Shifrat e reja: Bizneset e huaja zgjerohen në Shqipëri

21 Shtator 2025, 18:20Ekonomia TEMA
Shifrat e reja: Bizneset e huaja zgjerohen në Shqipëri

Shqipëria po shënon rritje të qëndrueshme të pranisë së bizneseve të huaja. Vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar 32 degë të reja, një rritje e dukshme krahasuar me 21 degët e vitit 2024 dhe 18 degët e 2023. Ky ritëm i përshpejtuar tregon një interes më të madh të investitorëve ndërkombëtarë për tregun shqiptar.

Italia kryeson listën me 10 degë të regjistruara, ndërsa Kosova dhe Turqia pasojnë me nga 7 secila.

“Rritja e numrit të degëve është një tregues se Shqipëria po perceptohet më seriozisht nga investitorët e huaj. Krahasimi me vitet e mëparshme tregon një trend pozitiv, ku vendi po forcon imazhin e tij si destinacion për kapital të ri”, thotë eksperti i ekonomisë, Klodian Muço, për Tv Klan.

Hyrja e këtyre kompanive pritet të ndikojë në konkurrencën e tregut vendas, teksa sfidë për ekonominë vendase mbetet gjetja e fuqisë punëtore të kualifikuar.

“Për të ruajtur këtë ritëm, nevojitet që institucionet shqiptare të ofrojnë kushte më të favorshme për të mbajtur në vend rininë dhe të investojnë në kualifikimin e tyre për të qenë më pranë kërkesave të tregut”, shton Muço.

Me rritjen e vazhdueshme të degëve të huaja, Shqipëria po e konsolidon profilin e saj si një treg në zhvillim tërheqës për kapitalin ndërkombëtar. Në vitin 2023 u regjistruan rreth 1,419 biznese me element të huaj, ndërsa në vitin 2024 numri mbeti pothuajse i njëjtë. Ndërkohë, vetëm gjatë 8-mujorit të parë të vitit 2025 janë regjistruar 1,404 kompani të reja, duke treguar se ritmi është i lartë krahasuar me vitet e kaluara.

1 Komente

  1. T
    Ter

    Se shtohen dege nga Italia Jugut apo Turqia nuk ka asnje zhvillim. Na thoni nje emer marke te njohur. Ne prodhim ka investuar kush? Kete na thoni. Nje vend e mban prodhimi dhe vetem prodhimi, bujqesor a industrial. Nese ka prodhim ka kuptim dhe turizmi sepse konsumohet prodhimi vendas pa barriers e transport. Nese jo turizmi sjell euro ke 10% zere se eshte fason. Nese cdo gje importohet tani dhe punetoret...euro iken jashte.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje