Donald Trump nënshkruan urdhër ekzekutiv për shkurtime të mëdha në shtatë agjenci, përfshirë edhe atë që mbikëqyr Radion Evropa e Lirë

15 Mars 2025, 22:00Bota TEMA
Donald Trump nënshkruan urdhër ekzekutiv për shkurtime të

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që synon shkurtime të mëdha në shtatë agjenci federale – përfshirë Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Media Globale (USAGM), e cila mbikëqyr Radion Evropa e Lirë dhe transmetuesit tjerë federalë.

Urdhri i nënshkruar në orët e vona të 14 marsit, shënjestron edhe agjenci që merren me të pastrehët, mosmarrëveshjet në punë dhe zhvillimin e komunitetit.

“Brenda shtatë ditëve prej datës së këtij urdhri, kreu i secilit entitet qeveritar që është renditur [në urdhër], duhet t’ia dorëzojë një raport drejtorit të Zyrës për Menaxhim dhe Buxhet, për të konfirmuar zbatimin e plotë të këtij vendimi dhe të sqarojë se cilët komponentë apo funksione të njësive qeveritare – nëse ka të tillë – kërkohen me ligj dhe në çfarë shkalle”, thuhet në urdhër.

Disa orë pas publikimit të tij, mediat publikuan një letër nga USAGM-ja, ku thuhej se granti i miratuar nga Kongresi për financimin e Radios Evropa e Lirë, është ndërprerë.

Letra u nënshkrua nga Kari Lake, e cila u vetënënshkrua si këshilltare e lartë e ushtruesit të detyrës së shefit ekzekutiv të USAGM-së, me autoritete të deleguara prej tij.

Lake është nominuar nga Trump për të marrë postin e udhëheqëses së Zërit të Amerikës, por emërimi i saj duhet të miratohet nga Bordi Këshillimor i Transmetimeve Ndërkombëtare.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve u kërkoi udhëheqësve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara që ta mbrojnë USAGM-në nga urdhri i Trumpit.

“Është skandaloze që Shtëpia e Bardhë po përpiqet të mbyllë agjencinë e financuar nga Kongresi, e cila mbështet gazetarinë e pavarur, që i sfidon narrativët e regjimeve autoritare në mbarë botën”, tha përmes një deklarate drejtori i programit të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Carlos Martinez de la Serna.

“Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të Kongresit që ta mbrojnë këtë agjenci të rëndësishme, e cila ofron lajme të pacensuruara në vendet ku shtypi është i kufizuar”, shtoi ai.

Agjencia e SHBA-së për Media Globale është agjenci e pavarur qeveritare, që mbikëqyr media që transmetojnë në pothuajse 50 gjuhë dhe shtrihen te 361 milionë njerëz në baza javore.

Buxheti që ka kërkuar kjo agjenci për vitin fiskal 2025 ka qenë 950 milionë dollarë për t’i financuar të gjitha operacionet dhe investimet kapitale.

Aty përfshihen mediat: Radio Evropa e Lirë, Zëri i Amerikës, Radio Azia e Lirë, Zyra e Kubës (Radio Marti), Rrjeti i Transmetuesit për Lindje të Mesme dhe Fondi i Teknologjisë së Hapur.

Gjatë mandatit të parë, Trump – i cili ka marrë një mori vendimesh për t’i zvogëluar shpenzimet qeveritare prej kur ka nisur mandatin e dytë në janar – e ka kritikuar USAGM-in lidhur me pavarësinë editoriale dhe drejtimin që u është dhënë programeve.

Ai i ka përsëritur këto shqetësime edhe pasi ka nisur mandatin e dytë.

Mbështetësit e transmetueseve, në anën tjetër, vlerësojnë se ato janë një mjet i rëndësishëm i diplomacisë amerikane.

Përveç USAGM-së, urdhri shënjestron edhe Shërbimin Federal të Ndërmjetësimit dhe Pajtimit, Qendrën kërkimore ndërkombëtare Woodrow Wilson në Institutin Smithsonian, Institutin për Shërbime të Muzeut dhe Bibliotekës, Këshillin Ndërinstitucional të Shteteve të Bashkuara për të Pastrehët, Fondin e Institucioneve Financiare për Zhvillimin e Komunitetit, dhe Agjencinë për Zhvillimin e Biznesit të Minoriteteve.

REL

4 Komente

  1. I
    Ilirjan

    Trump po leviz qe te mbetet ne pushtet edhe kur t'i mbaroje mandati, qe duhet te jete i fundit. Amerikanet duhet te fillojne protestat kunder ketyre levizjeve sa s'eshte vone. Sulmi ndaj Capitol Hill i 6 janarit 2021 do te duket si shetitje ne krahasime me ate qe Trump po i pergatit Amerikes dhe botes.

    Përgjigjjuni
    1. M
      M. Kola

      Ilirjana te hoqi nga puna si gazetare ty prandaj ndjell KAOS dhe terrorr ne Amerike ti. Kujdes Ilirjana B.

      Përgjigjjuni
    2. d
      dsa

      Perse duhet Radio Evropa e Lire ? Ne Evrope shumica e shteteve jane anetare te BE dhe pjesa e mbetur perfshii edhe Shqiperine e Ed Corapekuqit jane aspirante per te qene anetare te saj. Ato shtete qe nek jane ne BE jane pjese e NATO-s, pra rradi Evropa e Lire eshte shteg per te paguar qylxhinjte dhe te papunet.

      Përgjigjjuni
      1. M
        Muc Xhepa, Washington

        Vazhdo o gjigand, o purgatori i jone, pastroi parazitet qe jetonin me taksat tona dhe merrnin miliarda nga fondet tona. Cfare lidhje kemi ne me radiot neper Europe? Musku ka nje detyre historike qe ti ktheje shtetit tone te gjitha ato shperdorime kolosale financiare qe jane bere ne kurriz te taksapaguesve tone!!1 Jemi me ty o POTUS, o Zeus, o Jesus!!

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje