Corriere della Serra
Plani amerikan për paqen, me 28 pika, i përgatitur gjatë muajit të fundit nga amerikanët në konsultim me rusët, ka shkaktuar shqetësim në Kiev dhe në disa kryeqytete europiane, pasi faqja Axios zbuloi ekzistencën e tij të martën.
Dje, plani qarkullonte në blogjet ukrainase dhe Axios e publikoi të plotë, pasi e verifikoi me një funksionar amerikan.
Nga 24 deri më 26 tetor, i dërguari i afërt i Trumpit dhe biznesmeni i pasurive të patundshme, Steve Witkoff, u takua në Miami me drejtuesin e fondit sovran rus, Kirill Dmitriev, i cili ka marrë edhe një rol si negociator diplomatik.
Ukrainasit e dinin që amerikanët po punonin për diçka, sepse Witkoff kishte folur “në vija të përgjithshme” për planin me këshilltarin e sigurisë së Zelenskyt, Rustem Umerov, në një takim këtë javë, po ashtu në Miami.
Por ata nuk njihnin detajet dhe u ankuan se nuk iu kërkua të kontribuonin në hartimin e planit.
Takimi që dështoi
Sipas Axios, një takim i planifikuar këtë javë midis Zelenskyt dhe Witkoff-it u anulua. Amerikanët thonë se presidenti ukrainas nuk tregoi gatishmëri ta merrte planin seriozisht.
Nga ana tjetër, Kievi e shihte planin si një përpjekje të Kremlinit për të shfrytëzuar skandalin e korrupsionit në Ukrainë dhe dobësimin e Zelenskyt.
Ndoshta nxjerrja e lajmit në media ka qenë një mënyrë e Shtëpisë së Bardhë për t’i bërë presion Zelenskyt, i cili dje u shfaq më i gatshëm për bashkëpunim.
Qëndrimi i Shtëpisë së Bardhë
Në deklaratat e para zyrtare, Shtëpia e Bardhë tha dje se plani i mbështetur nga Trump është ende “në zhvillim”. Zëdhënësja Karoline Leavitt nuk pranoi të konfirmojë përmbajtjen dhe shtoi se nuk është një punë vetëm e Witkoff-it, por është përfshirë edhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio (një tjetër zyrtar i tha NBC-së se i përfshirë është edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit).
Ajo tha se mendimet e Kievit do të merren parasysh. Sipas Witkoff-it, është vetëm një “kornizë idesh”. Ai i tha ministrit të Jashtëm gjerman Wadephul tha se SHBA-ja do përpiqet të gjejë kompromis.“Po nuk u pëlqyen disa pjesë të planit, na i thoni. Do të përpiqemi të gjejmë një kompromis”.
Por ndërkohë, sipas burimeve të Reuters, Zelenskyt i është bërë e qartë se SHBA-ja pret miratimin e planit, madje brenda një afati të caktuar.
Pse plani është problematik për Kievin?
Sipas ukrainasve, plani kërkon lëshime shumë të mëdha nga ana e tyre:
-të heqin dorë nga disa zona të Donbass-it që kontrollojnë aktualisht; këto zona do të bëhen territor i demilitarizuar, ku rusët nuk hyjnë, por që do të njihen “de facto” si ruse.
-të shkruajnë në Kushtetutë dhe në dokumentet e NATO-s se Ukraina nuk do të anëtarësohet kurrë në Aleancë
-të ulin ushtrinë nga 850 mijë në 600 mijë ushtarë, në këmbim të një garancie sigurie amerikane (ende e paqartë)
-të ndajnë me rusët për gjysmë energjinë e prodhuar nga centrali bërthamor i Zaporizhzhias.
Rubio shkroi në X se paqja e qëndrueshme kërkon lëshime të vështira.
“Një paqe e qëndrueshme do të kërkojë lëshime të vështira, por të nevojshme, nga të dyja palët”.
Por në praktikë, Moska do të bënte shumë pak lëshime. Disa asete ruse të ngrira do të përdoren për rindërtimin e Ukrainës dhe parashikohet një “përgjigje e koordinuar ushtarake”, nëse Rusia e sulmon sërish.
Modeli i këtij propozimi është plani 10-pikësh për Gazën, i negociuar nga Witkoff dhe Kushner.
Roli i Witkoff-it
Witkoff u bë i dërguari për Rusinë, pasi Kremlini bëri të ditur se gjenerali Kellogg nuk ishte i mirëpritur. Por ndryshe nga plani për Gazën, i cili pati mbështetje ndërkombëtare, ekspertë dhe aleatë shprehin shqetësime për mënyrën se si po negociohet me Putinin, të cilin Witkoff e ka takuar 5 herë në 6 muaj.
Një zyrtar i BE-së i tha Politico-s se rusët e shohin Witkoff-in si person që është gati të negociojë me ta, për interesa të Moskës.“Rusët e shohin Witkoff-in si dikë të gatshëm të shtyjë interesat e tyre.”
Udhëtimet me avion privat
Metodat e Witkoff-it janë të pazakonta. Ai shkon në Moskë me avion privat, i shoqëruar vetëm nga përkthyesi (pas kritikave për avionin e Putinit, tani përdor një avion të Departamentit të Shtetit), nga shefi i stafit dhe disa agjentë sigurie.
Shumicën e kohës e kalon në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa stafi i tij qëndron në Departamentin e Shtetit, dhe shpesh përdor Miamin si bazë diplomatike, ashtu si dikur për negociatat me këshilltarin e Netanyahut, Ron Dermer.
Sipas Trump-it, kjo është forca e Witkoff-it. Si biznesmen, ai mund të afrojë dy palë që nuk duan të flasin me njëra-tjetrën. Kritikët mendojnë të kundërtën, se mungesa e informacionit dhe përvojës e bën atë të cenueshëm ndaj propagandës ruse.
Ata besojnë se, si njeri i pasurive të paluajtshme, ai e sheh çështjen ukrainase vetëm si konflikt territori, ndërsa synimi i Putinit shkon më tej, lidhet me historinë, ndikimin global të Rusisë dhe mundësinë për të rishkruar kufijtë e Europës.
Lini një Përgjigje