“Rënia e euros rrezikon ta kthejë ekonominë shqiptare në vitin 1992”. Me këtë paralajmërim, sipërmarrjet eksportuese në fushën fasonëve, fruta-perimeve, bimëve aromatike dhe turizmit kanë kërkuar ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
"Fenomeni nuk mund të lihet në “rënie të lirë” me arsyetimin se çdo gjë e përcakton tregu. Nëse vërtetë mendohet se “duke ulur koston e importeve me pasojë uljen e eksporteve është një zhvillim pozitiv ekonomik dhe tregues i një ekonomie të fortë”, atëherë po rrezikohet kthimi mbrapa në një ekonomi të pastër importuese të ngjashme me atë të vitit 1992 nën efektet e “terapisë shock”", thotë Shoqata e Eksportuesve.
Shtatë shoqatat eksportuese kërkojnë nga dy institucionet e ngarkuara për të garantuar stabilitetin ekonomik dhe monetar identifikimin e shkaqeve reale që po çojnë nën nënçmimin e euros, dhe ndërhyrje për të normalizuar situatën.
"Asnjë ulje të çmimeve të produkteve të importit nuk kanë përfituar konsumatorët shqiptarë. Nga zhvlerësimi i monedhës kanë përfituar vetëm individë importues të veçantë dhe ekskluzivë. Ky zhvlerësim i monedhës euro ka dëmtuar shumë rëndë industrinë prodhuese, eksportuese dhe turizmin vendas duke drejtuar shumë subjekte drejt falimentimit", thuhet në deklaratë.
Euro arriti të enjten nivelin më të ulët historik duke u shkëmbyer me vetëm 111.03 lekë. Krahasuar me fillimin e muajit euro ka rënë me 2,24 lekë duke zhvlerësuar ndjeshëm fitimet e eksportuesve.
Lini një Përgjigje