"Personeli në centralin bërthamor në Ukrainë po mbahet nën kërcënimin e armës nga forcat ruse"

12 Gusht 2022, 11:28Bota TEMA

"Personeli në centralin bërthamor në Ukrainë po mbahet

Stafi i punonjësve në centralin bërthamor të Zaporizhzhia-sh në Ukrainën jugore, është duke u mbajtur nën tytën e armëve dhe në presion të palogjikshëm nga ana e forcave ruse.

Sipas raportimeve të medias shtetërore britanike BBC, pas kontaktit me disa punonjës të centralit, është bërë me dije se rusët po e përdorin si bazë ushtarake më shumë se sa si central energjetik zonën.

Kjo gjë, do të mund të çonte edhe në një katastrofë të paimagjinueshme për gjithë Evropën, duke qenë se Zaporizhzhia është edhe centrali atomik më i madh i kontinentit të vjetër, i cili është ende aktiv.


Baza ruse e krijuar aty, po përdoret njëkohësisht edhe si një mburojë e vërtetë për t’u ruajtur nga sulmet ukrainase dhe kundërpërgjigjet e Kievit.

Raketa të ndryshme, jo pak herë kanë fluturuar mbi central, duke shkaktuar hamulli e duke ngritur alarme ndërkombëtare.

Vetëm në 24 orët e fundit, janë raportuar me dhjetëra lëshime raketash mbi zonën e rrethuar të centralit.

Kjo gjë, ka bërë që të ketë një reagim të menjëhershëm nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, duke bërë kërkesë për tërheqje të menjëhershme të rusëve nga aty.

Për më tepër, sa i përket punonjësve, ata as nuk mund të largohen prej vendit. Pikë së pari, prej trajtimit të ushtarëve rusë.

Së dyti, për faktin se, nëse lihet i pamonitoruar, centrali mund të shkojë në kolaps të vërtetë dhe të kemi të bëjmë me një rast emergjent të rëndësisë më të lartë.

Apeli nga ndërkombëtarët, vijon të jetë ai i tërheqjes ruse prej zonës. Një marrëveshje gjithsesi, ende nuk është arritur për këtë.

 

Lini një Përgjigje