Komisioni Evropian ka konfirmuar se ka pasur ndërhyrje në sinjalin GPS të avionit që transportonte presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë afrimit të tij në aeroportin e Plovdivit në Bullgari.
Zëdhënësja Arianna Podestà ka theksuar se ky veprim dyshohet të jetë kryer nga Rusia dhe përbën një akt të hapur provokimi. Pavarësisht pengesave teknike, avioni ka arritur të bëjë një ulje të sigurt në destinacionin e tij.
Sipas Podestàs, incidenti është pjesë e një strategjie më të gjerë frikësimi.
“Këto veprime janë të njohura për ne dhe janë pjesë e sjelljes agresive që Rusia ka adoptuar kohët e fundit. Përkundër këtyre përpjekjeve për frikësim, angazhimi ynë për siguri dhe përkrahje ndaj Ukrainës mbetet i palëkundur,” deklaroi ajo.
Komisioni gjithashtu vuri në dukje se vizita e presidentes në rajonet afër kufijve me Rusinë dhe Bjellorusinë merr një rëndësi të veçantë në këtë kontekst, duke theksuar sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen këto vende.
“Bashkimi Evropian do të intensifikojë investimet në fushën e mbrojtjes dhe aftësive ushtarake si përgjigje ndaj këtyre kërcënimeve,” përfundoi zëdhënësja.
Lini një Përgjigje