Langya mund të jetë ‘maja e ajsbergut’ për patogjenë të tjerë, sipas disa studiuesve

12 Gusht 2022, 22:10Bota TEMA

Langya mund të jetë ‘maja e ajsbergut’ për

Një grup shkencëtarësh kanë kërkuar më shumë mbikëqyrje për një virus të ri të zbuluar tek dhjetëra njerëz në Kinën lindore që mund të mos shkaktojë pandeminë e ardhshme, por tregon se sa lehtë mund të udhëtojnë viruset pa u vënë re nga kafshët te njerëzit, thonë ata për agjencinë e lajmeve CNN.

Virusi, i quajtur henipavirus Langya, infektoi gati 30 fermerë dhe banorë të tjerë, sipas një ekipi shkencëtarësh që besojnë se ai mund të jetë përhapur drejtpërdrejt ose tërthorazi tek njerëzit nga disa gjitarë të vegjël në familjen e iriqave ose urithëve por shumë më të vegjël të njohur me emrin shrew.

Patogjeni nuk ka shkaktuar ndonjë vdekje deri tani, por u zbulua në 35 pacientë me ethe në spitalet e provincave Shandong dhe Henan midis vitit 2018 dhe 2021.

“Ne po e nënvlerësojmë jashtëzakonisht numrin e këtyre rasteve zoonotike në botë, dhe ky (virusi Langya) është vetëm maja e ajsbergut,” tha eksperti i ri i viruseve Leo Poon, një profesor në Shkollën e Shëndetit Publik të Universitetit të Hong Kongut, që nuk ishte pjesë e studimit më të fundit.

Hulumtimi i parë shkencor mbi virusin, i botuar nga një ekip studiuesish kinezë dhe ndërkombëtarë në New England Journal of Medicine javën e kaluar, mori vëmendje globale për shkak të shqetësimit të shtuar për shpërthimet e viruseve.

Megjithatë, studiuesit thonë se nuk ka asnjë provë që virusi Langya po përhapet mes njerëzve ose se ai ka shkaktuar një shpërthim lokal të rasteve.

Edhe pse sipas tyre, duhen shtuar kërkimet mbi një grup më të madh pacientësh në mënyrë që të përjashtohen të gjitha mundësitë e përhapjes nga njeriu tek njeriu.

Për të reduktuar rrezikun që një virus në zhvillim të kthehet në një krizë shëndetësore, “është absolutisht e nevojshme të kryhet mbikëqyrje aktive në një mënyrë transparente dhe bashkëpunuese ndërkombëtare”, tha Wang, një profesor në Shkollën Mjekësore të Universitetit Kombëtar Duke-National të Singaporit.

Pasi e kuptuan se një virus i ri po infektonte njerëzit, studiuesit, të cilët përfshinin shkencëtarë me bazë në Pekin dhe zyrtarë të kontrollit të sëmundjes Qingdao, filluan të punojnë për të parë nëse mund të zbulonin se çfarë po infektonte pacientët.

Ata testuan kafshë të zbutura ku pacientët jetonin për gjurmë të infeksionit të kaluar me virusin dhe gjetën një numër të vogël dhish dhe qensh që mund të kenë pasur virusin më parë.

Ajo që mbetet e paqartë është se si u fut virusi te njerëzit, thotë Wang.

Studime të mëtejshme për shqyrtimin e virusit Langya henipavirus do të vazhdojnë dhe duhet të kryhen jo vetëm në dy provincat ku virusi është gjetur, por më gjerësisht brenda Kinës dhe më gjerë, shtoi ai.

Shkencëtarët që nuk ishin të përfshirë në kërkimin e ri ranë dakord se duhej më shumë punë për të kuptuar virusin Langya dhe për të konfirmuar gjetjet e fundit dhe thanë se zbulimi nënvizoi rëndësinë e gjurmimit të viruseve që mund të përhapen nga kafshët te njerëzit.

Lini një Përgjigje