Si ndryshuan balancat e monedhës europiane kundrejt atyre kombëtare? Shqipëria dhe Polonia me zhvlerësim, ndërsa në Turqi me rritjen më të fortë

25 Tetor 2025, 21:40Ekonomia TEMA
Si ndryshuan balancat e monedhës europiane kundrejt atyre kombëtare?

Gjatë vitit 2024, monedha e Bashkimit Europian, euro, ka përjetuar luhatje të ndjeshme kundrejt valutave vendase në disa vende të Europës dhe më gjerë. Raporti i fundit i Deloitte, ka nxjerrë në pah një panoramë të qartë mbi mënyrën se si euro mesatarisht ka fituar terren në disa tregje, ndërsa në të tjera ka humbur vlerë përballë monedhave kombëtare.

Në disa shtete, euro është zhvlerësuar ndjeshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e mallrave dhe shërbimeve të llogaritura në euro. Shqipëria është një prej vendeve ku kjo rënie është ndjerë më shumë, me një ulje prej 7.40% gjatë vitit 2024. Një tendencë e ngjashme është vërejtur edhe në Poloni, ku euro humbi 5.21% të vlerës kundrejt zlotit, si dhe në Republikën Çeke me një rënie prej 4.43%.

Megjithatë, tabloja nuk është e njëjtë kudo. Në disa vende, euro ka fituar vlerë kundrejt valutave lokale, duke reflektuar forcim të saj në tregjet ndërkombëtare. Në Rumani, euro është rritur me 0.57%, në Norvegji me 1.81%, në Hungari me 3.47%, ndërsa rritja më e fortë është regjistruar në Turqi, ku euro është forcuar me plot 61.35%, kryesisht si pasojë e inflacionit të lartë dhe të vazhdueshëm që ka prekur ekonominë vendase gjatë vitit.

Ndërkohë, në Bullgari dhe Bosnjë-Hercegovinë kursi i këmbimit ka mbetur i pandryshuar, pasi valutat e këtyre vendeve janë të lidhura drejtpërdrejt me euron. Në vende të tjera si Mbretëria e Bashkuar (-2.64%), Izraeli (-0.31%), Serbia (-0.14%) dhe Danimarka (-0.11%), euro ka shënuar gjithashtu një rënie të lehtë.

Këto luhatje të kursit të këmbimit janë një komponent i rëndësishëm për analizën e përballueshmërisë ndërkombëtare të çmimeve dhe investimeve, duke reflektuar ndikimin që stabiliteti monetar ka mbi ekonomitë kombëtare dhe fuqinë blerëse të qytetarëve në kontinent. (Eldiona Serani)

2 Komente

  1. T
    Toni

    Ka ndonje qe te me thote ndonje statistike se si konkretisht ky mbivleresim ndihmon vendin? Trumbetohet shume qe eshte gje e madhe sikur vendi jone ka shume leverdi po ky eshte thjesht nje iluzion sepse monedha e forte ben me shume dem sesa mire. Ben mire vetem per faktin qe ata qe kane shume para ti konvertojne ne euro dhe te pushojne jashte, gje qe nuk eshte mire per vendin.sepse humbet nje sasi te konsiderueshme valute qe mund te vihet ne perdorim brenda vendit. Ndoshta dhe gazeta qe e boton kete duhet te dije qe vendi jone nuk ka absolutisht asgje qe te shpjegoje nje mbivleresim te monedhes pervecse te ardhurave qe sjellin turistet dhe parave informale.

    Përgjigjjuni
    1. k
      katarakti

      Leku i fortë ndaj euros ndihmon importet. Në rast se qeveria do të kishte luftuar kundër monopoleve tregtare, siç lufton Amerika, çmimet e mallrave të importit duhet të ishin ulur ndjeshëm. Por Rama nuk dëgjon nga ai vesh. Për të luftuar monopolet e blerjes së mishit, metrazheve, fruta- perimeve etj etj. një qeveri e hajrit ngre ndërmarrje shtetërore import eksporti me llogari më vete. Ose edhe ndërmarrje me bashkëpunim privat-publik për përpunimin psh të fruta - perimeve, lëkurëve, një kombinat ushqimor etj etj. Dhe nuk ia lë çdo gjë privatit. Kinezët nuk janë budallenj që çdo ndërmarrje private e konkurrojnë me një ndërmarrje shtetërore me vetadministrim. Me një politikë të zgjuar ekonomike me të njëjtën sasi parash, (lekësh) mund të blesh më shumë mallra. Provoni një herë inflacionin dhe ta kuptoni se çfarë do të thotë lek i fortë. Argjentina pothuajse falimentoi në kohën kur vendin e qeveriste e majta me një inflacion mujor prej mbi 100 %. Në Rusinë e Jelcinit (vitet 1990 - 2 000) inflacioni shkonte deri në 1 800 % në vit! Prandaj rusët e kujtojnë me tmerr atë periudhë. Veçse eksportuesit nuk janë të kënaqur kur forcohet leku, se fitojnë më pak.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje