Amerikanët e liruar nga shkëmbimi i të burgosurve Rusi-Ukrainë pyesnin veten nëse vdekja ishte e afërt

23 Shtator 2022, 20:50Bota TEMA

Amerikanët e liruar nga shkëmbimi i të burgosurve

Teksa u nxorën nga qelia e burgut brenda Ukrainës së pushtuar nga Rusia, Alexander Drueke dhe Andy Tai Huynh menduan për fatin e tyre të pasigurt.

Do të liroheshin apo do të vriteshin?

Kremlini, pak ditë pas kapjes së tyre në qershor, shpalli se dy veteranët ushtarakë amerikanë, ishin të dyshuar si kriminelë lufte dhe refuzoi të përjashtonte që ata mund të përballeshin me dënimin me vdekje.

Në një telefonatë me tezen e tij, Drueke ka treguar se në atë moment, dukej se gjërat “mund të shkonin në çdo mënyrë”.

Sakaq, ata u liruan si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve midis qeverive në Kiev dhe Moskë, një marrëveshje sa mahnitëse aq edhe e përhapur.

Përveç tyre, qeveria ruse ra dakord të lirojë tetë shtetas të tjerë të huaj që i ishin bashkuar luftës në emër të Ukrainës, plus 215 ukrainas.

55 luftëtarë rusë u liruan në këmbim, së bashku me Viktor Medvedchuk, një politikan opozitar ukrainas pro-Kremlinit, i cili ka marrëdhënie aq të ngrohta me presidentin rus, sa besohet se Putiin është kumbari i vajzës së tij.

Detajet e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, të ndërmjetësuara me përfshirje nga qeveritë e Arabisë Saudite dhe Turqisë, vazhduan të dilnin më pas.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se shkëmbimi i të burgosurve ishte rezultat i “trafikut diplomatik” me Putinin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ai e ka quajtur atë një “hap të rëndësishëm” drejt përfundimit të luftës që filloi shtatë muaj më parë.

Po ashtu Ankaraja luajti një rol kyç në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje përparimtare këtë verë që lejoi rifillimin e eksporteve të grurit pas bllokimit detar të Rusisë në portet e Detit të Zi të Ukrainës.

Megjithatë, deri më tani Erdogan nuk ka qenë në gjendje të sigurojë një takim të drejtpërdrejtë midis Putinit dhe Zelensky-t.

Ndërkaq, Princi i Kurorës Mohammed bin Salman i Arabisë Saudite, u vlerësua për lehtësimin e lirimit të shtetasve të huaj si një “përpjekje që ilustron rolin e tij proaktiv në forcimin e nismave humanitare”.

Kurse në Rusi pati zemërim në mesin e disa nacionalistëve që e konsideruan marrëveshjen tradhti.

Medvedchuk dikur shihej si një zëvendësues i mundshëm i Zelensky-t, pasi forcat ruse kishin arritur me sukses të rrëzonin qeverinë në Kiev dhe të instalonin një regjim kukull.

Disa nga ukrainasit e liruar në këmbim të Medvedchuk dhe rusë të tjerë ishin anëtarë të Regjimentit të ekstremit të djathtë Azov, një forcë ushtarake që Putini e ka quajtur naziste.

Ndërsa në Ukrainë marrëveshja u festua.

Kyryl Budanov, drejtues i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, ka treguar se disa nga ukrainasit e çliruar i ishin nënshtruar “torturave shumë mizore”.

Është e paqartë nëse Drueke dhe Huynh duruan një trajtim të tillë, megjithëse ka shenja që të dy kaluan nëpër faza të degradimit fizik që mund të kërkojnë kohë për t’u rikuperuar.

Drueke, një ish-ushtar amerikan dhe Huynh, një veteran i Trupave Detare, u zhdukën pranë qytetit të Kharkiv-it më 8 qershor, ndërsa luftonin përkrah forcave ukrainase.

Ata u zhvendosën disa herë gjatë robërisë së tyre dhe me gjasë u mbajtën në rajonin Donetsk të Ukrainës lindore.

Të dy duket se janë mbajtur së bashku gjatë gjithë robërisë së tyre. Për të paktën një pjesë të kohës së tyre si të burgosur, ata u mbajtën gjithashtu në të njëjtën qeli me shtetasin britanik John Harding, i cili u lirua këtë javë si pjesë e shkëmbimit.

Që nga lirimi, veteranët amerikanë kanë ndarë një apartament në Arabinë Saudite, teksa hedhin hapat e parë drejt rimëkëmbjes.

“The Washington Post”

Lini një Përgjigje