Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar miratimin e një pakete të re armatimi për Tajvanin, me vlerë gati 700 milionë dollarë, që përfshin sistemin e avancuar të mbrojtjes ajrore NASAMS – armë e provuar tashmë në fushëbetejë në Ukrainë.
Sipas raportimit të Reuters, bëhet fjala për paketën e dytë të armatimit brenda një jave, duke e çuar totalin në 1 miliard dollarë dhe duke ritheksuar mbështetjen e Washington-it për Taipei-n.
Sistemi NASAMS është prodhim i kompanisë amerikane RTX dhe konsiderohet një prej zgjidhjeve më moderne të mbrojtjes ajrore me rreze të mesme.
Aktualisht në rajonin Indo-Paqësor këtë sistem e operojnë vetëm Australia dhe Indonezia, ndërsa Tajvani pritet të marrë tre të tilla si pjesë e një pakete më të gjerë armatimi prej 2 miliardë dollarësh të miratuar më herët.
Pentagoni njoftoi se prodhuesit u është dhënë kontratë me çmim të fiksuar për prodhimin e njësive NASAMS, me afat përfundimi deri në shkurt 2031.
“Janë vënë në dispozicion 698,948,760 dollarë nga fondet e shitjeve ushtarake të huaja (Tajvan) për vitin fiskal 2026”, thuhej në deklaratën e Pentagonit të cituar nga Reuters.
Lini një Përgjigje