FMN: Ulja e viteve të kontributeve, “djeg” pensionet

1 Shkurt 2024, 21:40Ekonomia TEMA
FMN: Ulja e viteve të kontributeve, “djeg” pensionet

Afro 10 vite pas reformës së ndërmarrë në skemën e pensioneve, Fondi Monetar Ndërkombëtar sugjeron se është koha për të ndërhyrë dhe për të parë me kujdes disa elementë të cilat mund të kthehen në rrezik potencial për pensionistët e ardhshëm.  

Referuar një analize të bërë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, aktualisht norma totale e zëvendësimit, pra raporti i pensionit mesatar ndaj pagës mesatare është në 34 për qind. 

Mesatarisht, pensionistët marrin një pension prej 19 000 lekë në muaj. Ata që kanë nivelin më të ulët të kontributeve marrin mesatarisht 8500 lekë në muaj dhe ata me nivelin më të lartë arrijnë mesatarisht deri në 38 mijë lekë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ngre alarmin se në vitet në vijim ka të ngjarë që më shumë njerëz të kenë të drejtë për pensione të pjesshme, pensione sociale ose të mos përfitojnë pension, për shkak të kohëzgjatjes së pamjaftueshme të kontributit, në të ardhmen. 

“Shkalla e agreguar e zëvendësimit mund të ulet dhe të ngrejë shqetësime për rënien në varfëri të të moshuarve. Ndërsa në vitin 2012 personat që kanë dalë në pension kishin kontribuar mesatarisht 35 vite, ata që dolën në pension në vitin 2022, kontribuuan mesatarisht për 27 vite” nënvizon FMN.

Kohëzgjatja e kontributit për të pasur të drejtën e pensionit të plotë është aktualisht 37.5 vjet dhe kërkohet një minimum prej 15 vitesh për të përfituar një pension të pjesshëm,  nivel pak më i lartë se mesatarja e OECD (34 vjet për një pension të plotë dhe 13 vjet për një pension të pjesshëm).

Ndërsa reforma e vitit 2015 rrit gradualisht kohëzgjatjen e kontributit të kërkuar për një pension të plotë deri në 40 vjet deri në vitin 2032; ngriti moshën e daljes në pension në 67 vjeç deri në vitin 2056 si për burrat ashtu edhe për gratë; vendosi një pension social jo kontributiv; dhe  lidhi më ngushtë kontributet me pagat reale duke u rritur tavani i kontributeve.

Megjithatë edhe një kohëzgjatje e tillë konsiderohet nga FMN si dekurajuese për të kontribuuar kryesisht për emigrantët dhe gratë që janë jashtë tregut të punës.

Lini një Përgjigje