Pse Kina po përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë

21 Mars 2023, 11:14Bota Nga Mary Dejevsky

Pse Kina po përpiqet të ndërmjetësojë një

Bota perëndimore që e përsëriti mbështetjen e saj për Ukrainën 1 vit pas pushtimit rus, mezi e vuri re se një fuqi shumë e madhe në anën tjetër të botës, e kishte shënuar këtë përvjetor në një mënyrë krejtësisht ndryshe. Ndërsa Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe europianët po diskutonin për furnizimet e reja me armë ndaj Kievit, Kina doli me... një plan paqeje.

Perëndimi e priti në fillim me shpërfillje. Mesazhi i përgjithshëm ishte se tani nuk ishte koha për të biseduar më Rusinë, dhe se gjithsesi Kina nuk kishte asnjë besueshmëri për ta pozicionuar veten si një ndërmjetëse potenciale. Por disa javë më vonë, plani kinez prej 12 pikash jo vetëm që nuk është zhdukur, por ka raporte se ai po shqyrtohet në Paris dhe Berlin, dhe ndoshta edhe në Uashington.

Dhe ajo që është edhe më e rëndësishme, plani nuk është refuzuar nga Kievi, që e priti me një optimizëm të kujdesshëm. Nën dritën e këtij sinjali të vogël, Kina ka vazhduar në heshtje ta detajojë planin e saj. Xi Jinping, i sapokonfirmuar si president i Kinës për një mandat të tretë të paprecedentë, do të vizitojë Moskën këtë javë, teksa do të zhvillojë një video-takim me presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Dhe kjo do të përbënte një ndryshim shumë të madh. Sepse nuk ka pasur asnjë kontakt zyrtar midis Ukrainës dhe Rusisë që nga bisedimet e Stambollit të gati një viti më parë. U pretendua se ato negociata u prishën për shkak të ndërhyrjes së kryeministrit të atëhershëm të Britanisë së Madhe Boris Xhonson, me udhëzimin e Shteteve të Bashkuara.

Por çfarë përmban plani me 12 pika? Dhe përse Kina mund të tregojë më shumë sesa një interes kalimtar për të ndërmjetësuar në këtë konflikt? Dhe pse Moska dhe Kievi - dhe ndoshta edhe disa nga aleatët perëndimorë të Kievit - mund të jenë më pak refuzues ndaj disa negociatave paraprake, sesa mund ta sugjerojnë deklaratat e tyre publike të bëra deri më sot?

Pika e parë e saj bën thirrje për respektimin e sovranitetit kombëtar, parimet e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare. Ajo e dënon në mënyrë të nënkuptuar pushtimin e Rusisë. Por e dyta e tij bën thirrje për t’i dhënë fund asaj që ajo e quan “mentalitet i Luftës së Ftohtë”, dhe kërkon që “siguria e një rajoni të mos arrihet duke forcuar ose zgjeruar blloqet ushtarake”, pra një kritikë e hapur ndaj zgjerimit të NATO-s.

Po ashtu plani mbron “një arkitekturë sigurie europiane të ekuilibruar, efektive dhe të qëndrueshme”, diçka që Moska e ka propaganduar gjithmonë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Në pika të tjera të këtij plani, veçanërisht në lidhje me Ukrainën, Kina bën thirrje për shtimin e ndihmës humanitare në zonat e konfliktit nën kujdesin e OKB-së, respektimin e rreptë të masave mbrojtëse ndërkombëtare për të burgosurit e luftës, dhënien fund të kërcënimeve me armët bërthamore, mbrojtjen e termocentraleve bërthamore dhe për nevojën për të vazhduar marrëveshjen që i lejon anijet me grurë të largohen nga portet e Ukrainës.

Në shumë aspekte - nga thirrjet për depërshkallëzimin e konfliktit, dhënies fund të veprimeve që kërcënojnë tregtinë globale dhe zinxhirët e furnizimit, si dhe refuzimin e sanksioneve të njëanshme (pra o të miratuara nga OKB-ja), Kina po sheh më larg sesa lufta e Ukrainës dhe po përfaqëson interesat dhe prioritetet e veta.

Tek e fundit, të njëjtat parime mund të ndihmojnë në rregullimin e tensioneve në rritje në marrëdhëniet e saj me SHBA-në mbi Tajvanin dhe qasjen në rrugët detare. Por ajo po sillet edhe si një avokate për shumë vende, të cilat së bashku me Kinën dhe Indinë, kanë refuzuar të marrin anën e Ukrainës.

Në terma praktikë, Kina bën thirrje për një rifillim të dialogut të drejtpërdrejtë “sa më shpejt të jetë e mundur”, me synimin që në fund të arrihet “një armëpushim gjithëpërfshirës”. Po ashtu nisma e saj u bën thirrje palëve në konflikt dhe vendeve të tjera që të ndihmojnë në krijimin e kushteve të nevojshme që të ndodhë kjo gjë.

Pavarësisht nëse i konsideroni apo jo Vladimir Putinin dhe Xi-në si miq të ngushtë me njëri-tjetrin (unë për vete jo), Moska ka arsye t’i jetë mirënjohëse Pekinit. Sepse Kina po ofron një treg alternativ për energjinë ruse të refuzuar nga europianët, dhe ajo nuk e ka kritikuar Rusinë në OKB.

Kjo i jep asaj një ndikim të pazakontë në Moskë, që mund të zbatohet për të çuar përpara agjendën e saj. Ndërkaq, mund të thuhet se Rusia ka arritur të paktën disa nga synimet e saj kryesore të luftës. Këtu përfshihet sigurimi i rrugës tokësore për në Krime, rilidhjen e furnizimit me ujë të freskët për gadishullin dhe vendosjen e qasjes ekskluzive në Detin Azov. Po ashtu Rusia gjithashtu duket se ka braktisur çdo ambicie për të pushtuar territore më në perëndim sesa Donbasi.

A mund të jetë ajo e përgatitur të ndalet atje dhe të reduktojë humbjet e saj? Në kushtet kur vitin e ardhshëm mbahen zgjedhjet presidenciale, Putin mund të bindet të pretendojë fitoren dhe t’i japë fund luftës, në vend se të hyjë në një fushatë zgjedhore - qoftë për veten e tij apo për një pasardhës - me një fushatë të kushtueshme ushtarake që vazhdon ende.

Putini ka thënë kohët e fundit se zgjedhjet do të zhvillohen, por nuk është zotuar të qëndrojë vetë në krye të Rusisë. Nga ana e saj Ukraina i ka zgjeruar objektivat e saj duke përfshirë rimarrjen e Donbasit dhe Krimesë. Ajo miratuar një ligj që refuzon bisedimet me Putinin dhe këmbëngul se do të luftojë deri në fund.

Të gjitha këto pretendime janë të kuptueshme. Por nëse ngërçi në qytetin Bakhmut në lindje të vendit ka nxjerrë në pah dobësinë e Rusisë, ai ka ekspozuar gjithashtu edhe dobësitë e Ukrainës. Humbjet e Ukrainës janë në rritje, ka raporte për vështirësi në rekrutime, dhe Kievi po përballet me vonesa në marrjen e furnizimeve të reja me armë dhe municione.

Ka vlerësime kontradiktore mbi moralin e trupave ukrainase. Dhe fakti që Ukraina nuk e hodhi poshtë nismën e Kinës mund të jetë shumë domethënës. Aleatët këmbëngulin ende se do ta mbrojnë Ukrainën “për aq kohë sa duhet”. Por ka ndërkohë edhe pakënaqësi, dhe jo vetëm në disa qarqe politike të SHBA-së, në lidhje për shterimin e burimeve financiare dhe ushtarake të vendeve të veçanta.

Kostoja e rindërtimit - për të cilën europianët druhen se do t’u lihet kryesisht atyre - po rritet çdo ditë që kalon. Afrimi i zgjedhjeve presidenciale në SHBA do ta shtojë më tej presionin për të dalë nga kjo situatë. Me planin 12-pikësh të Kinës për Ukrainën, Xi Jinping po kërkon në radhë të parë të marrë nga Erdogan rolin e ndërmjetësit, sidomos tani që ky i fundit po merret me pasojat e tërmetit katastrofik dhe zgjedhjet e afërta.

Nëse do të ketë përparim, nisma e Kinës duhet të shihet si pararendëse e një rendi krejt të ri ndërkombëtar. Kjo është arsyeja pse një cinik mund të thotë se ka disa njerëz që do të bëjnë çmos që ajo të dështojë./ Përkthyer nga CNA.al

2 Komente

  1. a
    anti25642654censurë

    "Nëse do të ketë përparim, nisma e Kinës duhet të shihet si pararendëse e një rendi krejt të ri ndërkombëtar. Kjo është arsyeja pse një cinik mund të thotë se ka disa njerëz që do të bëjnë çmos që ajo të dështojë."kuptohet si ka dhe njerëz që përpiqen me të gjitha forcat,me gjithë leverdinë,që të fitojë!! një palë rreshtohet në anën e një rendi që në këto 30 vitet e fundit i ka dhënë një përparim të jashtëzakonshëm këtij planeti,dhe sidomos kinës vetë,pala tjetër rreshtohet në krahun e një të panjohure të përjetuar me kohë!! të shohim se kush do tia dalë në krye!!Xi dhe putin apo perëndimi??

    1. a
      anti25642654censurë

      në përgjigje të këtij shkrimi po jap një reagim të taivanit,botuar në këtë gazetë me titullin"Nuk jemi idiotë!” Ministri i Jashtëm i Tajvanit kritikon përpjekjet e Kinës për paqe në Ukrainë",ku thotë:“Ne nuk jemi idiotë. Dëshironi paqe? Të dy autokratët duhet të ndalojnë menjëherë kërcënimet, agresionin dhe ekspansionizmin e tyre.” dhe ndoshta ky "rendi krejt të ri ndërkombëtar"nuk është dhe aq i pëlqyeshëm në botën demokratike,pavarsisht se Mary Dejevsky,mendon ndryshe e paguar ligjërisht me paratë e kësaj pjese të "rendit "krejt të vjetër"ndërkombëtar"!!

      Lini një Përgjigje