Princi saudit Mohammed bin Salman mbërriti të martën e 18 nëntorit në Washington, ku u prit nga presidenti amerikan Donald Trump për bisedime me dyer të mbyllura.
Vizita e tij shënon një nga takimet më të rëndësishme diplomatike mes SHBA-ve dhe Arabisë Saudite në muajt e fundit.
Gjatë ceremonisë së mirëseardhjes, mbi Shtëpinë e Bardhë fluturoi një formacion i avionëve të Forcave Ajrore Amerikane, një simbol i nivelit të lartë të pritjes dhe i mbështetjes së aleancës mes dy vendeve. Ky veprim theksoi rëndësinë strategjike të vizitës dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale.
Në fokus të takimeve janë katër çështje kryesore:
Një marrëveshje e re mbrojtëse që konsolidon bashkëpunimin ushtarak,
Dorëzimet e avionëve luftarakë F-35,
Bashkëpunimi bërthamor,
Mundësia e normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin.
Të dyja palët synojnë të arrijnë një marrëveshje strategjike me interes të lartë, që mund të ndikojë në dinamikat rajonale dhe aleancat ndërkombëtare.
Analistët vlerësojnë se kjo vizitë përfaqëson jo vetëm një nivel të lartë ceremoniale, por edhe një sinjal të qartë politik dhe ekonomik për stabilitetin dhe bashkëpunimin mes SHBA-ve dhe Arabisë Saudite.
Trump shpërfill Izraelin
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, u tha gazetarëve në Zyrën Ovale se Shtetet e Bashkuara do t’u shesin Arabisë Saudite avionë luftarakë F-35A Lightning II.
Ky njoftim vjen pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA) dhe sektorë të tjerë të Pentagonit për rrezikun e spiunazhit kinez.
Trump nuk dha detaje të tjera mbi masat për të mbrojtur teknologjinë e avionëve, por vendimi ka ngjallur diskutime të reja mbi sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet e SHBA-ve me vendet e Gjirit.
Izraeli ndërkaq i ka bërë të qartë administratës amerikane se nuk kundërshton parimisht furnizimin e Arabisë Saudite me avionët stealth F-35, por kërkon që çdo shitje e një sistemi të tillë strategjik të kushtëzohet me normalizimin e marrëdhënieve midis Riadit dhe Jerusalemit.
Lajmi u publikua nga Channel 12 dhe konfirmohet nga një raport i Barak Ravid në Axios, i cili citon dy burime izraelite të përfshira në diskutimet me SHBA-të.
Sipas burimeve, Izraeli e sheh kërkesën saudite për F-35 në një kategori të ndryshme nga ajo e Turqisë – një vend që Jerusalemi e ka kundërshtuar me forcë të pajiset me avionët e rinj për shkak të rivalitetit të drejtpërdrejtë rajonal.
“Ne i thamë administratës Trump se furnizimi i Arabisë Saudite me F-35 duhet të jetë i lidhur me normalizimin e marrëdhënieve”, citon Axios një zyrtar izraelit. “Çdo qasje tjetër do të ishte kundërproduktive”.
Një tjetër zyrtar shton se shqetësimi izraelit për pajisjen e Turqisë me F-35 lidhet me balancën rajonale të fuqisë, ndërsa në rastin saudit dilemat janë më të vogla nëse procesi bëhet pjesë e një arkitekture të re sigurie në kuadër të Marrëveshjeve të Abrahamit, ashtu si me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Aktualisht, Izraeli është i vetmi shtet në Lindjen e Mesme që operon F-35, me 45 avionë aktivë dhe 30 të tjerë në porosi.
Në të kaluarën, ai ka shprehur rezerva të forta për shitjen e platformës më të avancuar amerikane tek shtete që mund të ndikojnë në epërsinë e tij ushtarake cilësore – një parim që SHBA është e detyruar ta garantojë me ligj.
Një nga zyrtarët i tha Axios se Izraeli kërkon gjithashtu që çdo F-35 saudite të mos stacionohet në pjesën perëndimore të vendit, duke theksuar sa afër janë dy shtetet nga ajri: “I duhen vetëm disa minuta një F-35-i për të kaluar prej Arabisë Saudite në Izrael”.
Lini një Përgjigje