Një fushatë franceze

19 Korrik 2023, 12:26Bota TEMA
Një fushatë franceze

Fiona Scott Morton është ekonomiste e njohur amerikane. Komisionerja e BE-së Margrethe Vestager vendosi që ta angazhojë atë për 3 vjet si ekonomiste kryesore në drejtorinë e përgjithshme të konkurrencës të Komisionit Europian. Fiona Scott Morton u zgjodh si jo-europiania e parë në këtë post të rëndësishëm. Sapo u bë publik lajmi, Franca filloi një fushatë kundër amerikanes.

Madje edhe presidenti Emmanuel Macron u shpreh kundër saj. Ministrja e Francës për Europën Laurence Boone tha se Europa "ka mjaft ekonomistë të talentuar", gazeta "Le Monde" e quajti emërimin e Morton një lajm "shokues", në fushatë morën pjesë edhe gazetarë francezë në Bruksel dhe deputetë të Parlamentit Europian.

Nga ana tjetër 39 ekonomistë, mes tyre nobelisti francez Jean Tirole, përkrahën kandidaturën e Fiona Scott Morton duke e quajtur eksperte të rangut botëror. Fushata franceze kundër ekonomistes amerikane e arriti efektin: Fiona Scott Morton njoftoi sot se e ka tërhequr kandidaturën e saj.

Në SHBA fushata të tilla kundër ekspertëve nga Europa nuk mund të merren me mend.

Fiona Hill, shtetase britanike, ka qenë eksperte kryesore për Rusinë në ekipin e George W. Bush dhe Barack Obamas.

Samantha Power, e lindur në Londër, ka qenë ambasadore e SHBA-ve në OKB dhe aktualisht është drejtore e U.S. Agency For International Development (USAID).

Ndonëse konteksti është i ndryshëm, mund të përmendet këtu edhe Henry Kissinger, ish-ministër i Jashtëm i SHBA-ve, i lindur më 1923 në Fürth të Gjermanisë me emrin Heinz Alfred Kissinger.(Enver Robelli)

Lini një Përgjigje