Bankat refuzojnë kreditë për shtëpi, por jep më shumë para për bizneset

25 Shtator 2025, 15:41Ekonomia TEMA
Bankat refuzojnë kreditë për shtëpi, por jep më

Historiku negativ në shlyerjen e kredive dhe frika për mungesë të ardhurash për të kthyer huatë e reja, ka bërë që bankat në Shqipëri të refuzojnë 30% të aplikimeve për kredi të bëra gjatë gjysmës së parë të këtij viti.

Në total në këtë periudhë bankat kanë marrë në shqyrtim 73.646 aplikime, nga të cilat rreth 8% i përkasin bizneseve dhe 92% individëve. Banka e Shqipërisë thotë se u ulën aplikimet për kredi të reja me 2.6%, por nga ana tjetër edhe u shtuan ndjeshëm refuzimet nga bankat të cilat po tregohen më të kujdesshme në kredidhënie.

APLIKIMET PËR KREDI GJATË VITIT 2024
Janar-Qershor 2024     72,418 aplikime
Korrik-Dhjetor 2024    75 530 aplikime
Janar-Qershor 2025     73 646 aplikime
Janë rreth 22 mijë numri i kërkesave të refuzuara nga bankat, me një rritje 5.1% në raport me të njëjtin gjashtëmujor të vitit 2024. Më strikte në kredidhënie thuhet në raport janë bankat me kapital të huaj, të cilat kanë refuzuar 40% të aplikimeve për kredi që kanë bërë individët pranë tyre, ndërsa bankat vendase refuzuan vetëm 18%.

“Vihet re se gjatë periudhës, dy grupet bankare kanë shfaqur qëndrime të ngjashme ndaj kërkesave për kredi të “individëve”, duke vijuar prirjen shtrënguese krahasuar me periudhën paraardhëse dhe krahasuar me një vit më parë”, thuhet në raport.

Kurse tek bizneset, bankat e huaja refuzuan 20% të aplikimeve për kredi, ndërsa ato vendase vetëm 5% të kërkesave, sidomos tek grupi i sipërmarrjeve të vogla e të mesme.

KËRKESAT PËR KREDI TË REFUZUARA
Janar-Qershor 2021        10,783 aplikime
Korrik-Dhjetor 2021         12,418 aplikime
Janar-Qershor 2022        11,950 aplikime
Korrik-Dhjetor 2022         12,996 aplikime
Janar-Qershor 2023        14,587 aplikime
Korrik-Dhjetor 2023        14,143 aplikime
Janar-Qershor 2024        18,104 aplikime
Korrik-Dhjetor 2024          20,393 aplikime
Janar-Qershor 2025         22,093 aplikime

Në gjashtë muaj bankat dhanë në total 2 miliardë euro kredi, 12% më shumë se e njëjta periudhë vjet, dhe e gjithë rritja ka ardhur për shkak të vlerës së lartë të huasë që kanë marrë individët, kryesisht për blerje banese.

“Rritja vjetore ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së fluksit të kredisë së re të marrë nga individët për blerje pasurish të paluajtshme, dhe në një masë më të vogël nga kredia e re për blerje mallrash jo të qëndrueshme”, thuhet në raport.
Edhe kredia për biznese ka rezultuar në rritje në raport me vjet, kryesisht për kapital qarkullues por edhe për blerje pajisjesh dhe pasurish të paluajtshme.

Lini një Përgjigje