrytëzimin, korrupsionin dhe varfërinë, parapëlqejnë të shpallin fitoret e tyre të vogla dhe të na i paraqesin ato si drejtësi, në të njëjtën kohë që plehrat bëhen pirg, ajri kthehet në vrasës dhe të pasurit ndërtojnë mure gjinjë e më të larta për veten e tyre.
Edhe në SHBA kështu filloi, demek duam thjeshtë të shprehim veten, e përfundoi me "hajd t'i mësojmë çilimiqërve për seksin." Në SHBA e quajnë "Slippery Slope," ose në shqip, "Tërhiqe mos e këput". Për identifikimin social, vazhdo identifikohu si Pikaçu për aq sa më plas, por për një administratë inkompetente si e jona, edhe këto budallallëqet i duhen tani. A thuajse nuk na merr shteti qimet e kokës për shërbimet. Jeto jetën si ta duash e mos na ça dërrasat.