Çfarë e shkaktoi rënien drastike të euros – Paratë e turistëve dhe emigrantëve “shkundin” kursin e këmbimit

10 Korrik 2024, 21:30Ekonomia TEMA
Çfarë e shkaktoi rënien drastike të euros –

Ndonëse më të zbehta se një vit më parë, presionet mbiçmuese të lekut janë rishfaqur në tregun valutor, të nxitura nga rritja e ofertës valutore që vjen si pasojë e zgjerimit të mëtejshëm të flukseve hyrëse të turizmit. Prej datës 1 korrik e deri më sot, euro është këmbyer me më pak se 100 lekë në 5 raste.

Shqipëria ka një kurs këmbimi të lirë dhe jo të fiksuar, që nënkupton se Banka Qendrore e lejon kursin të vetërregullohet dhe nuk ndërhyn përveçse në raste të jashtëzakonshme. Për shkak të rënies drastike të euros në raport me lekun, Banka po ndërhyn rregullisht në kursin e këmbimit duke blerë valutë për të nxjerrë sasinë e madhe të eurove nga tregu vendas.

Leku mbetet në pozita të forta edhe si rezultat normës së lartë bazë të interesit. Ndaj vendimi i fundit i Bankës së Shqipërisë për uljen me 0.25 pikë përqindjeje të normës bazë të interesit, si për lekun ashtu edhe për euron, nga niveli 3.25% në nivelin 3.0%, pritet të zbusë trendin e mbiçmimit të mëtejshëm të monedhës vendase.

Nga ana tjetër, forcimi i lekut ka bërë të mundur rënien e inflacionit, duke shërbyer si faktor kryesor kundër rritjes së çmimeve. Kështu, në muajin qershor inflacioni ra në 2.1% duke përmbushur objektivin e Bankës së Shqipërisë për ta mbajtur inflacionin nën nivelin 3%.

Duke marrë parasysh faktin që importi i mallrave kryhet në monedhën euro, forcimi i lekut i ka bërë më të lira mallrat dhe shërbimet që blihen jashtë vendit, por ka dëmtuar sektorët eksportues të ekonomisë shqiptare. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se vetëm në 5 muajt e parë të vitit, eksportet u tkurrën me 16.1%.

Krahas të ardhurave nga turizmi të cilat arritën në 788 milionë euro në 3 muajt e parë të vitit dhe që pritet të shtohen më shumë gjatë muajve të verës, edhe prurjet e larta të emigrantëve kanë ndikuar në praninë e madhe të eurove në vend. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, prurjet valutore të emigrantëve arritën në 242 milionë euro në 3 muajt e parë të këtij viti, duke pësuar një rritje vjetore me 13%. (Ledina Elezi)

4 Komente

  1. T
    Tom

    Turistet qe hane byrek? Ikni beni cicin....importuesit e shkaktuan....te vetmit qe fitojne jane ata...nafta, ushqimet...

    Përgjigjjuni
    1. P
      Për korrektesë

      Ledina Elezi, rrofsh per shkrimin. Por për prodhuesin vendas nuk pyet njeri. Ne Shqiperi pushtetin e kane tregetaret.

      Përgjigjjuni
      1. L
        Labi

        Nuk kalon nje muaj qe mos te degjojme lajmin u kapen kaq e aq miliona euro e paund ne pikat kufitare,eshte bere fenomen,pastaj lexojme shkrimin satirik ne gazete cfare e shkaktoj renien drastike te euros.

        Përgjigjjuni
        1. Pensionistja

          Nuk ka shtet jo,per vete kane kush pyet per ne te shkretet

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje