Shtëpia e Bardhë nuk ishte në dijeni të një takimi mes ambasadorit amerikan në Izrael, Mike Huckabee, dhe Jonathan Pollard, ish-analistit të Marinës amerikane që kaloi tre dekada në burg për spiunazh në favor të Izraelit. Kështu ka deklaruar këtë të enjte zëdhënësja Karoline Leavitt.
Sipas një raportimi të The New York Times, ambasadori Huckabee është takuar me Pollardin në muajin korrik, në Ambasadën amerikane në Jeruzalem. Takimi nuk ishte përfshirë në axhendën zyrtare të ambasadorit dhe i befasoi zyrtarët amerikanë.
Zëdhënësja Leavitt u tha gazetarëve se, ndonëse administrata nuk kishte dijeni paraprake për këtë takim, “presidenti qëndron në krah të ambasadorit tonë, Mike Huckabee, dhe gjithçkaje që ai po bën për Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.”
Pollard, në një intervistë për një kanal izraelit të lajmeve, tha se takimi me Huckabee-n ndodhi me kërkesën e tij. “Fillimisht e kërkova këtë takim për një arsye shumë personale,” tha ai për i24 News. “Doja të shprehja mirënjohjen time të sinqertë për të gjitha përpjekjet që ai kishte bërë për mua kur isha në burg.”
Pollard u dënua në vitin 1987 me burgim të përjetshëm, dënimi më i rëndë ndonjëherë për spiunazh nga ana e një aleati, pasi kishte kaluar materiale shumë të klasifikuara të SHBA-ve tek Izraeli. Ai vuajti 30 vjet burg, u lirua me kusht në vitin 2015 dhe u zhvendos në Izrael në vitin 2020.
Rasti i tij tensionoi marrëdhëniet SHBA-Izrael dhe shumë figura në komunitetin amerikan të inteligjencës e konsiderojnë ende si një nga shkeljet më të rënda të informacionit të klasifikuar në historinë e vendit, ndërsa disa në Izrael e shohin atë si hero.
The Times raportoi se takimi “alarmoi” CIA-n dhe përbënte një shmangie nga praktika e gjatë e zyrtarëve amerikanë për të mos pasur kontakte me spiunë të dënuar. Nuk është e qartë nëse Huckabee kishte kërkuar miratim nga administrata, duke ngritur shqetësime se takimi mund të sinjalizojë një qëndrim më të butë të SHBA-ve ndaj spiunazhit të kryer nga aleatët.
Huckabee, një mbështetës i fortë i Izraelit dhe aleat politik i presidentit Donald Trump, ka ndërtuar lidhje të ngushta me liderët izraelitë, ndërsa administrata ka thelluar bashkëpunimin diplomatik dhe të sigurisë. The Times shton se Huckabee ka kërkuar gjithashtu të forcojë lidhjet me të djathtën izraelite, me të cilën Pollard është i lidhur.
Lini një Përgjigje