“Rrëfimi i rrallë i Ramiz Alisë, se pse nuk e dënoi Enveri pas festivalit të 11-të

12 Nëntor 2023, 20:30Dossier TEMA

“Rrëfimi i rrallë i Ramiz Alisë, se pse nuk e dënoi

Nga Skifter Këlliçi

Është e katërta herë që po shkruaj për Festivalin e 11-të Kombëtar të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, (22-25 dhjetor 1972), aq sa ç’kam shkruar para disa kohësh për Konferencën e Tiranës, (16-20 prill, 1956). Edhe këtë radhë për të njëjtën arsye: për mungesën e saktësie historike të disa ngjarjeve që lidhen me këtë festival, të cilat Ramiz Alia, ish-sekretar i parë i parë i PPSh-së, pas vdekjes së Enver Hoxhës, i përshkruan në librin e tij të fundit “Jeta ime” (2010), ndonëse në të ka pohime objektive, të sinqerta, sidomos  kur ai dëshmon  për gabimet e rënda që sollën në dështimin e sistemit komunist në Shqipëri, të drejtuar nga Enver Hoxha, ku edhe kërkon falje. Por në përshkrimin e figurës së tij, Ramiz Alia është shpesh herë kontradiktor, sidomos në kapitullin; “Lufta kundër liberalizmit”, ku ndalet te Festivali i 11-të i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar (22-25 dhjetor 1972).

                                                   Vijon nga numri i kaluar

Ramiz Alia në teh të thikës…?!

Në librin e tij “Jeta ime”, pasi tregon se raportin në Plenumin e IV-ët, e kishte mbajtur vetë Enver Hoxha, sepse ai nuk mund të ishte referues, ngaqë duhej të jepte llogari për gabimet që kishin ndodhur në sektorët që drejtonte, pasi shpjegon pastaj  se kishte bërë autokritikë, se i kishte munguar vigjilenca e nevojshme, se kishte nënvleftësuar rrezikun e ndikimeve nga ideologjia e huaj… dhe për këto gabime Plenumi i IV-ët e kishte kritikuar dhe e kishte dënuar me “vërejtje në kartën e regjistrimit të Partisë”, Ramiz Alia vazhdon:

“Disa herë më kanë pyetur se si është e mundur që ‘kam shpëtuar’ vetëm me kaq, pra pa u përfshirë në ‘listën’ e armiqve të Partisë në Plenumin e IV-ët! Duhet të them se kritika të cilat mund të më radhitnin edhe mua në grupet armiqësore, janë bërë në Plenumin IV-ët dhe iniciatori ka qenë Mehmet Shehu…! Por kjo gjë u kundërshtua veçanërisht nga Enver Hoxha…! Ai më njihte shumë mirë, sidomos që nga viti 1960, kur filloi lufta e hapur kundër revizionizmit hrushovian. Për pasojë, Enveri i dinte shumë mirë mendimet e mia dhe nuk kishte se si të dyshonte dhe aq më pak të besonte ndonjë njeri tjetër, që kishte për qëllim të më implikonte në ndonjë veprimtari “armiqësore”, apo revizioniste”! (faqe 265).

Kështu është: pikërisht se kishte këtë besim ndaj Ramiz Alisë, Enver Hoxha, e përjashtoi nga “lista e armiqve”. Por kishte gjetur Festivalin e 11-të, si shkas për të nisur sulmin barbar ndaj artit dhe kulturës, që të linte të kuptonte se; opinioni publik, populli, kushdo, duhej të nënshtrohej gjithnjë dhe më shumë, sepse, në rastin më të parë, ai do të zbulonte “armiq të tjerë” dhe do t’i dënonte pa mëshirë, ashtu siç ndodhi më pas.

Kishte harruar porositë që i kishte shprehur Agim Meros, më 1971, pra për kujdesin që duhej të tregohej për rininë, që i kam përmendur më sipër. (Jo vetëm kaq, por në ribotimin e veprave të tij të plota, ky takim është hequr, siç u hoqën tërë vlerësimet që ai kishte bërë për Mehmet Shehun pas vrasjes, ose vetëvrasjes së tij etj….).

Por kishte edhe  një arsye tjetër edhe më madhore, që Enver Hoxha nuk e dënoi Ramiz Alinë. “Thuhet, – shkruan ai në librin “Jeta ime”, – se Enveri më kishte zgjedhur si zëvendësin e tij, prandaj më ka mbrojtur. Nuk besoj të ketë qenë kjo arsyeja, sepse dihet botërisht, se kur filloi lufta kundër “liberalizmit”,(fillimi i vitit 1973), si kandidatë kryesorë  dhe pasardhës të Enverit, njiheshin Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo…! Thuhet gjithashtu se; mund të këtë ndikuar shoqëria ime me Nexhmjen, ose dhe krushqia, meqenëse mbesa ime, është martuar me Ilirin, djali i Enverit. Por këtë nuk e besoj, se si Enveri, ashtu dhe Nexhmija, nuk janë ‘zmbrapsur’ në vendimet e tyre as nga kushërinjtë dhe ta afërmit, kujtojmë rastin e Bahri Omarit, (kunati diktatorit, që e pushkatoi më 1945, shënimi im, S.K.), as nga shoqëritë e miqësitë”. (faqe 265).

Jo, ishin pikërisht arsyet e mësipërme, që Enver Hoxha nuk e përfshiu Ramiz Alinë, në “listën” e armiqve. Bëri të kundërtën e asaj që bëri Taras Bulba, në novelën e bukur të Gogolit, që vrau të birin për tradhti, ose Mateo Falkone, në tregimin me të njëjtin titull, të Prosper Merimesë, që vrau të birin e mitur, gjithashtu për tradhti. Për tradhti ose për shkelje të “idealeve të larta” të Partisë, edhe Ramiz Alia duhej të përfshihej në këtë listë, por Enver Hoxha, iu shmang këtij vendimi. Pra nuk u tregua “parimor”. (Nënvizoj me këtë rast se, si shumë e shumë shokë të mi atëherë, nuk kam dashur kurrë që Ramiz Alia, të pësonte fatin e mynxyrshëm të atyre që dënoi diktatori).

Jam i bindur se, sikur Enver Hoxha ta kishte dënuar Ramiz Alinë, ashtu siç dënoi Todi Lubonjën, Fadil Paçramin dhe të tjerë, në faqet e librit “Jeta ime”, do të gjenim të përshkruar një tjetër Enver-xhelat, kriminel gjakësor, diktator të pashembullt, ashtu siç ishte ai në të vërtetë. Todi Lubonja, me t’u kthyer më Lezhë, u shkarkua edhe nga detyra e drejtorit të Ndërmarrjes së Ujërave, për t’u bërë normist, punëtor dhe u burgos dhe i akuzuar për pikëpamje dhe shije estetike liberal-oportuniste, më 27 korrik, u dënua me 15 vjet heqje lirie. Pasi kaloi 13 vjet në burgun e tmerrshëm të Burrelit, u lirua në qershor të vitit 1987 dhe u internua në fshatin Malecaj të Lezhës dhe vetëm nga fundi i vitit 1990, mundi të kthehej në Tiranë.

Fadil Paçrami, pati fat më të rëndë. Pasi kaloi rreth 17 vjet në burgun e e Burrelit dhe në vitin e fundit atë të Kosovës së Madhe, në afërsi të Elbasanit, u lirua nga burgu më…17 mars 1991 vetën dy javë para zgjedhjeve pluraliste. E çuditshme! Ramiz Alia, që ashtu siç njihte Lubonjën, njihte dhe Paçramin, aq më tepër që edhe ai ishte nga Shkodra, nuk guxoi që këta të dy, të dënuar thjesht për prirjet sadiste të Enver Hoxhës, të cilat për pak ai do t’i kishte pësuar më kurrizin e tij, t’i lironte më parë nga burgu. Edhe shkrimtari i madh Kadare, siç e përshkruan në librin e tij, “Nga një dhjetor në tjetrin”, disa vite pas vdekjes së diktatorit, i ka kërkuar atij, që Todi Lubonja të mos qëndronte më në burg. Por “trashëgimtari” i Hoxhës, edhe pas vdekjes së tij, trembej se mos ky na ngrihej nga varri dhe e mallkonte!

Sidoqoftë, në librin “Jeta ime”, botuar pra 36 vjet pas dënimit të Todi Lubonjës dhe Fadil Paçramit, Ramiz Alia shpreh keqardhje të thellë dhe të sinqertë, kur shkruan: “Personalisht, dënimin e këtyre shokëve, e kam vuajtur moralisht. Unë kam pasur shoqëri të ngushtë para Luftës me Todin, ndërsa pas Luftës si ne, ashtu edhe gratë tona, e bënë edhe më të ngushtë shoqërinë me njeri-tjetrin…! Dënimin e rëndë që pësoi dhe veçanërisht burgosjen e tij dhe të djalit të tij, internimin e Lirisë, (gruas së tij) dhe të të gjithë familjes (motër e vëlla), shpirtërisht nuk e kam miratuar asnjë herë. Kam heshtur, duke iu bindur vijës dhe disiplinës së Partisë…”! (faqe 266).

Jo, nuk është fjala këtu për bindje ndaj “disiplinës së Partisë”, por ishte frika, që kishte mbërthyer jo vetëm Ramiz Alinë, por çdo anëtar të Byrosë Politike, duke filluar nga Hysni Kapo, ose “i hekurti” Mehmet Shehu, që me siguri i cilësonin këto dënime obskurantiste, por që nuk kishin guximin t’i  thoshin hapur diktatorit hitlerian: “Ku po të shpie mushka, Enver…”?! Bile kjo frikë nga hija e Enver Hoxhës së vdekur më 1985, nga e shoqja e tij, Nexhmija, vazhdoi edhe më pas, përderisa Ramiz Alia në librin e tij, vazhdon kështu: “Bile edhe kur isha në krye të Partisë, nuk e ndihmova Todin. E ndiej peshën e fajit tim…”! (po aty).

Për më tepër, Ramiz Alia edhe e mbron Enver Hoxhën, kur  pas Festivalit të 11-të, ndërmori masa të tilla kriminale. Ai i thekson edhe një herë në faqet e librit të tij, se; “qëndrimi sektar dhe i ashpër i Enverit”, diktohej “nga instinkti i vetëmbrojtjes”, se ka qenë në shenjë nga titistët dhe Koci Xoxe, që e akuzonin për oportunizëm, sektarizëm, me synim eliminimin e tij, se rrethi i armiqve që kërkonte kokën e tij, erdhi duke u shtuar, “sidomos pas prishjes me Bashkimin Sovjetik”, se për këtë gjendje të tij, mund të ketë ndikuar “edhe afrimi i Kinës me amerikanët…”! (“Jeta ime”, faqe 263).

Pra, me fjalë të tjera, ashtu si pas Konferencës së Tiranës, (1956), kur Enver Hoxha personalisht, dënoi me dhjetëra e dhjetëra komunistë që kërkuan në këtë kuvend të hapur partie, zhvillime demokratike dhe dënimin e kultit të Stalinit, siç  kishte ndodhur në Kongresin e 20-të të Partisë Komuniste të Bashkimin Sovjetik, pra edhe dënimin e kultit të individit të vetë Enver Hoxhës, ashtu edhe pas Festivalit të 11-të diktatori  ndërmori këtë sulm,i ndikuar nga faktorët e mësipërm. Ramiz Alia e mbronte atëherë Enver Hoxhën,duke i quajtur veprimet e tij  si “një farë paranoje, sipas meje e justifikuar”, (faqe 199 e veprës së tij “Jeta ime”).

Këtë radhë për veprimet e tij pas Festivalit të 11-të, siç e pamë, ai nuk përdor fjalën paranojak, por e nënkupton atë, ngaqë Enveri shtyhej “nga instinkti i vetëmbrojtjes”. Dhe në fakt, pa u zgjatur, i tërë opinioni i përhapur që atëherë në popull dhe besoj te byroistët e tjerë, ishte opinioni i Ramiz Alisë, pra, se veprimet e Enver Hoxhës, ishin veprime e një njeriu që vuan nga paranoja. Dhe që të bindemi më shumë se Enver Hoxha ishte  paranojak, pra, siç e kam shpjeguar në pjesën e parë, të këtij dossieri, njeri që vuan nga ndjenja e persekutimit, ose deliri i madhështisë, që i shkaktojnë bindje absurde, të cilat nuk përkojnë me realitetin, le të vazhdojmë më dënimet e tjera që ndërmori pas Plenumit të IV-ët të Komitetit Qendror të Partisë, në qershor të vitit  1973.

Terror mbi shkrimtarë dhe artistë!

Nga fillimi i tetorit të vitit 1974, u burgos edhe Mihal Luarasi, regjisor i Festivalit të 11-të, që punonte në një kantier ndërtimi në Ballsh. U lirua nga burgu nga fillimi i vitit 1983 dhe punoi… bojaxhi. Fatin e tij, pësoi edhe Minush Jero, autori i dramës “Njollat e murrme”, që Luarasi kishte vënë në skenën e teatrit të Korçës, më 1969 dhe këngëtari i këtij festivali, Sherif Merdani. Akuza – se “këndonte këngë të degjeneruara perëndimore”. Të gjitha këto, siç po e shohim hap pas hapi, e kanë zanafillën te festivali, kënge të transmetuar në RTSh.

Sidoqoftë le të bëjmë një hamendësim: Janë ditët e fundit të dhjetorit të vitit 1972. Pra, pas festivalit. Enver Hoxha ndodhet në zyrë. Njëri nga sekretarët futet me ndrojtje në zyrë dhe lë në tryezë disa materiale. Enver Hoxha i shfleton. Janë lajmet më të freskëta nga agjencitë e lajmeve. Në një lajm të agjensisë jugosllave, TANJUG, shkruhet se; “Shqipëria tregon shenja se po hapet drejt perëndimit. Këtë e dëshmoi festivali i fundit i këngës në RTSh, në të cilin ndryshe nga festivalet e tjera, këngëtarët, jo vetëm që kënduan këngë ritmike të modelit italian, por u paraqiten edhe me veshje të modës së fundit…”!

Në një lajm tjetër të agjensisë italiane, ANSA, theksohet se festivali i fundit i këngës në Tiranë, me dy paraqitës të programit, me orkestrën e madhe dhe dy orkestra të vogla, me jurinë në sallë dhe juritë në disa qytete te tjera të Shqipërisë, ishte një kopje e bukur e Festivalit të San Remos, që dëshmon se sa ka ndikuar TV Italian, në përpunimin e shijeve moderne te shqiptarët. Më tutje, një relacion nga Ministria e Punëve të Brendshme: “Burime nga organet tona të Sigurimit të Shtetit, bëjnë të ditur se në shumë qytete, këngët e Festivalit të 11-të, regjistruara në magnetofon, këndohen madje dhe në dhoma shtëpish, ku të rinj të ndikuar prej tyre, kërcejnë e këndojë në mënyrë amerikane…”! Enver Hoxha zbehet, shtrëngon dhëmbët dhe vendos të marrë masa, ashtu siç bëri në fakt…!

Të themi të drejtën, po të kishte ndodhur kështu, diktatori edhe mund të kishte pasur të drejtë të revoltohej dhe ta dënonte Festivalin e 11-të. Por nuk ndodhi asnjë nga këto hamendësime. Kur ngjarjet e Festivalit të 11-të dhe pasojat e tjera të tij për të cilat do të shkruaj më poshtë, ua kam rrëfyer disa miqve të mi italo-amerikanë, që banojnë në Boston, ata kanë mbetur të habitur dhe kanë shtuar se këto, mund të ndodhnin vetëm në periudhën e inkuizicionit mesjetar. Por dihet se “Goliathi” Enver Hoxha, nuk u kufizua me goditjen barbare që i dha Festivalit të 11-të. Ai hobenë e tij, e vërtiti dhe në fusha të tjera të artit!

“Në letërsi dhe arte, – theksohej në materialet te Partisë, kushtuar Plenumit të IV-ët, – elementët armiq, nën maskën e luftës kundër konservatorizmit, kishin bërë përpjekje për t’i hapur rrugën liberalizmit, për të larguar letërsinë dhe artet tona nga rruga e realizmit socialist. Në qendër të goditjes, ata kishin parimin e udhëheqjes së partisë në letërsi dhe arte. Në plenum, u kritikua Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve, disa drejtues të së cilës kishin lejuar përhapjen e koncepteve e teorizimeve të huaja, për letërsinë dhe artet tona. Përgjegjësi për këto, kishte edhe Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, e cila kishte nënvleftësuar rrezikun e liberalizmit dhe ishte tërhequr para presioneve liberale. (Plenumi i 4-t i KQ të PPSh-së, qershor 1973, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, faqe 847, 1985).

Si pasojë, lirua nga detyra kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dhimitër Shuteriqi, sekretari i saj, Vilson Kilica, u largua me dënim të rëndë, kryeredaktori i “Dritës”, Ibrahim Uruçi, që përfundoi fshesar në Memaliaj, ku edhe vdiq në mjerim, u qarkullua redaktori i saj, Moikom Zeqo. Nga revista “Nëntori”, u larguan kryeredaktori dhe kritiku i njohur, Dalan Shapllo, redaktorët Gjergj Zheji, Andon Kuqali, Sulejman Mato; nga Shtëpia Botuese, “Naim Frashëri”, u qarkulluan redaktorët Dilaver Dilaveri, Rinush Idrizi, Aristidh Ristani, i cili kishte lejuar botimin e veprave të huaja, me pikëpamje të shtrembra ideo-estetike.

Kjo fushatë vazhdoi me qarkullime e dënime të tjera shkrimtarësh, si; Teodor Laco, Pëllumb Kulla, Leka Bungo, etj.! Shpëtoi çuditërisht pa u dënuar, poeti i njohur, Xhevahir Spahiu, i kritikuar dy herë hapur nga vetë Enver Hoxha, për ndikime në krijimtarinë e tij, nga filozofia “reaksionare” e Sartrit. Më pas, pasojat u bënë tragjike: për prirjet e tyre abstraksioniste dhe surrealiste në artet figurative, u arrestuan dhe u dënuan me burgim të gjatë, piktorët Edison Gjergo dhe Ali Oseku, shkrimtari Zydi Morava, poetët Jorgo Bllaci, Frederik Reshpja, Visar Zhiti, Daut Gumeni, Uran Kostreci, regjisori dhe dramaturgu, Kujtim Spahivogli dhe më vonë arkitekti dhe piktori Maks Velo.

Vëllimi i poetit të njohur Fatos Arapi, “Më jepni një emër”, për gabime ideore nuk doli në qarkullim dhe ai u dënua të kalonte nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, ku ishte pedagog-mësues, në një shkollë mbrëmjeje. Nuk u lejua të botohej në gazetën “Drita” dhe u dënua drejtpërdrejt nga Enver Hoxha, poema “Pashallarët e kuq”, e Ismalil Kadaresë, i cili u degdis të kalonte disa muaj nëpër fshatrat e Myzeqesë. Kurse Abdurrahim Myftiu, sekretar i kolegjiumit të kësaj gazete, që kishte aprovuar këtë poemë për ta botuar, u pushua nga puna. Kulmi i dënimeve absurd, arriti me pushkatimin e dy poetëve të rinj nga Librazhdi, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi…!

Është e çuditshme se si Ramiz Alia, nuk përmend në librin e tij qoftë edhe një emrat e mësipërm të krijuesve që u dënuan pas Plenumit të IV-ët të Komitetit Qendror të PPSh-së, dënime që  nuk ishin gjë tjetër, veçse vazhdë e dënimeve të tjera që kishte ndërmarrë ky despot dhe kasta komuniste, kundër shkrimtarëve që më 1945: Vdekur nga torturat në burg – shkrimtarët priftërinj katolikë, Vinçens Prenushi, Bernardin Palaj; pushkatuar – Lazër Shantoja, Anton Arapi, Trifon Xhagjika, Fadil Kokomani, Vangjel Lezho; burgosur, Ethem Haxhiademi, Gjergj Bubani, Arshi Pipa, Mitrush Kuteli, Mustafa Greblleshi, Ibrahim Dalliu, Kasem Trebeshina, Mehmet Myftiu, Bedri Myftari, Kin Dushi…! Memorie.al

 

5 Komente

  1. 1
    1001

    Kishe perkrah merimangen e zeze Nexhmije Hoxhen ....se te ishte per ty Ramiz Alia ...do te ndiqte i njeti fat ne sketer do ta kishe fundin ...thjesht merimanga e zeze te telefonoi nga Vlora ku bente pushimet dhe thithnin eren e lules se portokaallit dhe te tha : do nderhyj dhe une te Enveri , vec ti be nje autokritike ....dhe keshtu ja hodhe paq ... Per kete sherbim dhe per shume te tjera qe ia premtove merimanges qe nuk do ndryshonte asgje mbas vdekjes se Enver Hoxhes , ajo nuk ta fali kurre ...

    1. K
      Kumunistat.

      islamiket dhe komunistat, nuke dali kurrë nga përiudha e inkuizicionit. Edhe sot në vitin 2023, po të njëjten sjellje kanë diktatoret në vendet Muslimanë dhe ato komuniste siç kishte Enver Terroristi, në shekullin 20. Droktina islamike dhe ajo komuniste nuke i lën kurrë njerzit, që të largohen nga dhuna dhe vrasjet. Enver Hoxhë terrorist, vravë të gjith njerzit e zgjumë dhe patrijot, dhe na la si dhuratë Saliun, Meten, Nanonë dhe Ramen me shokët e ti ti që shumicën i kane në burg.

      1. R
        Raimond Vlonjati

        E vertete ajo qe thote komentusi i pare, Ramizi shpetoi nga Nexhmija meqe ishin te dy nga Veriu dhe Nexhi e shpetoi nga plumbi Ramizin , pa ca thote Ramizi jane peralla, Por Ramizi u tregua shume qelbesire se pasi mori pushtetin ky mut, shkaterroi ekonomine e Shqiperise , sepse nuk perpiqej qe te siguronte vazhdimesine e lendeve te para qe bliheshin jashte shtetit per industrine tone., dhe keshtu qe u kthye ekonomia ne zero , sepse nuk kishte me lende te para qe bliheshin jashte.

    2. r
      rrofte lexhenda dhe zagaret e tij !

      Skifter shkruaj dhe te Pesten here. Merimanga e zeze !!!!!!!!!!!!!!!!!!!!

      1. k
        kete kisha tani per tani

        Do shkruash dhe kater here te tjera ti, veçse mos genje shume se ka njerez qe e kane jetuar dhe rrojne akoma; te kishe pritur sa te vdisnin dhe keta e pastaj te shkruaje: burre pa taban.

        Lini një Përgjigje