Një lëvizje e madhe ka shpërthyer në Turqi që prej 23 janarit, kur punëtorët e magazinave të rrjetit më të madh të supermarketeve në vend, Migros, refuzuan një rritje të propozuar pagash prej 28%, duke e cilësuar atë si një “rritje të mjerimit”.
Greva është përshkallëzuar me shpejtësi dhe sot ka hyrë në ditën e saj të 15-të, duke përfshirë punëtorët e më shumë se 10 magazinave në 7 provinca të ndryshme të vendit.
Në kulmin e tensioneve, punëtorët dhe përfaqësues të sindikatave u mblodhën pranë vilës së Tuncay Özilhan, pronar i Anadolu Group dhe aksionari kryesor i Migros, në zonën Beykoz të Stambollit.
Presidentja e sindikatës DGD-SEN, Neslihan Acar, deklaroi gjatë protestës: “Ne jemi këtu dhe Özilhan, i cili shkon me pushime për ski me pasurinë e tij miliardë dollarëshe, ndërsa ne jemi të uritur, por nuk do të gjejë qetësi.”
Policia ndërhyri duke arrestuar rreth 100 punëtorë dhe zyrtarë sindikalë. Sipas burimeve të sindikave, u vu re një mobilizim i paprecedentë i forcave të sigurisë për, siç thuhet, “mbrojtjen e punëdhënësit”.
Më 27 janar, Migros punësoi 7,875 punëtorë me kontratë nga 43 qendra shpërndarjeje, një veprim që sindikatat e përshkruan si përpjekje për të dobësuar sindikatën e pavarur DGD-SEN.
Një ditë më pas, kompania pushoi nga puna 300 punëtorë që vazhdonin grevën, me arsyetimin e “refuzimit të vazhdueshëm për të kryer detyrat”.
Në qendrën e shpërndarjes Esenyurt në Stamboll, punëtorëve të pushuar nga puna iu bllokua hyrja, çka çoi në ‘pushtimin’ e magazinës dhe organizimin e një proteste, e cila u shpërnda pas ndërhyrjes së autoriteteve.
Lini një Përgjigje