Si e paralajmëroi ambasadori italian ndarjen nga jeta të Enver Hoxhës: Mehmet Shehu ishte miku i tij më i mirë. Ai i ka shkatërruar të gjithë rivalët dhe pas vdekjes

14 Nëntor 2023, 10:32Dossier TEMA
Si e paralajmëroi ambasadori italian ndarjen nga jeta të Enver

“Shkëndi që do të shkaktojë zjarr”. Kështu e ka paralajmëruar vdekjen e Enver Hoxhës, ambasadori italian në Tiranë në fillimin e viteve ’80-të. Në argumentin me referenca nga zhvillimet në Shqipëri, diplomati i vendit fqinj, vërente jo pa shqetësim, prishjen e ekuilibrit politik në rajon, por dhe më gjerë, pas vdekjes së diktatorit Hoxha. Sipas tij, ky do të ishte një rast fatlum, për zbarkimin e trupave sovjetike në tokën e shqiponjave dhe rivendosjen e marrëdhënieve të ndërprera në fillimin e viteve ’60-të. Sakaq, Shqipëria e vogël, për diplomatin Italian, që këtej do të bëhej arenë e përplasjeve të mëdha NATO-Traktat i Varshavës. Ambasadori Roberto Ducci, konsiderohet një emër i madh i diplomacisë së vendit fqinj, karriera e të cilit, është e lidhur me vendimet më të rëndësishme të politikës së jashtme italiane, gjatë viteve të Republikës së Parë: nga pjesëmarrja në bashkëpunimin shumëpalësh në ndërtimin e Europës, deri në paqësimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë dhe Austrinë. Ai cilësohet si një nga personalitetet më brilante, të politikës së jashtme të kohës. (Af. Im.)

Kujtimet e Robert Duccit, ish-ambasador i Italisë në Shqipëri në vitet ’80-të

“Nuk kam ndërmend të merrem me “meritat” e Marksizëm-Leninizmit në kënd shikime të tjera, por e shoh interesante të shënoj, se si ai i mban gjatë në jetë, subjektet e veta që ushtrojnë pushtet politik të pakufizuar. Ne na kujtohet ky fenomen në vitet e fundit, kur kemi ndjekur në ekranet e televizionit, funeralet e shumta të anëtarëve të Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, në “Sheshin e Kuq”, jeta mbi tokë e të cilëve, ishte mbyllur në mosha që vërtiten midis të shtatëdhjetave e, deri në tetëdhjetë e pesë vjeç. Statutet e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, përshkruajnë akoma se një bolshevik i mire, nuk del kurrë në pension, nga lufta për revolucionin botëror, të cilit ai i kushtonte rininë e tij. E njëjta është e vërtetë në vendet e Europës Lindore të nënshtruara nga BRSS-së.

Sapo udhëheqësit e tyre origjinalë “bolshevikë të vjetër”, ekzekutoheshin sipas urdhrave të Stalinit, pa mbushur ende të pesëdhjetat, apo përjashtoheshin për gabimet e tyre kundërrevolucionare, në moshat gjashtëdhjetë apo, shtatëdhjetëvjeçare, rregulli zbatohej me besnikëri, në të gjitha vendet e Europës Lindore: Kujtoni Janos Kadar të Hungarisë, Gustav Husak të Çekosllovakisë, Nicolae Ceausescu të Rumanisë. Por, kurrë ky fenomen nuk është dukur më i suksesshëm, sesa në rastin e dy udhëheqësve rebelë komunistë, Marshall Tito dhe Enver Hoxha. Tito e drejtoi Jugosllavinë, për më shumë se dyzet vjet. Hoxha, i cili themeloi dhe u caktua udhëheqës i Partisë Komuniste të Shqipërisë në 1941, akoma e gëzon pozitën e tij.

Sundimi i tij absolut në Shqipëri, iu ka kundër qëndruar me sukses sulmeve nga brenda partisë së tij. (Komplotuesit zakonisht janë gjetur të vdekur: më i famshmi ndër ata, Mehmet Shehu, kishte qenë shoku dhe miku më i mirë i Hoxhës dhe numri 2 i përjetshëm për tridhjetë e pesë vjet.) Për më tepër, Hoxha kishte qenë i aftë të parandalonte e të digjte, të gjitha planet e përpjekjet e herëpashershme, që ishin bërë kundër jetës së tij apo pushtetit të tij, të iniciuara dhe të kryera nga jugosllavë e rusë. Duket se me të vërtetë, duart e apostujve Marks dhe Lenin, do të kenë qenë mbi kokën e tij. Por, fatkeqësisht, askush, madje as edhe një bolshevik i konfirmuar, nuk është i pavdekshëm.

Një ditë vdekja do ta thërresë edhe Hoxhën dhe as mendjemprehtësia e, as mizoria e tij, nuk do të mjaftojnë për ta ndaluar atë të shkojë në shtratin e të sëmurit. Do të mbahet një zi e përgjithshme nga ana e popullit shqiptar, madje disa do të jenë edhe të sinqertë. Do të ndizen zjarre në male dhe do të shtihet me pushkët e vjetra në lugina. Kufoma e tij do të balsamoset dhe do të varroset në varrezat shtetërore, ashtu sikurse u veprua me Stalinin (Hoxha është admiruesi më i pakthyeshëm i Stalinit!). Pastaj zhurma dhe të qarat do shuhen dhe vendi i vogël ballkanik, do të vijojë të endet në një të ardhme të pasigurt.

Qysh nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ka bërë vend vetëm tri here, në titujt kryesorë të mediave: kur kujdestaria jugosllave u zëvendësua nga kujdestaria ruse; kur këta të fundit u zëvendësuan nga kinezët; kur kinezët u falënderuan thatë për ndihmën e tyre dhe iu kërkua të largoheshin. Në pesëmbëdhjetë vitet e fundit, shumë pak njerëz në Perëndim, kanë pasur dijeni për ekzistencën në Juglindje të Europës të këtij vendi, i cili, për të gjitha synimet dhe qëllimet, mund të ishte edhe Tibet.

I mbyllur në vetvete, ky vend praktikisht, nuk ka asnjë komunikim me botën përreth, përveçse përmes një grupi të vogël zyrtarësh të besuar; nuk ka marrëdhënie diplomatike me Mbretërinë e Bashkuar, as me Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo BRSS-në; nuk lejon asnjë mundësi për popullin e tij për të njohur çfarë po zhvillohet jashtë botës; toleron shumë pak turizëm të huaj dhe e bën praktikisht të pamundur për shqiptarët, të udhëtojnë jashtë vendit të tyre.

Asnjë, madje as edhe diplomatët në kryeqytetin Tiranë, të cilët janë kaq të reduktuar në numër, saqë shpesh e gjejnë të vështirë të organizojnë një tavolinë katërshe, asnjë pra, nuk di çfarë ndodh me të vërtetë në Shqipëri. U ekzekutua ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku në 1975. Pse? Sepse ishte spiun sovjetik (jugosllav, amerikan)? Vrau veten Mehmet Shehu, apo u vra qëllimisht, sipas urdhrave nga lart?!

Përgjigja e kujtdo ndaj këtyre pyetjeve dhe ndaj pothuaj të gjitha pyetjeve jetësore si kjo, është: “Ne, me ndershmëri, nuk dimë asgjë”. Interesimi i ngritur midis njohësve për ndonjërën nga këto ngjarje, shuhet shpejt: harta e Europës, duket se nuk e përfshin më vendin e vogël, ku në shekullin e pesëmbëdhjetë, heroi Skënderbeg, udhëhoqi revoltat kundër turqve dhe nga ku Perandoria Otomane, nxori jeniçerët më luftarakë dhe shumë nga pashallarët e vezirët e mëdhenj.

Shqipëria është një vend me terren të thyer malor, pak më i madh se Uellsi. Kufizohet nga Veriu me Malin e Zi dhe Kosovën (në Jugosllavi), në lindje nga Maqedonia, në Jug nga Epiri (në Greqi) dhe në Perëndim, nga deti Adriatik. Provinca jugosllave e Kosovës, ka më shumë se një milion shqiptarë: s’ka çudi që qeveria e Tiranës, e konsideron këtë numër si “të pa rivlerësuar”. Maqedonia, e banuar nga serbë, bullgarë, turq dhe grupe të tjera etnike, tradicionalisht ka qenë e pretenduar nga vendet ballkanike; Bashkimi Sovjetik, pasardhësi i pashuguruar i Rusisë së shenjtë, vijon të ushqejë shpresa, për t’ia aneksuar atë Bullgarisë besnike, duke krijuar kështu një pykë, midis Jugosllavisë heretike dhe Greqisë së NATO-s.

Epiri gjithashtu, i shenjtëruar pas shpirtrave të të parëve, Akilit dhe Piros, ishte dhe ka të ngjarë që përsëri të bëhet një mollë sherri, midis Shqipërisë dhe Greqisë. As Serbia, as Greqia – dy rivalët kryesorë ballkanas, për hegjemoni mbi Shqipërinë përpara Luftës së Parë Botërore dhe midis dy luftërave, nuk qenë në gjendje, ta sigurojnë krejt për veten, Epirin – arsye e qenësishme që Italia, nuk do ta lejonte. Italia nuk e kishte lejuar Perandorinë Austro-Hungareze, të instalohej fuqishëm në pjesën e poshtme të Adriatikut, pa le më të lejonte një gjë të tillë, ta bënte Jugosllavia apo Greqia.

Pse Italia ishte e interesuar për të siguruar një Principatë shqiptare nën kontrollin e saj, apo për krijimin e një bashkimi midis dy vendeve, në personin e kreut të familjes mbretërore të Mbretit të Savojës (Victor Emmanuel III-të, Perandor i Etiopisë dhe Mbret i Shqipërisë, gjatë pjesës më të madhe të Luftës së Dytë Botërore)? Në qoftë se ne hedhim një shikim tjetër në hartë, do të shikojmë se në ditët e supremacisë dhe të lirisë në Detin Adriatik, po aq sa Venecia, edhe Trieste, ishin të varura nga zotërimi, ose, së paku, nga mbajtja nën kontroll e të dy brigjeve, italiane dhe shqiptare, të ngushticës së Otrantos, e cila lidh Detin Jon me atë Adriatik. Ky pra, ishte edhe një parim i politikës së jashtme italiane, me qëllim që të sigurohej se Shqipëria, nuk do të binte në duart e një shteti apo perandorie të fuqishme kundërshtare.

Pas vitit 1945, ky parim nuk mund të zbatohej. Shqipëria, e braktisur nga fashistët në fund të vitit 1943 dhe nga nazistët në 1944, hyri në perandorinë e Stalinit. Por pas revoltës së Titos, Shqipëria ishte i vetmi post i përparuar i BRSS-së. Pasardhësit e Stalinit, nuk dinin ç’të bënin me të. Italia kishte të tjera probleme për të zgjidhur dhe, në çdo rast, klasa e saj politike, kishte qenë vaksinuar kundër ndërhyrjes dhe përzierjes në çështjet ballkanike.

Aty-këtu zienin dhe përhapeshin thashetheme, për instalimin e një baze për nëndetëset sovjetike në Gjirin e Vlorës. Përpara viteve gjashtëdhjetë, praktikisht nuk kishte flotë Sovjetike në Mesdhe. Ndërkaq, Hoxha përzuri rusët dhe thirri kinezët. Pasi edhe ky episod pati një fund, qeveria e Tiranës, akoma vijonte të mbante pajisje dhe shërbime forcash ajrore e detare nga Bashkimi Sovjetik, si dhe nga çdo vend tjetër.

Vendi mbetet blockfrei (Germ. i lirë nga blloqet), duke mos pranuar kontakte si me bllokun e Varshavës, ashtu edhe me bllokun e NATO-s. Ai nuk pranon madje të llogaritet as ndër vendet e paangazhuara, apo ndër vendet asnjanëse të Europës (Zvicra, Austria, Suedia, Finlanda dhe Malta); ai nuk pranon të marrë pjesë në Konferencën e Helsinkit mbi Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë dhe nuk është nënshkrues i Aktit Final të Helsinkit. Shqipëria jeton në një izolim të vetë imponuar: populli i saj është shumë krenar, për t’u dorëzuar, shumë i varfër për të ushqyer, e për të zgjuar vështrime lakmitare, shumë trim e burrëror, ndaj çfarëdo agresioni që do të mund t’ia vlente barra qiranë, të ndërmerrej kundër tij. Shqipëria është, ndoshta, shembulli i fundit i Kleinstaaterei (mikroshteteve) të shekullit të tetëmbëdhjetë, siç ishin Vajmari dhe Parma.

Për më tepër, Shqipëria ishte aplikacioni i parë i formulës së Schumacher (Ekonomist britanik, i famshëm-shënim i red.) “I vogli është i këndshëm” (Small is beautiful)” në fushën ndërkombëtare, ose aplikacioni i Shekspirit i Dukatës së Ilirisë në fushën e poezisë, ku Viola (personazh i dramës “Dymbëdhjetë netët”) dashurohet nga Orsino, i cili dashuron Olivian, e cila dashuron Violën, derisa çdo gjë rregullohet në skenën përmbyllëse, përveç…!

Përveç çfarë mund të ngjasë pas rënies së Hoxhës – megjithëse çdokush duhet ta marrë me mend, se duke qenë vetëm shtatëdhjetë e gjashtë vjeç, ai mund të mbijetojë edhe për disa vite. Sidoqoftë, mosha e tij e thyer, është një arsye e mirë për vëzhguesit e skenës së Ballkanit, të fillojnë të vrasin mendjen dhe, ndoshta, të planifikojnë se çfarë do të ndodhë, kur ai të lëshojë timonin. Nuk ka vetëm një mënyrë të parashikuari, se si do të jetë gjendja politike e çështjeve dhe e punëve në Shqipëri, pas vdekjes së Hoxhës.

A është diskutuar tashmë pasardhësi i tij, në Byronë Politike të Tiranës, apo – sikurse duket se ka të ngjarë – shefi sundimtar, nuk ia ka besën asnjërit, për ta vënë këtë çështje në agjendë?! Duke e bërë të njohur, se në ç’supe do të bjerë manteli i tij, një diktator, fare lehtë, ndërton dhe ngre në krye një rival dhe, me gjasë, vrasësin e tij. Nëse dikush do të mund të merrte me mend, se është një grupazh shumë i madh pro Hoxhës në Byronë Politike (nuk ka dyshim për këtë), ky grupazh, do të përpiqet të dalë në krye, duke zgjedhur Shokun X si Sekretar të Përgjithshëm të Partisë. Ky skenar është i pranueshëm, por ka një të metë: Hoxha i ka shkatërruar të gjithë rivalët e tij, kështu që asnjeri prej mbështetësve të tij, në rangjet e larta të Partisë, do të jetë mjaftueshmërisht i madh; “për të pasur hijen” e tij.

Miqtë dukshëm unanimë ndaj Hoxhës, mundet për këtë arsye, të ndahen shpejt, në dy apo tri grupe rivale, secili nën një baron më të vogël dhe qysh se shoqëria shqiptare, është akoma e strukturuar në klane kundërshtare, lufta politike, do të mund të dyfishohet nga rivaliteti për epërsi midis klaneve. Sipas këtij skenari, skena politike në Shqipëri, do të mund të destabilizohej për disa vite – një gjendje gjërash e punësh, që do të mund të inkurajonte ndërhyrjen e huaj, sikurse edhe do të shikojmë. Kushdo që do të marrë shkopin e dirigjentit të Hoxhës, do të jetë, për një kohë, paevitueshmërisht pak a shumë, i dobët dhe i ekspozuar. Kursi më i mire që ai mund apo duhet të ndjekë, si fillim, është të ruajë statukuonë.

Çfarëdo që mund të thotë propaganda zyrtare, kur ajo shpik komplote dhe komando të CIA-s, udhëheqësit e Tiranës e dinë – dhe e dinë vetëm mirë, se Shtetet e Bashkuara, nuk kanë arsye për të destabilizuar Shqipërinë. Jugosllavët janë tashmë, duke përballuar një punë të vështirë, për të mbytur e shtypur pakënaqësinë e shqiptarëve në Kosovë dhe nuk do të donin, t’ia aneksonin atë vendit të saj mëmë. Për sa kohë që Beogradi dëshiron të ruhet nga një ndërhyrje sovjetike, ai do të mbetet i interesuar për stabilitetin Shqiptar. Për këtë arsye, udhëheqja e Tiranës do të përqendrohet në rrezikun e një ndërhyrjeje sovjetike.

Por, a ka gjasë të vërtetë për një ndërhyrje Sovjetike në një republikë të vogël të Ballkanit, një ndërhyrje politike, ushtarake, apo të dyja së bashku? Sipas mendimit tim, përgjigja ndaj kësaj pyetjeje, është “po”, për arsye që janë të qëndrueshme, si afatshkurtra, edhe afatgjata. Është e lehtë të shohësh, çfarë avantazhesh do të mund të vilte BRSS-ja, nga rikthimi i djalit plëngprishës, në Paktin e Varshavës (Shqipëria ishte i vetmi anëtar që doli nga Pakti me vullnetin e saj të lirë dhe pa vuajtur asnjë hakmarrje shpagimi).

Rivendosja e ndikimit sovjetik në Shqipëri, do t’i krijonte mundësinë Moskës, për të ushtruar presion mbi Jugosllavinë, duke inkurajuar irredentizmin shqiptar të Kosovës dhe duke marrë rolin e arbitrit, për pretendimet e dy palëve. Lidhja aleate e Greqisë me NATO-n, e dobësuar tashmë nga konflikti i saj me Turqinë dhe nga orientimi e prirja e Andrea Papandreut, për nga politika e paangazhimit, do të mund të dobësohej edhe më tej.

Portet shqiptare (Durrës, Vlorë, dhe Sarandë), të lakmuara aq shumë dhe aq gjatë, do të mund të hapeshin për Flotën Sovjetike të Mesdheut, e cila do t’i përdorte ato për baza riparimi, shërbimesh, zbarkimi, furnizimesh dhe qëllime të tjera, sepse ajo nuk ka lehtësira e infrastrukturë në Mesdhe, përveç në një masë shumë të vogël, në Latakia, në Siri. Për më tepër, aneksimi i Shqipërisë, do të mund t’u lejonte forcave sovjetike, të instalonin pajisje e mjete të vëzhgimit elektronik, të cilat do të mbulonin pjesën më të madhe të rajonit të Mesdheut, duke përfshirë edhe Italinë Qendrore, Jugore dhe ishujt e saj, si dhe tërë hapësirën tokësore dhe ishujt e Greqisë. Aeroplanët e zbulimit dhe ata sulmues (gjuajtës), do të mund të bazoheshin në aeroporte të modernizuara me hangarë nëntokësorë: planet e mbrojtjes të komandës së krahut jugor të NATO-s do të duhej të modifikoheshin thelbësisht.

Më në fund, vetëm masa ekstreme nga NATO-ja, do të mund të parandalonin BRSSS-në, nga instalimi i raketave bërthamore taktike, që do të shënjestroheshin mbi Itali, Jugosllavi dhe Greqi. Këto tri vende, tani kërcënohen nga raketa të tipit “SS-20”, si dhe nga tipa të tjerë raketash, por vendosja në Shqipëri dhe përdorimi prej andej i raketave me rreze të shkurtër – e për këtë arsye edhe më të shpejta – do t’i shtonte akoma edhe një vështirësi tjetër problemit kompleks, të kërcënimeve të frikshme ndaj rajonit të Europës Juglindore, i cili, edhe në gjendjen e sotme, nuk është i mirë-mbrojtur. Avantazhet që Bashkimi Sovjetik mund të korrte, duke e rikthyer Shqipërinë në Paktin e Varshavës, janë kaq të dukshme, sa që, me siguri, çështja duhet të ketë qenë studiuar në rrethe të mbyllura, në Këshillin e Mbrojtjes dhe në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.

Rreziku i vënies së zjarrit, një krize shumë serioze me Perëndimin, ishte sigurisht i dukshëm dhe i madh në një vlerësim të tillë. Të ndërmerreshin veprime luftarake mbi Shqipërinë, mund të dukej një vendim tepër i guximshëm, tamam në rendin e vendimit që pat marrë Hrushovi, për të instaluar raketa në Kubë. Përfitimet potenciale megjithatë, do të mund të peshonin më shumë sesa vështirësitë. Më e madhja ndërmjet këtyre të fundit, ishte mungesa e vijimësisë tokësore, midis Shqipërisë dhe Bullgarisë: përdorimi i forcave tokësore, së paku në fazën fillestare, do të duhej përjashtuar. Por trupat parashutiste dhe ato të transportueshme, me mjete ajrore, do të mund të kapnin lehtësisht portet e Adriatikut, me një perspektivë që do t’i mbyllnin hermetikisht këto porte, ndaj një zbarkimi të mundshëm të forcave të NATO-s.

Në mënyrë të befasishme, do të kapeshin gjithashtu aeroportet dhe do të krijohej një urë ajrore, për furnizime logjistike në një kohë relativisht të shkurtër. Unë nuk do të vijoj më tej të trajtoj lojëra lufte, në të cilat nuk jam aspak kompetent. Në vend të këtij kursi, unë do të provoj të përshkruaj një skenar të mundshëm politik që do të justifikonte operacionin “Shqipëria”.  Në një fjalim në Konferencën e Vendeve të Paangazhuara, e ndjera Indira Gandhi, bëri një prononcim të papritur, sipas të cilit vendi i saj, mund të ndjehej për t’u keq ardhur ndonjë ditë, prandaj; “Është krejtësisht normale dhe në rendin e gjërave”, tha ajo, – “për qeverinë e një vendi, të kërkojë ndihmë nga një vend aleat ose vëlla”.

Ajo çfarë kishte në mendje zonja Gandhi, ishte natyrisht Afganistani: ajo provonte kështu të legjitimonte ndërhyrjen e armatosur sovjetike aty. Me këtë goditje, do të legjitimizoheshin agresione të tjera ushtarake nga Bashkimi Sovjetik, kundër vendeve “vëllezër”, të tillë si Hungaria dhe Çekosllovakia. Ishte ndoshta homazhi më i mire, ndaj kujtimit të Leonid Brezhniev, i cili shpiku doktrinën e “ndihmës vëllazërore”, e cila do të ishte shkak për ndërhyrje ushtarake jashtë vendit, me skenarë të tillë, ku një vend socialist përshkruhet zakonisht, sikur po i humbet pavarësia dhe trashëgimia revolucionare e tij, për shkak të manovrave të bandave tradhtare ndaj proletariatit, në komplot konspirativ me imperialistët perëndimorë.

Rregullohet që një grusht heronjsh kryengritës të ngrihen kundër këtij komploti të fshehur dhe të kërkojnë ndihmën e Bashkimit Sovjetik, për ta thyer e shtypur atë – një kërkesë që Moska e nderon me bujari, në shpirtin dhe frymën e internacionalizmit revolucionar. Në këtë skenar, planizuesit sovjetikë, kanë arritur tanimë në një pike, ku dy nga elementët kryesorë të operacionit “Shqipëria”, kanë kaluar testin e mundësisë: një goditje dhe desantim ajror kundër Shqipërisë, do të ishte një punë jo aq e madhe, për forcat ajrore dhe ato tokësore. 

Memorie.al

5 Komente

  1. Z
    Zoica

    Hahaha. Po Biden, Karter, Andreoti, Berluskoni, etj sa vjeç kane dale ne pension? Nga politika dhe pushteti te largon vetem zoti. Njesoj si ne Lindje, edhe ne Perendim.

    1. Q
      QYTETARI

      Po pra, Meret gazeta mbush faqet me budalleqe qe te mos merret me cfare ndosh me skandalet ne Shqiperine sot

    2. N
      Nasi

      Diplomat i madhpaska qene o Kalosh ky amnasador!Te gjithave ne koke u paska rene,qe me ardhjen e Sovjetikeve pas tij! Vazhdon akoma propaganda Berishjane,ku harrohet e nuk thuhet kurr lmardheniet e prishura nga Ramiz Alia me Gjermanine Perendimore te asaj kohe!Imagjinoni ku do ishte Shqiperia sot pa u bashkuar akoma dy gjermanite ,nje nder vendet me te zhvilluara te Europes po se po por edhe te botes. Vazhdoni e i bini akoma daulleve Berishjane sepse fale atij sot jeni gazetare te shquar te shtremberimit te te vertetave te Shqiperise!Sa per ambasadorin ne fjale si nje nga diplomatet me te shquar italiane(se ku eshte shquarsia ne kete rast vetem gomari dhe injoranti e kupton)kush ka dy para mend dhe e rilexon me vemendje nuk arrin te kuptoje se ku eshte zgjuarsia e tij ne kete rast. Thene ne gjuhe popullore "pordhe me rigon" qe haen vetem me "o hej o hej o hej"te shoqeruar me daulle.

      1. M
        Mbi toke lahen te gjitha

        Futja vapit.... Njesoj eshte mo shoku,qofte ne politike,bisnes,apo diku tjeter..... Shoku i ngushte ta fut i pari sepse ai ta di piken e dobet,si rrjedhim, Enveri nuk ka bere asnje gabim,thjesht ka zbatuar rregulloren....

        1. t
          tom

          Diplomat leshi qe mi thoni diplomat gjeni. Ky nje cope rrote kari qe asnje gje nuk paska parashikuar sakte, pale qe publikon dhe kujtimet e tij, te gjitha bllof.

          Lini një Përgjigje