Kastrati tërhiqet nga blerja e Euronews Albania

7 Korrik 2022, 18:48Ekonomia TEMA

Kastrati tërhiqet nga blerja e Euronews Albania

Kompania Kastrati SH.A ka ndërruar mendje nga plani për të blerë televizionin Euronews dhe ka hequr dorë nga kontrata me vlerë 2.37 milionë euro, duke ia rikthyer aksionet pronarit të mëparshëm Theodhoro Çami.

Kontrata e depozituar në regjistrin e biznesit qkb.gov.al tregon se të mërkurën më 6 korrik, palët kanë rënë dakord me mirëkuptim për të anuluar kontratën e 11 prillit dhe se nuk kanë pretendime të mëtejshme kundrejt njëra-tjetrës.

Euronews Balkans u themelua në vitin 2018 pas një kontrate franchise tetëvjeçare të lidhur mes kompanisë Inter Media Group, e cila ka edhe aktivitete të tjera në fushën e medias me kompaninë Euronews me bazë në Lion të Francës, në bazë të së cilës, kompania shqiptare përdor emrin, formatin dhe materialet e Euronews për një televizion informativ njëzet e katër orësh në Shqipëri si dhe në vendet e tjera të Ballkanit me popullsi shqipfolëse.

Gjithsesi, kompania nuk pati një ecuri shumë të mirë financiare dhe në fund të vitit 2020 arriti të kontrollonte vetëm 4.7% të tregut të reklamave, sipas të dhënave të analizuara nga BIRN.

Bilanci i Intermedia tregon se në vitin 2020, kompania kishte asete totale prej 724 milionë lekësh, ndërsa kapitali aksioner ishte minus 49.7 milionë lekë. Kjo do të thotë se kapitali i saj fillestar është shpenzuar tashmë për të mbuluar humbjet e akumuluara përgjatë viteve.

Shefqet Kastrati është pronari i shumë kompanive me aktivitete në fusha të ndryshme, nga tregtia e karburantit te turizmi apo ndërtimi si dhe disponon kontratat e koncesioneve të aeroportit të Rinasit dhe të autostradës Rrëshen-Kalimash.

Marrëveshja për revokimin e kontratës së shitjeve nuk jep shpjegime për shkaqet e prishjes së marrëveshjes së parë.

Tregu i televizioneve në Shqipëri konsiderohet gjerësisht si i mbingopur me operatorë, me shumë televizione informative 24 orëshe që operojnë në një treg shumë të vogël. Megjithatë, interesi për të investuar në televizione nuk mungon. Më herët këtë vit grupi Balfin bleu televizionin SCAN për 700 mijë euro.

Disa nga televizionet akuzohen ndërkohë se përdorin ndikimin që kanë në opinionin publik për të përfituar favore. Në prill të këtij viti, Departamenti Amerikan i Thesarit shpalli nën sanksione shtetasin shqiptar Ylli Ndroqi, pronar i Ora News, duke e akuzuar se ka përdorur median për shantazh. Ndroqi i ka mohuar akuzat.

Njëkohësisht, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut këtë vit, thekson se pronarët e medias në Shqipëri përdorën lirshëm mediat për të përfituar favore dhe për të promovuar interesat e tyre te partitë politike.

“Shumica e pronarëve të televizioneve private përdorën përmbajtjen e transmetimeve të tyre për të ndikuar veprimet e qeverisë kundrejt bizneseve të tyre të tjera. Ka pasur raportime të besueshme se përfaqësues të lartë të medias kanë përdorur mediat për të shantazhuar bizneset duke i kërcënuar me raportime mediatike të pafavorshme,” thuhet në raport.

1 Komente

  1. F
    Firmat e themeluesve të PD-së 1991

    Duhet të mos ishte tërhequr, në vitin 2050 nuk do ketë naft dhe benzin, ndaj duhet mënyrë e re mbijetese.

    Lini një Përgjigje